Ish- diplomati amerikan, James Hooper, në një intervistë për radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova ia doli që me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel me Serbin, të ruajë tërësinë e saj territoriale.
“Edhe unë pajtohem që është marrëveshje historike. Është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën, për Serbinë, për rajonin, për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Me të fuqizohet thelbësisht stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
Me të gjithashtu, dëshmohet se Bashkimi Evropian mund të luajë rol efektiv në tejkalimin e antagonizmat e thella ndërmjet vendeve të Ballkanit, ose thënë më mirë të Evropës Juglindore.
Shumëkush është befasuar nga kjo marrëveshje, duke qenë se kanë qenë të shumtë ata që mendonin se procesi nuk do të mund të arrinte kaq larg. Ajo mban emrin marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, por sipas gjykimit tim marrëveshja shënon një zgjidhje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova arriti ta ruajë tërësinë e saj territoriale dhe sovranitetin brenda kufijve të saj, nuk pati ndarje dhe as këmbime territoriale. Kjo vërtetë është vërtetë arritje historike,” tha Hooper./ep