Nga Arben Muka
Radio Gjermane për Botën e Jashtme, ose Deutsche Welle, që e përkthyer në shqip do të thotë “Vala Gjermane”, nisi zyrtarisht transmetimet më 3 maj të vitit 1953. Në një përshëndetje të presidentit të atëhershëm gjerman, Theodor Heuss , u artikulua qartë synimi kryesor i këtij radiostacioni publik, si “një përpjekje konkrete për shtensionimin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe pjesës tjetër të botës, pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore”. Gjermania e pas Luftës se Dyte Botërore, që nuk mund t’ia fshije disfatën, lodhjen dhe uljen e imazhit ndërkombëtar, kishte nisur kthesën për ringjallje. Nga pësimet dhe mësimet që i ofronte e shkuara e afërt dhe e largët kishte nisur ripërtëritja dhe ringritja e reputacionit e saj, jo vetëm në skenën europiane, por më gjerë si një protagonist global. Në favor të paqes, bashkëpunimit dhe stabilitetit.
Ndërtesa e Deutsche Wele-s në qytetin e Këlnit (pas vitit 2001 është shpërngulur në Bon) është etiketuar jo pa shkak dhe si një “seli e OKB-së”. Në çdo ambjent të kësaj ndërtese shumëkatëshe buzë Rinit, në zyra, në studio e salla konferencash punonte një personel miks nga vende të ndryshme të botës. Fillimisht nëpërmjet programeve radiofonike në valët e shkurtëra dhe më pas me transmetimet televizive DW ka përcjellë pikëpamjet gjermane dhe perspektivat ndërkombëtare. Në funksion të nxitjes së dialogut ndërkulturor, duke punuar për më shumë mirëkuptim ndërkombëtar dhe tolerancë. Si karakteristika dalluese të saj janë larmia e përjetuar në gjuhë dhe kulturë, para së gjithash pavarësia dhe besueshmëria.
Në datën 1 qershor 1992 nga selia qëndrore e DW filloi zyrtarisht transmetimet dhe programi në gjuhën shqipe. Hapja e redaksisë shqipe ishte një iniciativë e njeriut që drejtoi për rreth 35 vite programet e Europës Juglindore, Dietrich Schlegel dhe drejtueses së programit, kryeredaktores Adelheid Feilcke, e cila e njihte shumë mirë jo vetëm gjuhën shqipe, por dhe zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në të gjithë Ballkanin Përendimor. Emisioni premierë i mbrëmjes së 1 qershorit 1992 zgjati vetëm 15 minuta dhe përmbante buletinin e lajmeve shkurt, një përshëndetje të Drejtorit të Përgjithshëm të atëhershëm të DW, Dieter Weirich, enkas për rastin e fillimit të programit në gjuhën shqipe. Më pas vijuan materiale tematike me natyrë politike dhe sociale.
Programi gradualisht u zgjerua në kohë trasmetimi. Në sinkron me këtë u zgjerua dhe personeli i stafit në redaksinë qëndrore në Këln. Në mënyrë të shpejtë u ngrit dhe një rrjet korrespondentësh në terren, fillimisht në rajon: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe më pas në disa nga vendet kryesore europiane si Itali, Zvicër dhe Francë. Harta gjeografike e raportimeve u zgjerua në vijim dhe me Ulqinin, Beogradin, Athinën, Luginen e Presheves, Brukselin, Londrën etj.
Akademiku Artan Fuga në librin e tij “Media, politika, shoqëria”, (faqe 64) ka renditur disa arsye për interesimin e shqiptarëve për të ndjekur radiostacionet e huaja me programe në gjuhën shqipe në fillimet e procesve demokratike. “Së pari, sepse këto radio i kanë ndërtuar emisionet në mënyrë të tillë që të ngjallin interes. Në to ka edhe emisione të ndryshme kulturore, edhe lajme shumë të shkurtëra nga bota, apo nga Kosova. Por nuk janë këto që bëjnë interesin më të madh. Më tërheqëse janë komentet që bëhen për gjendjen në Shqipëri dhe raportin e forcave politike në vend. Pasqyra e shtypit të përditshëm shqiptar dhe komentet fluturimthi mbi të gjithmonë kanë interes. Së dyti, radiot përendimore në shqip dëgjohen sepse qytetari shqiptar sot e vlerëson më shumë qeverinë e tij dhe forcat politike të vendit duke u nisur nga niveli i reputacionit që ato kanë në perëndim. Prej këtëj rrjedh që dëgjuesi shqiptar i sotëm ndjek me vëmendje çdo fjali të transmetuar, si dhe aluzionin më të fshehur e më të shpejtë në komentet që bëhen. Së treti, interesi rritet sepse radiot e huaja në shqip janë të lira nga trysnia e autoriteteve, ndërsa radioja shqiptare me statusin e deritanishëm, kontrollohet tërthorazi nga shteti. Kështu, te radiot e huaja, shqiptari mund të gjejë një informacion më të balancuar dhe të dëgjojë edhe për anët e errta të reformës ekonomike, si dhe opinione nga ana e opozitës.”
DW mbahet mend gjithashtu dhe si një markë cilësore e trajnimit dhe kualifikimit të stafeve të redaksive jo vetëm nga radiot, por dhe gazetat, televizionet, agjencitë e lajmeve etj., në hapësirën shqipfolëse. Qendra e Trajnimeve dhe më pas Akademia e DW për rreth 18 vite kanë investuar drejtpërdrejtë me programe e projekte konkrete në rajon. Me synimin që të ndajnë me gazetarët, redaktorët e menaxherët e mediave lokale standardet më të mira profesionale të raportimit dhe organizimit të punës editoriale – qoftë në nivelin fillestar, qoftë dhe për ata me përvojë që avancojnë në konceptet e gazetarisë bashkëkohore, të menaxhimit të medias, përdorimit në shkallë të gjerë të teknologjive të reja etj.
Një nga aktivitetet më të njohura në nivel ndërkombëtar që organizon rregullisht për çdo vit DW në qytetin e Bonit është Konferenca Mediatike Ndërkombëtare, ose siç njihet DW – Global Media Forum. Në një seri prej dhjetëra aktivitetesh që zhvillohen gjatë punimeve të Konferencës ftohen të marrin pjesë punonjës të mediave nga mbarë bota, studiues dhe kërkues të shkencave të komunikimit dhe informimit, përfaqësues nga politika, ekonomia, kultura e të tjerë të interesuar dhe të angazhuar në çështjet që bëhen objekt debati.
Presidenti Moisiu ka dekoruar seksionin shqip te DW
Për rolin dhe kontributin që ka dhënë DW në gjuhën shqipe ka marrë vlerësime të shumta nga ndjekësit e saj në variantin audio, ashtu dhe ata që frekuentojnë faqen on line. Një nga vlerësimet më të veçanta dhe më të rëndësishme në aktivitetin mbi 20 vjeçar të këtij programi është ai 4 qershorit 2007, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë në atë periudhë, Alfred Moisiu, i akordoi Medaljen e Mirënjohjes për kontributin e veçantë në konsolidimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë; njohjen e historisë së lashtë dhe të vlerave kulturore të popullit shqiptar; kuptimin e aspiratave të larta të tij për liri, demokraci e integrim dhe forcimin e miqësisë midis Shqipërisë e Gjermanisë.
Me rastin e 20 vjetorit të DW në shqip, në vitin 2012, Instituti Shqiptar i Medias publikoi librin “Ja si duhet të informohem” të autorit Arben Muka, i cili prej vitit 1997 punon si korrespondent i stacionit në Shqipëri. Botimi ka në fokus produktin në 2 dekada të Deutsche Welle-s në shqip. Aspekte kryesore të rolit dhe ndikimit të këtij stacioni gjerman, jo vetëm në informimin e publikut me standarde të qëndrueshme gazetareske, por dhe në përcjelljen e frymës europiane tek shqiptarët kudo jetojnë.
Historia 60 vjeçare e DW është historia e raportimit profesional dhe të besueshëm. Por njihet dhe si një histori e transformimit të thellë teknologjik. Gjithmonë një hap përpara mediave të tjera Deutsche Welle ka kaluar etapë pas etape në shdërrimin nga një transmetues radiofonik me valë të shkurtëra dhe nëpëmjet satelitit, në një kompani multimediale – me një ofertë të larmishme në audio, televizion dhe shërbime on line. Për Drejtorin e përgjithshëm Erik Bettermann dhe stafin e kompanisë multimediale Dojce Vele kredoja në këtë 60 vjetor artikulohet qartë: “Publiku është busulla e punës sonë“.
(Marrë nga libri “Ja si duhet të informohem!”, të autorit Arben Muka, botim i Institutit Shqiptar të Medias, 2012)