Gandi, libri me analiza dhe komente për Gandin dhe Gandizmin

1 Prill 2013, 10:17Kulturë TEMA

“Jeta ime është mesazhi im”. Kështu shprehej  Gandi (Mohandas Karamchand Gandhi ) udhëheqësi shoqëror dhe politik i Indisë, i cili e çoi këtë vend drejt pavarësisë  dhe transformoi indinanin e zakonshëm.

Tashmë për lexuesit shqiptarë vjen pjesa e tretë e librit “Gandi” me autor Ilir Hashorva.Pas pjesë së parë  dhe dytë të librit tashmë lexuesit shqiptarë kanë mundësi të ketë në dorë edhe pjesën e tretë  të librit, “Gandi”, me analiza dhe komente mbi Gandin dhe Gandizmin.

Në studimin prej tri pjesësh, në pjesën e parë lexuesit janë njohur me  jetën e Gandit dhe në pjesën e dytë filozofinë dhe fenë e tij. Ky  studim ka nisur rreth vitit 2003 për të përfunduar në vitin 2012.

Ilir Hashorva në këtë pjesë të tretë dhe të fundit jep disa komente e analiza në formë esesh për Gandin dhe gandizmin, për të vënë në pah anë të veçanta të personalitetit, karakterit dhe botëkuptimit të tij.

“Është vërtet e rrallë të gjenden njëherësh tek i njëjti person edhe shpirti më rebel, më i panënshtrueshëm e më i pakonformueshëm, edhe shpirti më i përulur, më i dhembshur e më i butë; edhe luftëtari më i papërkulur, edhe paqekrijuesi më i madh. Te Gandi ndesh njëkohësisht një shërbyes, një mësues e një prijës; një mendje të ndritur dhe një shpirt të madh; një vullnet të hekurt dhe një fjalë të fuqishme. Ishte i veçantë në harmonizimin e mendimit, fjalës dhe veprës. Thoshte atë që mendonte dhe bënte atë që thoshte. Sinqeriteti i tij, gati fëmijëror, në mënyrë paradoksale, ishte ndër armët e tij më të fuqishme. Me çiltërsi, me vërtetësi e me përulësi fitonte besimin e popullit dhe me atë besim triumfonte mbi të gjithë”-shkruan autori.

Kujdes i veçantë i është kushtuar krahasimit të gandizmit me rryma të tjera politike e filozofike botërore të kohës dhe, sidomos, rolit që mund të kishte pasur ushtrimi i gandizmit në Shqipëri në uljen e tiranisë komuniste, në dhënien e një fytyre më njerëzore komunizmit, në daljen e shqiptarëve dhe, sidomos, të intelektualëve nga komunizmi ballëlartë e jo kokulur, arsyet se përse këto nuk ndodhën, si dhe për të vënë në dukje edhe disa të meta tradicionale dhe disa që vihen re në kohën e sotme, të cilat na lejojnë të kuptojmë më mirë edhe sjelljet në periudhën komuniste.

“Gandi nuk lindi dhe as nuk u ndihmua të bëhej ashtu si u bë: ai u vetëbë. Ai mendonte se për të ndryshuar botën, së pari, duhej të ndryshoje veten, prandaj thoshte: “Duhet të bëhemi ndryshimi që duam të shohim.” Ai ishte shembulli më i përsosur i ndryshimit, i përmirësimit, i shenjtërimit. Gandi bënte atë që mendonte se ishte e drejtë dhe jo atë që vlerësohej se ishte e nevojshme, komode, e leverdishme, popullore, e sigurt a mbresëlënëse. Çdo virtyt që mund të ekzistonte te njerëzit, gjendej te Gandi në shkallën më të lartë”– shkruan Hashorva në parathënien e librit. /A.XH

 

 

 

1 komente në “Gandi, libri me analiza dhe komente për Gandin dhe Gandizmin”

  1. tefta says:

    KETE TORI NUK E DUN SHQIPETARET SE NUK DUN TE JENE TAN JETEN POPULL SKLLAV SIC ESHTE SOT E KESAJ DITE POPULLI HINDU 1 200 000 000

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje