Që prej hedhjes së shortit të Ligës së Kampioneve, që ka vënë përballë Bajernin dhe Barcelonën, Pep Guardiola është vënë në qendër të vëmendjes. Në Gjermani insistojnë që Jup Heinkes duhet të marrë këshilla nga ish-trajneri i Barcelonës, që sezonin e ardhshëm do të zërë pikërisht postin e tij tek Bajerni. Por, Heinkes ka ironizuar me këtë gjë, duke thënë se pot ë ishte për këshilla, më mirë do të pyeste Johan Krujf. Ai ka reaguar ashpër edhe ndaj ish-presidentit të Bajernit, Franc Bekenbauer, që ka kërkuar nga Heinkes të marrë këshilla nga Guardiola.
“Pep nuk mund të zbulojë detaje rreth Barcelonës për shkak të respektit ndaj ish-klubit të tij. Por mua nuk më shqetëson një gjë e tillë. E njoh mirë futbollin spanjoll dhe Barcelonën. Nëse do të ishte e nevojshme t’i telefonoja ndokujt, atëherë do të zgjidhja Krujf, pasi ai e shpiku sistemin e lojës së Barçës”, tha Henikes./b.l