TemA TV/ Vazhdojnë bisedimet Kosovë- Serbi, Thaçi është optimist (VIDEO)

2 Prill 2013, 19:29Sociale TEMA

Në Bruksel është duke u zhvilluar që prej mesditës së të martës, raundi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të mbërritur tek një marrëveshje që do të kënaqte të dy palët dhe normalizonte marrëdhëniet mes Beogradit e Prishtinës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha pasdite vonë, se besonte në arritjen e një marrëveshje brenda natës së sotme me ndërmjetësimin e BE-së.

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijançiç, tha se Baronesha aktualisht zhvilloi më herët një takim bilateral me palën serbe. Më pas Ashton priti edhe delegacionin e Kosovës, që kryesohet nga kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ne jemi këtu për të arritur marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të lëvizë përpara edhe shtetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonin në perspektivën evropiane. Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta”, ka thënë Thaçi, duke theksuar qëndrimin në favor të fqinjësisë së mirë.

“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, u shpreh kreu i qeverisë së Prishtinës para takimit me Baroneshën Ashton në Bruksel.

Thaçi ka siguruar se nëse arrihet marrëveshja, zbatimi i saj do të nisë menjëherë.

“Kosova ka planin e vet veprues, të konsultuar me faktorin ndërkombëtar. Do të krijohen kushte për lëvizje të lirë në gjithë territorin dhe këtu nënkuptohet hapja e të gjitha rrugëve për qarkullim”, ka thënë Thaçi.

Ai edhe njëherë ka theksuar se çdo hap do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin Ahtisaari.

Gjithashtu të hënën, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka bërë të ditur se në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shkojë edhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kjo, sipas Nikoliçit, tregon për unitetin e udhëheqjes më të lartë shtetërore të Serbisë në bisedimet me Kosovën.

Sipas tij, Serbia nuk kërkon idealen, porse “ajo që kërkon Prishtina nuk do të jetë kurrë e mundur”.

Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Daçiç, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, e që në Beograd asociacioni njihet me emrin “bashkësi”.

Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm.

1 komente në “TemA TV/ Vazhdojnë bisedimet Kosovë- Serbi, Thaçi është optimist (VIDEO)”

  1. Meleku says:

    Para Thaçi. Shqipet e Kosoves jane deshmuar se dijne ti mbrojne interesat kombetare ne çdo rrethane. Mirepo keto te drejta mbrohen edhe me shume kur respektohen lirite dhe te drejtat e pakicave.
    Nje shoqeri behet me e lire dhe me e qendrueshme, nese ajo i respekton dhe i mbron te drejtat e te gjithe qytetareve te saj, pavaresisht prej bindjeve politike, prej besimit fetar, ngjyres se lekures dhe prej prejardhjes etnike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje