Shukrie Neziri, një artiste e re nga Tetova , ka zgjedhur portretin e një njeriu si një formë e hulumtimit të saj artistik. Koka njerëzish të ndara nga trupi, të endur midis frikës dhe dëshirës përr të ndryshuar, janë pamjet që të ofron ekspozita e saj e hapur prej një jave në Galerinë “Tirana Ekspres”.
“Koka portreti ndoshta paraqet unin tonë , vetveten në këndvështrim nga jashtë apo nga brenda . Në rastin e punëve të mia kjo lidhet më së miri edhe me konceptin e shfaqjes së veprës para të tjerëve. Kështu, kjo vepër mund të shfaqet e trishtuar, e ftohtë , e ngrohtë, e fortë apo energjike. Raporte të cilat mund të jenë edhe relative, pasi s’mund të jemi në një sens të gjithë të njëjtë në përjetim, apo këndvështrimi”- shprehet artistja.
Për autoren e këtyre pikturave moment i krijmit është diçka magjike,pasi përmes këtij momenti mund t’u japësh jetë gjendjeve të caktuara.
“S’më pëlqen kur gjendem përpara momentit të krijimit dhe i them vetes se motivi është dikush tjetër dhe jo unë. Më pëlqen depërtimi përmes ngjyrës në të brendshmen e të cilit për ta shfaqur atë jashtë …’’-nënvizon ajo për gazetën “Shqip”.
Në pikturat e saj ndihet edhe fati i atdheut të saj.
“Ardhja më vonë e shumë gjërave tek ne , ka krijuar situate të pakëndshme , të cilat reflektohen në botën e artit..Por, komunikimi me artistët në të gjitha hapësirat tona , e veçanërisht në mesin e artistëve të rinj, besoj se do të na kishte krijuar situata më të avancuara nga kjo që gjendemi tani”-thotë ajo.
Sipas saj është pikërisht komunikimi , atë çfarë kërkojnë edhe “kokat në pikturat e saj./A.XH