Për tradhtinë e trashëgimisë profesionale dhe burokratizimin medial.
Nuk më ka shkuar mendja se ndonjëherë do të merresha me Kolumnisten e së Shtunës të një gazete ditore që botohet në Kosovë. Po shkruaj me gjuhën e saj (ajo nuk përmend emra, por “një emision” dhe “një situatë”, ndonëse është e qartë se në çka mendon), duke ia bërë me dije që në fillim se për një kohë të gjatë është duke bërë një luftë të gabuar shkronjash.
Unë nuk hezitoj të përmend emra kur shkruaj për individë, probleme dhe fenomene. Por, kësaj herë do bëj përjashtim për arsye stilistike.
Për një kohë të gjatë, Kolumnistja e së Shtunës, në gazetën e saj ku shënohet si “pronare dhe botuese”, ndërton histori shkrimesh që më shumë janë përmbledhje sipërfaqësore me mungesë shije, sesa shkrime që ofrojnë diçka më shumë në të kuptuarit e situatave për të cilat flet.
Ky është parimi i papranueshëm i kritikës së pabazuar, për shkak të të cilit, autorja me shije të munguar shkrimi dhe etike bën aksion shkronjash – e jo shkrim. Nëse shkrimi nënkupton respektimin e domosdoshëm të vlerave etike dhe profesionale, ajo do duhej t’i përdorte këto kritere të ndërgjegjshme, sidomos kur bën një etiketim të turpshëm, që është absolutisht spekulativ dhe konspiracionist. Ky etiketim nuk mund të ketë asnjë mbështetje në realitet, por vetëm në imagjinatën e saj. Pra, ajo e përdor shkrimin si kobure për interesat e veta, e jo si përmbajtje që ndërton komunikim me lexuesin.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, autorja është dëshmuar si perfekte në ndërtimin e burokracisë mediale, por njëkohësisht ajo ka arritur ta dëmtojë ndjeshëm profesionin e gazetarisë në Kosovë. E ka bërë atë që profesionistët e quajnë: “Humbje të etikës profesionale në emër të hakmarrjes personale”. Shpjegimi më i mirë për politikën mediale të Kolumnistes së të Shtunës mund të përmblidhet në një fjali të vetme: është e vështirë për profesionistët e mediave, por edhe për lexuesit dhe shikuesit e mediumeve që ajo sot i udhëheq, të kuptojnë se pse gjithë ajo harmoni profesionale dhe demokraci e mendimit brenda redaksive respektive, që ishin krijuar para ardhjes së saj, kaq shpejt janë shndërruar në një uniformitet, nga i cili nuk mund të frymohet lirshëm. Gazetaria e këtyre mediumeve ka qenë aq e mirë, aq objektive dhe aq e fuqishme, sa është dashur të jesh shumë i pashije dhe i robëruar nga burokracia që t’i dëmtosh ato deri në këtë derexhe.
Shkrimet e fundit në faqen e saj personale kanë shënuar një thyerje drastike të rregullave elementare të fjalës publike, dhe kjo mund të jetë dëm i pakthyeshëm për të ardhmen. Ky është model i keq në profesionin e gazetarisë. Keqpërdorim i mediumit me shpifje kafehanesh.
Autorja është duke e tradhtuar të kaluarën profesionale të gazetës së saj dhe emrin e respektueshëm në skenën mediale të Ballkanit dhe më gjerë. Ka shkelur dinjitetin profesional, duke ua vënë projekteve personale në dispozicion faqet e gazetës dhe ekranin e televizionit . Ato po përdoren brutalisht, duke i ofruar opinionit publik vetëm imazhe dhe regji politike, por duke harruar të transmetojnë atë që është misioni i gazetarisë: të vërtetën objektive.
Njeriu i gazetarisë mund të ketë qëndrim të hapur. Ndonjëherë mund të marrë edhe anë, sepse konsideron se kjo është në të mirë të së vërtetës dhe opinionit publik. Situata që ndodhin në mediat më të fuqishme globale. Por, normalisht, kjo bëhet për hir të besimit në parime, e jo për interesa të ngushta familjare.
Duhet ta bëj një shpjegim se çka po ndodh me gazetën dhe televizionin e Kolumnistes së të Shtunës, që shquhet për mungese shije e dije për ato që i udhëheq. Gjithçka i serviret publikut sipas shijes dhe interesit të saj, pa kaluar fare nëpër filtrat e domosdoshëm të objektivitetit dhe profesionalizmit medial.
Dikur këto mediume i trajtonin edhe çështjet më të ndjeshme me transparencë dhe objektivitet, duke ua mundësuar lexuesve dhe shikuesve që ata vetë – e jo të ndikuar nga imponimet e stafit udhëheqës – të gjykonin për ato çështje.
Por, nën udhëheqjen e Kolumnistes së të Shtunës (dorën në zemër, kam besuar se do të bëjë punë më të mirë), po tregohet se zhvillimi i tyre profesional ka stagnuar dhe janë prishur të arriturat e mëhershme. Ajo që po krijon është një falsitet. Një mungesë vizioni. Është e dukshme që mediumet nuk kanë vazhdimësi me trashëgiminë profesionale nga e kaluara, dhe vendimmarrje të akterëve që e respektojnë profesionin e gazetarisë si pasion dhe vokacion. Aktualisht mund të flasim vetëm për degradimin e dy mediumeve që ajo po i udhëheq.
Aty, askush nuk mund të shkruajë për asgjë që nuk është në të njëjtën linjë mendimi me Kolumnisten e së Shtunës. Jo vetëm për profesionistët, por edhe për lexuesit e zakonshëm janë krejtësisht të qarta qasjet dhe temat të cilat “mund” të bëhen, ato që “nuk mund” të bëhen, “kur”, “si” dhe “në ç’masë” duhet të bëhen.
Aty, fjala medium më nuk ka kuptim. Sepse pavarësia e gazetarëve dhe ndërmjetësimi i tyre mes ngjarjes dhe publikut nuk bëhet me kritere profesionale dhe objektive, por në bazë të preferencave personale të një burokrate mediale.
P.S.: Kurrë nuk kam besuar se koha do të më demantojë në pikën ku Kolumnistja e së Shtunës e konsideron veten si të paprekshme – në transparencë, në parime dhe në mungesë korrupsioni. Projektligji i KPM-së, i sponsorizuar nga ajo dhe mediat e saja, i lobuar së bashku me një institucion që quhet AMPEK, dhe i përkrahur nga një zyrë europiane – përfaqësojnë idenë bazike korruptive, të shkruar fjalëpërfjalshëm në amendamentin e shumëpërfolur, Simmo.
Qëndrimi i patrazuar në ndërtesën e shtetit që e shan çdo ditë, dhe privilegjet tjera që e bëjnë konkurrencën mediale në Kosovë të pabarabartë, janë pengesë serioze në tentimin e pastrimit të ndërgjegjes. Imazhi i besueshmërisë, të cilin synon ta ndërtojë, nuk është asgjë tjetër veçse një sinqeritet i korruptuar, që qëllimisht ka qenë i paprekur nga askush.
Morali i këtij lobimi për ta ruajtur licencën me ligj – dhunshëm, e jo me kualitet programor, ka të bëjë vetëm me interes biznesor dhe personal, duke e korruptuar kështu një proces transparent dhe duke ia prerë rrënjët idesë për një treg normal medial në Kosovë.
Ta gzoni dhe ju o baton vllaun e vogel te Shkjaut
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/03/nana-pede.html
Ku ishe hicgjekundi,cfare bere ,asisen.Kjo ishte permbajtja e ketij shkrimi personal e aspak profesional