Çfarë kemi të sigurt ne shqiptarët në këtë fillim mijëvjeçari? Asgjë! Ah po, një gjë e kemi të sigurt. E sigurt është se sa do të përpiqemi e të mundohemi të mbijetojmë në vet-izolimin tonë, si formë proteste apo mënyrë për t’i shpëtuar gjëmave makabre që përditshmëria na sjell në rastin më të mirë në formën e lajmit, aq më shumë dhunohemi dhe nëpërkëmben të drejtat dhe liritë tona.
Faktet e kronikës së zezë (e zezë përtej etiketës që dallon në gjuhën e gazetarisë “zhanrin” e informacionit që ajo na sjell) mund t’i lexojmë me një vështrim sipërfaqësor si fatkeqësi që dashtë i madhi zot të mos na bien për hise, se jemi njerëz të ndershëm e si kemi bërë keq askujt. Me këtë qasje, e keqja i dorëzohet bestytnisë dhe shpjegohet vetëm me, pranomani eufemizmin, strukturat argumentative të një diskursi, në brendinë e të cilit gjithçka ka një justifikim por askush nuk ka përgjegjësi.
Vetëm në brendinë e këtij diskursi, patetik dhe delirant, mund të përurosh qindra metra rrugë, si për shembull segmenti Gramsh-Kodovjat, ndërkohë që akseve kryesore të sapopëruruara kodra e male zbresin e ulen këmbëkryq. Vetëm në këtë dimension, ti ecën përpara me flamurin e dështimeve që lë pas në çdo hap tëndin duke u çjerrë premtimesh mbi suksese të ardhshme.
Por nuk është kjo që kërkohet prej nesh, si individë dhe shoqëri. Prej nesh kërkohet ta shohim të vërtetën në sy. Dhe e vërteta është që çdo fakt njerëzor gjen një shpjegim dhe shkaqe në dinamika dhe struktura njerëzore.
Përtej bestytnisë, siguria jonë publike, ose më mirë mos-siguria jonë si shoqëri është përpara syve tanë dhe nuk do kallauz për ta parë. Dhe kjo pasiguri, pasiguria e jetëve tona dhe e fëmijëve tanë, është një pasiguri sistematike, sintomë e faktit që sistemi shtet shqiptar është tashmë shndërruar në një derexhe të atillë, sa nuk do të mjaftonin tellallë dhe kurva që me zërat dhe trupat e tyre të zinin sadopak brimat prej nga po rrjedh (në kuptim e marrosjes) shteti ynë.
Si mund të flasësh për drejtësi dhe të pretendosh që ajo të funksionojë pas Gërdecit apo 21 janarit dhe mënyrës sesi u trajtuan këto çështje nga gjyqësori jonë? A mundet të flasim për drejtësi në një vend ku toka, uji, drita dhe mineralet shiten për të dhjamur të ndenjurat e pushtetit apo të familjarëve e klientëve të tyre, ndërkohë që kush ka lindur, është rritur e i ka rënë bretku mbi to nuk ka as bukën e gojës për barqet e uritura të pjellës së vet?
Pasiguria që përjetojmë është sintomë e faktit që po qeverisemi nga një grup njerëzish që nuk kanë vizion, nuk kanë strategji tjetër përveç asaj të imponuar nga rastësia dhe nga nevoja për të mbijetuar politikisht, të kapur pas pushtetit dhe pas imunitetit që të jep ai në një shtet lacash dhe cubash. Kjo pasiguri kërkon, që të zgjidhet, një rishikim të raporteve ekonomike dhe sociale mbi të cilat kemi ndërtuar demokracinë tonë.
Kjo qeveri ka shndërruar në flamur të vet politika ekonomike tipikisht neoliberale (dhe këtu një e qeshur do t’i shpëtonte çdo ekonomisti me pak tru). Pikërisht shprehi e kësaj qasjeje janë dhe privatizimet me çdo kusht. Këto politika bashkë me praktikat korruptive, të përvetësimeve të fondeve publike, të militantizmit të administratës publike, të “privatizimit” të sistemit të drejtësisë, kanë thelluar dhe radikalizuar padrejtësinë duke e vënë atë në themel të shoqërisë tonë. Pasuritë po përqendrohen në pak duar, këto janë duar që shtrëngojnë skeptrin e pushtetit, këto duar nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë.
Brenda këtij sistemi, i cili implementon padrejtësinë në pafundësi kuptohet pasiguria jonë si shoqëri dhe shkaqet e saj. Një shoqëri që nuk ka mundësi të mbrojë vehten, kjo shoqëri jemi ne. Një shoqëri ku tradhtia ndaj individit është bërë normalitet. Prokurori që formulon një akuzë pa bërë hetimet e duhura, një gjykatëse që për dy lekë mbyll të dyja sytë, të dy këta janë fajtorë për tradhti. Ata kanë tradhtuar ty dhe mua, fëmijën e tyre në emër të të cilit dhe të sakrificave për të justifikojnë vetveten. Ndërkohë… ndërkohë Neroni në tribunë qesh, me ne gladiatorët që dihasim stërmundimeve për të mbijetuar. Neroni qesh dhe niset për në përurimin e ndonjë rrugice apo hajati.
Një gjë e kemi shumë të qartë tashmë në këtë mars 2013, e kemi të qartë që po qeverisemi nga pandershmëria dhe tradhtia. E kemi të qartë që asgjë të sigurt nuk arritëm të ndërtonim në këto 22 vjet. Jo sepse nuk ishim të zotë apo se ndërkohë përtuam. Por sepse u qeverisëm nga pandershmëria dhe nga tradhtia, shëmbëlltyrën e të cilës e shihni të çirret shesheve duke rrahur gjoksin për “sukseset” e tij, fatkeqësitë tona.
Me keto shkrime militanteske beheni si Zeri i Popullit para 1990tes. Behuni racional ne ato qe shkruani dhe jo kaq militant te flakt dhe servila per hir te pushtetit te se nesermes qe mund te vi. Me vjen keq qe shoh njerezit e rinj te degradojn me kshu deshirash per te rene ne sy me doemos te kryesia!