Ikin nga haraçi i pushtetit!

25 Mars 2013, 20:44Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

Vetëm një zarf u dorëzua me ofertë financiare për të blerë ndërmarrjen më profitabile publike në Kosovë, Postë-Telekomin e Kosovës (PTK). Ky zarf nuk erdhi nga ndonjë vend perëndimor, as nga kompani me renome botërore, por nga i njëjti vend të cilit po i jepen asetet më të rëndësishme të kosovarëve, nga “vëllazëria turke” e pushtetarëve tanë. Trembëdhjetë vjet pas luftës, secilën herë e më shumë imazhi i Kosovës është duke u denigruar.

Kjo qeveri e përfshirë në skandale tashmë të njohura edhe ndërkombëtarisht, nuk mund të joshë investitorë seriozë, në pazare me ta nuk pranojnë të futen kompani kredibile, ato nuk guxojnë të bëhen pjesë e këtij krimi ekonomik që ka përfshirë vendin. U ka mjaftuar skandali i 1.4 milionëshit me tenderin e pasaportave i cili ka zënë ballinat e gazetave të huaja, për të treguar për “haraçin” që i pret në Kosovë. Cila kompani e vendeve të BE-së, e cila i di rregullat e tregut të lirë, do të pranonte të sjellë kapitalin e saj në një shtet, pushteti i të cilit është në duar të një grupi të ngushtë, të cilëve duhet mbushur gushën si kusht për të nisur punën në Kosovë.

Pushtetarët të cilët zyrtarisht janë partnerë të bashkësisë ndërkombëtare, të vendeve perëndimore dhe miqve amerikanë, të vetmen mundësi deri më tash më të lehtë për të bërë biznes me asetet e kosovarëve i kanë kompanitë turke. Qeveria tashmë ka vënë marrëdhënie klienteliste me biznesmenë turq. Asetet më të rëndësishme deri më tash i ka dhënë kompanisë “Limak”, Aeroportin dhe Distribucionin e KEK-ut. Ndërkohë që luan me kartat e Evropës, duke kërkuar përkrahjen për liberalizimin e vizave dhe integrimin në një të ardhme të afërt të Kosovës. Fatkeqësisht, përpara shteteve të BE-së pushtetarët e Kosovës, janë klasa më e degraduar, tashmë e shndërruar në sinonim të hajnisë.

Dorën në zemër, nuk duhet habitur, pse nuk po arrijmë të tërheqim asnjë investitor serioz, bile edhe vëmendja e mbetur e bashkësisë ndërkombëtare është duke u rrezikuar në këtë degradim e sipër shtetëror.

Rasti i PTK-së për më shumë se dhjetë vjet ka qenë shembulli më adekuat se si politika në Kosovë, përfiton nga një aset publik në mënyrën më të vrazhdë të mundshme. Prej keqpërdorimeve direkt me paranë e saj, për të vazhduar më punësimin e jo vetëm familjes së ngushtë, por duke shtrirë rrjetin e nepotizmit nga mëhalla e deri në katund.

Qeveria e Kosovës për tre vjet me radhë nuk po arrin ta privatizojë këtë kompani e cila vetëm në katër vjetet e fundit në formë të dividentës i ka dhënë Qeverisë së Kosovës mbi 400 milionë euro, sot vlera e saj mezi arrin 200 milionë euro. Procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrje është duke dështuar në vazhdimësi. Dy vjet më parë u largua Telekomi gjerman, ku jozyrtarisht u pat mësuar se arsyeja e tërheqjes kanë qenë marrëveshjet e fshehta dhe korrupsioni në këtë proces.

Edhe në rishpalljen e tenderit për privatizimin e PTK-së nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, operatori i fuqishëm evropian “Deutche Telecom” nuk mori pjesë në garë. Edhe pse katër konsorciume të parakualifikuara, zarfin e dorëzoi vetëm operatori turk “Turkcell” dhe jo Telekomi britanik, kompania libaneze M1 dhe “Avicena”. Ministria e udhëhequr nga Besim Beqaj sërish doli me arsyetim, sa banal aq edhe qesharak, se “kjo shtyrje e afatit vjen si rezultat i pengesave teknike”.

Ky është aseti i vetëm që i ka mbetur Kosovës, shitjen e të cilit duhet shtyrë urgjentisht dhe Qeveria të nxjerrë mësim nga ky dështim. Përmes PTK-së, qeveria ka shanse që të sjellë investitorë kredibilë, vetëm duke e rritur vlerën e saj dhe njëkohësisht të ambientit investues në Kosovë. Në të kundërtën shitja në “aksham pazar” edhe i kësaj ndërmarrjeje i jep vulë realitetit se në Kosovë vijnë vetëm ata investitorë që janë të gatshëm të bëhen pjesë e bandës së pushtetit.

4 komente në “Ikin nga haraçi i pushtetit!”

  1. shqiptar says:

    te dinim me mend o Arbana ,po me kete shkrim e ke qelbur fare.Me duket se duke e ditur situaten ekonomike ja ke fut kot

  2. genti says:

    pse nuk te pelqen shkrimi i Arbanes apo je nga ata qe shkruajn shqiptari dhe ne te vertete jane turkoshake

  3. tayson says:

    Cdo shkrime ka vler ,kur ne te ushtrohet nji kritik mbi qeverriatret e korruptuar ,kur shprehet shqetesimi opinionit ,pra popullit.
    Nuk arrij te kuptoj si do duhej te shkruante autorja, qe ti pelqente disave, te cileve me sa duket nuk i intereson permbajtja por ana siperfaqsore e shkrimit !
    Ky shkrim shpreh qarte e bukur nji shqetesim dhe ktu qendron edhe vlera e tij . Shqiptaret do ishte mir qe perpara se ti tregojn masen e trurit autores Albana Zhares do ishte mir qe te mesonin ti rrespektojn personalitetin e tjetrit pikerishte te Femres Shqiptare .
    Shume sunxsese autores.

  4. tayson says:

    Cdo shkrime ka vler ,kur ne te ushtrohet nji kritik mbi qeverriatret e korruptuar ,kur shprehet shqetesimi opinionit ,pra popullit.
    Nuk arrij te kuptoj si do duhej te shkruante autorja, qe ti pelqente disave, te cileve me sa duket nuk i intereson permbajtja por ana siperfaqsore e shkrimit !
    Ky shkrim shpreh qarte e bukur nji shqetesim dhe ktu qendron edhe vlera e tij . Shqiptaret do ishte mir qe perpara se ti tregojn masen e trurit autores Albana Xhares do ishte mir qe te mesonin ti rrespektojn personalitetin e tjetrit pikerishte te Femres Shqiptare .
    Shume sunxsese autores.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje