Sondazhi i fundit i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë vërteton makthin më të madh të makinerisë politike shqiptare. Sipas qëllimit dhe përgjigjeve kryesore të sondazhit, zhgënjimi i qytetarëve ndaj politikës në tërësi të Tiranës po përkthehet në mosvotim prej 47% të qytetarëve të Shqipërisë. Në fakt shumë dyshime u hodhën në lidhje me kredibilitetin e këtij sondazhi për shkak të marzhit kolosal të gabimit dhe kampionimit shumë të ulët. Për shembull, në Kukës u anketuan rreth 30 njerëz. Ata nuk mund të jenë kurrsesi një mikro-univers i përfaqësimit dhe frymës së gjithë Kukësit.
Së dyti, sondazhi e humb qëllimin e tij fillestar meqenëse teknika “sondazh derë më derë” nuk funksionon në Shqipëri. Imagjinoni një anketues që vjen e u troket në derë. Pasi e hapni derën, ai ju bën pyetje biblike të tipit: “Për kë do të votoni në 23 qershor?” Profaniteti që kjo pyetje, dhe përgjigjja e saj, mbart për shqiptarin e thjeshtë, është i barazvlefshëm me të pyeturit e një nëne të 5 fëmijëve në vitet 1920: “A keni bërë ndonjëherë seks?” Shqiptari i thjeshtë mund të ketë frikë se mund të humbë vendin e punës, mund të ketë frikë se do t’i vijë ndonjë e keqe nëse i shpreh bindjet e tij politike një të panjohuri që i troket në derë (dhe ka gjithë arsyet e botës për të pasur frikë). Në disa raste të tjera ai thjesht nuk dëshiron të përgjigjet, ose thjesht nuk do të votojë në 23 qershor.
Pra ka një sërë faktorësh se pse, qëllimi parësor i anketimit, bie në pellgun e të pabesueshmes dhe irracionales. Megjithatë, totalisht pa dashje, totalisht pa qëllim, sondazhi i kryer prej Fondacionit nxjerr përgjigje të një natyre dhe qëllimi tjetër (po aq rëndësishëm sa qëllimi kryesor i sondazhit). Duke ripërsëritur fjalinë e parë të këtij shkrimi: Sondazhi i fundit i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë vërteton makthin më të madh të makinerisë politike shqiptare. Ky makth nuk është mosvotimi i aluduar gabimisht i 47% të të anketuarve, përkundrazi! E vetmja gjë që sondazhi nxjerr qartë është raporti mes dëshirës për të votuar njërën palë, dhe vullnetit për të votuar një palë tjetër.
Prej sondazhit e vetmja statistikë e vlefshme është se 22.7% e 1208 të anketuarve ndihen afër me PD, 19.6% PS, 1.4% FRD, 1.2% AK, 1% LSI, 1% PDIU. Për arsyet e lartpërmendura, nuk e dimë nëse 47.8% e tjerë nuk do të votojnë fare, a patën kompleksin e mospërgjigjes. Më shumë bie në sy se vetëm 1% e të anketuarve ndihen pranë LSI. Kjo do të thotë se në 1208 të anketuar, vetëm rreth 12 u shprehën pro LSI. Madje shkon edhe më tej: LSI paska zhvendosjen më të madhe të elektoratit në raport me vitin 2009, me minus 6.7%. Këta 6.7% sipas sondazhit ndihen sot më afër PS. Por nëse ka një gjë për të cilën jemi më të bindur sesa ku i kanë xhepat pantallonat tona, është fakti se LSI kurrë nuk e humb elektoratin e saj. Pse? Për shkak se ajo ka krijuar një marrëdhënie klienteliste me votuesin e saj, një raport “unë rrogën – ti votën”. Duke qenë se okupon më shumë se 20% të administratës publike, numrat e saj të përkthyer në vota janë të pandryshueshëm. Pra sondazhi ose gabon në këtë “zhvendosje vote”, ose ka trokitur në derën e LSI-stave kur ata kanë qenë në punë, ose vetë LSI-stat nuk ndihen afër me LSI, pavarësisht se do të votojnë atë. I besoj më shumë rastit të fundit. Sondazhi vërteton se ka një zhvendosje të madhe midis dëshirës për të votuar për një palë, dhe realizmit të të votuarit për palën tjetër.
E njëjta logjikë funksionon edhe me PD, kjo është e qartë. Shqetësimi vjen në lidhje me Partinë Socialiste. Sipas sondazhit, ajo ruan një elektorat të pandryshuar në krahasim me zgjedhjet e 2009-ës. Duke llogaritur se sipas sondazhit PD ka një ulje prej 2.9%, ndërsa LSI një ulje prej 6.7% në raport me 2009, logjikisht PS ruan një raport të pandryshuar për shkak të këtyre zhvendosjeve. Por meqenëse ka shumë gjasa që këto të mos jenë zhvendosje reale por vetëm një dëshirë e votuesve për të votuar majtas, duket se mund të mos ketë ngritje aq drastike të elektoratit socialist më 23 qershor. Kjo pikërisht për shkak se këtë herë më shumë se kurrë, dy partitë në pushtet do të përdorin “full force” gjithë ingranazhin e tyre të punësimit, detyrimit dhe ngasjes materiale.
Kam dëgjuar shpesh këto kohë disa shprehje jashtëzakonisht të drejta se pse duhet të ketë ndryshim të pushtetit. Disa shprehen se në një vend demokratik, patjetër që duhet të ketë rotacion, sidomos pas 2 mandatesh krimbje. Të tjerë shprehen se 21 Janari, Gërdeci, varfëria e papunësia, të gjitha nuk duhet të tolerohen më. Dhe kanë të drejtë! Ka aq shumë arsye për të mos votuar PD në këto zgjedhje që vijnë, sa ato nuk mund të përmblidhen as në nismën “100 arsyet pse s’duhet votuar Berisha”. Megjithatë, duhet pasur kujdes i madh. Në një vend të varfër si Shqipëria, shpesh populli nuk voton nisur prej lajmeve, emisioneve televizive, debateve publike apo skenave shumëngjyrëshe. I varfri ato i shikon me kënaqësi, me admirim, por s’i duron dot ngasjes së një cope buke a 10 mijë lekësh të vjetra për votë. Dhe s’ka se si t’i durojë kësaj ngasje. Dikush po më thosh madje në mënyrën e vet të çuditshme e konspiracionale të vështrimit të botës, se qeveria pikërisht për këtë arsye i le “pa bukë” katër vjet: që para zgjedhjeve, t’u shijojë më shumë. Për këtë arsye nuk e kuptoj insistimin e kreut të opozitës për të pasur debat publik, debat sallash prestigjioze në orën 21:00, me z. Berisha. Debati publik është i lejueshëm vetëm atëherë kur kërkon të zësh mat kundërshtarin politik, për t’i mbushur mendjen votuesit potencial që të votojë. Por kjo fazë ka kaluar. Kjo fazë ka kaluar shumë herë, qoftë në 21 Janar, qoftë me Gërdecin, qoftë me kapjen e hapur të pushteteve, qoftë me kërcënimet e hapura të medias së lirë e kështu me radhë. Nëse kjo do të ishte një lojë shahu, z. Rama do të ishte duke i kërkuar revanshin një kundërshtari të cilin e ka zënë shah mat mbi njëqind herë brenda të njëjtës lojë.
Sondazhet, sado të vogla, sado të pabesueshme, vërtetojnë se ka një dëshirë më të madhe se më parë të shqiptarëve për të votuar majtas. Megjithatë, një pjesë e mirë e shqiptarëve, një pjesë e mirë e qytetarëve, në rolin e tyre si votues potencialë votojnë përtej dëshirave të tyre, duke iu konformuar fjalës së urtë: “Nga e thëna në të bërë, kalon një lumë i tërë”. Strategjia “unë rrogën – ti votën” kërcënon çdo lloj strategjie të Partisë Socialiste.
Analiz e mire. Suksese!!
Socialistet kane frymen,, ata le te mbajn paret e popullit…
hahahah fantastik ai pershkrimi me gruan e viteve 1920. ?
#rilindje kerkon zera analitike si ky, horrat pashpres te pd nuk na blejn dot me vota
qendron dhe bile shume fjala une rogen ti voten…..se kjo qeveri te le 4 vjet te vuash si gjarpi nen gur dhe kur vine votimet te jep nje thes me miell dhe sa te kaloje lumin ti je i detyruar qe ate thes ta vjellish nga goja…
Lexim i drejte.. dhe te mos harrojme qe sali kafsha sot gjasme kompensoi familjet e Gerdecit.. nje turp i madh tragjedia per vota…
Cuniiiiii,o cunaku po kte e dime ne,kemi kohe qe e lexojme parrullen
Une rrogen – ti voten
Po cfare do bejme????
Tregoju cfare i ben nje thes miell te ardhmes tende,tregoje cfare i ben 10 mije lekeshia te ardhmes tende…tregoj pse e urren mamin ne administrate qe shitet per nje rroge{se di fare une kush eshte mami jot,e kam ne pergjithesi}Tregoj pse nuk e do babin drejtorrrrrrr,se i dergon njerzit ne miting..tregona qe kur pranojne te ngrene me detyrim te dy gishtat,jane shume afer dhe me te ngriturin e kembeve…
Kto tregona mor bir,leri statistika e llogje mediatike qe corodisin mendjet e coroditura.
Mos u largo te 1920,se e kemi ktu ate :A don qymyr zoteri???5 mij leke per ty mor pensionist…kaq eshte…qymyri!
Rinia mos me shkruani perralla te rrenave statistikore,mos u beni fotokopie,sepse nqs ti je me shume i bindur per Lsi,sesa per xhepat e pantallonave te tua …ateher e ke humbur luften.Po po ti e ke humbur luften,dhe me te dhe te ardhmen !
Dhe sidoqofte do ishte me e goditur
UNE RROGEN-TI JETEN!
O intelektual i ri shpreze e marrezi.
Sa ishte marzhi gjigand i gabimit ketij sondazhi?
Ndihmoje audiencen te gjeje tek pyetesori i sondazhit pyetjen “Për kë do të votoni në 23 qershor” http://www.europeansocialsurvey.org/index.php?option=com_docman&task=doc_download&gid=933&Itemid=80
I ri ne moshe, teper i vjeter ne arsyetim, ligjerim dhe patetizem.