Rilindja, vota e lirë dhe STV irlandez

29 Mars 2013, 19:09Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Retorika e rilindjes, ndonëse ‘muzikë’ për veshin e elektoratit, që të mos mbetet e tillë, lyp idealizëm qytetar, kurajo politike, shokë shumë dhe angazhim solemn se në rast dështimi, hapet ‘krahu’. Ndryshe, veç një vijë e hollë e ndan prej naivitetit apo cinizmit politik tipik për tranzicionin që rilindja synon të lërë pas.

Mes shumë sfidave jetike për një demokraci normale, fokus parësor i rilindjes duhet të jetë rikthimi i Kushtetutës në identitet (respektimi i të ‘drejtës së autorit’ apo verdiktit referendar) dhe me të, rishikimi i ligjit zgjedhor. Shpirti i rilindjes mbetet vota e lirë, ‘gjurma’ ku hedh shtat çdo gjë më pas dhe ajo është e tillë kur votuesi e ndjen se ia vlen të votohet – nuk intimidohet, nuk tjetërsohet dhe nuk vete dëm.

‘Autopsia’ e ligjit ‘spanjoll’

Ligji ‘spanjoll’ nuk i përmbushi pritshmëritë në respektimin e shenjtërisë së votës teksa:

(a) rrit koston oportune të votës (risku ‘po sikur?’) – vota për subjektin e preferuar perceptohet se vete dëm dhe, deri indirekt, shpie ujë në ‘mullirin’ e një subjekti të papëlqyer, me efekt polarizimin e politikës dhe tkurrjen e ofertës zgjedhore në kurriz të partive të reja, vogla apo të pavarurve, pavarësisht potencialit të tyre.

(b) imponon zgjedhjen për votuesin me listën e mbyllur të deputetëve të ‘emëruar’ që urohen paraprakisht (!)

(c) shpërfill vullnetin e anëtarësisë teksa lista imponohet nga lideri me ndikim në entuziazmin dhe impenjimin gjatë fushatës zgjedhore.

(ç) provokon përçarje të minutës së fundit në ‘tenderin’ për listë me kosto konfuzioni në elektorat (p.sh. qejfmbetje se lideri nuk zgjodhi mes politikanëve ‘qëndrestarë’ por prej të tretëve anonim në politikë, bile duke iu lutur prej vitesh(!) etj patetizma me gjenezë këtë ligj zgjedhor).

(d) bën virtual raportin votues-deputet dhe i jep prioritet varësisë së deputetit ndaj liderit sepse të qënurit sërish në listë varet ekskluzivisht prej tij.

(dh) cenon të drejtën e përfaqësimit si përmes limiteve të zhbalancuara për të nxjerrë një deputet, injorimit të proporcionalit kombëtar, diskriminimit pozitiv etj ku sërish, partitë e reja apo të vogla, kanë më pak gjasa të votohen për shkak të riskut të ‘fishekut’ të vetëm ndonëse mbeten zgjedhja ideale, situatë kjo që rëndohet edhe prej buxhetit elektoral që favorizon partitë e mëdha që në start(!)

(e) kuota për deputete femra, në vetvete paradoksal (himnizohen për zotësi dhe ndërkohë u jepet një dorë(!) dhe diskriminues (patronazh ndaj seksit të dobët(!), bie ndesh me parimin e meritokracisë dhe krijon precedent për absurde të tjera – kuota për të rinjtë, pleqtë, personat me aftësi të kufizuara, minoritetet, homoseksualët etj(!).

(ë) cenon të drejtën e qytetarit për qeverisje efektive për shkak të mazhorancave fluide dhe të brishta që pjell duke ndikuar në performancën dhe etikën e qeverisjes e cila mbetet peng e klientelizmit, monopolizimit të ministrive sipas pazareve në koalicion etj.

(f) nuk promovon parlament me integritet teksa rëndom deputetët janë të besuar të kryetarit që nuk kanë respekt as për vetveten (p.sh. ndryshimet kushtetuese në injorim të ‘copyright’ të popullit dhe një greve urie) sikurse syresh që u thinjën në ato karrige, e konsiderojnë atë si ‘shtëpi’ (deri në deklarata butaforike se nuk do e ndërronin për poste ministrore(!).

Në këtë kontekst, ndërsa flasim për rotacion lideri, duhet të flasim edhe për rotacion të ‘byrove’ politike që na kanë mbirë në derë, sepse dikur kishim një por tani kemi me dhjetëra dhe që falë edhe këtij ligji zgjedhor, bubrrojnë prej dekadash. Një ‘moçal’ politik ky, që jo vetëm nuk freskohet por ndot çdo prurje të re, për të mos thënë se shpesh e reja, me gjithë bujën mediatike, përbëhet nga individë që pavarësisht CV dhe integritetit, riskojnë të thirren ‘deputetë’ vetëm për t’u vënë në rresht, hedhur hi syve elektoratit dhe bërë ‘kamikazin’ e radhës.

Mes votës ‘irlandeze’ dhe ‘fishekut’ të vetëm

Sfida e çdo ligji zgjedhor është balanca mes përfaqësimit dhe qeverisjes efektive. Nëse pranojmë se ligji ‘spanjoll’ dështoi, atëherë alternativat janë rikthimi tek ligji ‘gjerman’ apo risia me ligjin ‘britanik’ apo ‘irlandez’. Ligji ‘gjerman’, ndonëse ofronte një përfaqësim dhe qeverisje solide, u anatemua për shkak të abuzimit që fare bukur mund të parandalohet me legjislacion. Ligji ‘britanik’ apo mazhoritari i pastër ndërkohë sërish mund të provokojë bumerang në përfaqësueshmëri (polarizon skenën politike) pavarësisht efektit në qeverisje efektive.

Një qasje risi dhe me interes për realitetin tonë për shkak të ngjasive demografike, do të ishte ligji ‘irlandez’ apo ndryshe STV (single transferable vote – vota e transferueshme), specifika e të cilit është se, ndryshe nga të tjerët ku votohet vetëm për një subjekt, ai mundëson votimin e shumëfishtë dmth për më shumë se një subjekt. Duke reduktuar riskun e votës së ‘humbur’ e shmangur dilemën e ‘fishekut të vetëm’, ai i ofron votuesit shansin për të votuar për më shumë se një subjekt sipas preferencës vetjake (p.sh. 1 apo preferenca e parë për subjektin më të pëlqyer, 2 për subjektin si zgjedhje e dytë e kështu me radhë).

Etiketohet si votë e transferueshme sepse gjatë numërimit ato transferohen nga një subjekt tek tjetri në varësi të kufijve për përzgjedhje (p.sh. kandidati më pak i votuar eliminohet dhe votat e tij kalojnë për llogari të preferencës së parafundit, kandidati më shumë i votuar ‘shkarkon’ votat e tepërta mbi kufirin e nevojshëm për fitore tek preferenca e dytë etj.) Procesi përfshin një seri rikalkulimesh ‘eliminim-kualifikim’ deri në listën finale të fituesve (sipas mandateve për zonë) që garanton një balancë të prioriteteve të votuesit.

Ligji ‘irlandez’ STV ofron shans për këdo për t’u zgjedhur, qoftë partie e re, kandidat alternativ i të njëjtës parti, individ i pavarur me reputacion në zonë etj sepse zhbën riskun e ‘fishekut’ të vetëm teksa votuesi voton për disa preferenca njëkohësisht (p.sh. edhe për partinë e tij, por edhe për një të pavarur që ushqen respekt). Ai motivon raportin votues-deputet, teksa për rizgjedhje, sesa simpatia e liderit partiak, vlen imazhi në elektorat.

Rishikimi i kuadrit zgjedhor duhet të përfshijë edhe problematika të tjera (administrimi i zgjedhjeve, buxheti, marketingu etj) sikurse edhe ndjeshmëri si diskriminimi pozitiv, vota e 16 vjeçarëve (çështje delikate dhe spekulative kjo e kapacitetit mendor të votuesit sepse është si të ngresh pikëpyetje për qasjen racionale në votim të të moshuarve që nuk janë vetvetja, sëmurëve, pakicave të marzhinalizuara etj).

Rilindje përmes votës së lirë

Hapi i parë i divorcit me tranzicionin duhet të jetë shenjtërimi i votës dhe rikthimi i autoritetit të votuesit. Nëse votuesi ende nuk ka emancipimin e atij perëndimor, kjo nuk duhet të përbëjë një alibi për politikën për të spekuluar me ‘dobësitë’ e tij.

Nëse elektorati, jo rrallë, shfaq simptomat e turmës fanatike dhe sindromës ‘Barabas’ (hajduti i dënuar që turma i fali jetën ndërkohë që Krishtit i ktheu shpinën), është në nderin e rilindjes që politika, jo vetëm të mos e marrë atë të mirëqenë apo më keq, të spekulojë me cinizëm me ‘besnikërinë’ e votuesit, por të bëjë të sajën në iluminimin e racionalitetin e votës. Duke sanksionuar me ligj apo kod etik, p.sh. evitimin e instrumenteve të marketingut politik që motivojnë emocionin ndaj racionalitetit tek votuesi – gara e mitingjeve kudo e kurdo, debate ‘gjelash’ që provokojnë adrenalinë tek votuesi, reklama agresive e iluzive etj.

Dy dekada divorc me monizmin, e kanë tejkaluar tanimë bazën e krahasimit me të, sikundër ky i fundit bënte me 1939. Referencë mbetet realiteti europian dhe ndërkohë që mirëqenia europiane do kohën e saj, me politikën europiane të respektit ndaj votës së lirë jemi të vonuar. Pa të, gjithçka merret peng. Rilindja vetë.

2 komente në “Rilindja, vota e lirë dhe STV irlandez”

  1. alex says:

    Nje kendveshtrim shume i drejte, i nje problemi teper te mprehte. Ligji duhet te ktheje pushtetin ne doren e zgjedhesve.

    Dhe ky do te jete guri i proves sesa demokrat eshte Rama, sepse ne fund te fundit ne 2008 ligjin e ndryshuan te dy me katranin Berisha. Mire Berisha qe dihet kush eshte e cfare do, po Rama liberalit perse i duhej ky ligj?
    Qe te na vertetoje se nuk eshte nje Berishe, Rama duhet te perfshije ndryshimin e ligjit elektoral ne zotimet e tij.

  2. Landi says:

    shkrim me interes,ky propozim duhet te behet pjese e premtimeve elektorale te PS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje