VOA - 70 vjetori i transmetimit të parë në shqip

11 Maj 2013, 21:03Kulturë TEMA

Nga Zamira Edwards

Këtë javë, Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës festoi 70 vjetorin e transmetimit të parë në gjuhën shqipe më 13 maj të vitit 1943. Në praninë e shumë të ftuarve, zyrtarë të Zërit të Amerikës, politikanë, ambasadorë, ish kolegë të Shërbimit Shqip dhe miq të ndryshëm, folësit përshëndetën punën prej 7 dekadash të këtij shërbimi fillimisht në radio dhe më pas në televizion dhe internet.

Presidentë, diplomatë, anëtarë të Kongresit amerikan, zyrtarë dhe analistë të çështjeve të Ballkanit morën pjesë në një ceremoni emocionale që u zhvillua me këtë rast në selinë e Zërit të Amerikës në Uashington. Drejtori i Divizionti të Euro-Azisë, Dr. Elez Biberaj dhe Shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho përsëritën angazhimin e Zërit të Amerikës dhe të Shërbimit Shqip për të vazhduar misionin e njoftimit të lajmeve në mënyrë objektive, të saktë dhe të balancuar në përputhje me kartën e Zërit të Amerikës.

Të gjithë folësit shprehën vlerësimin e tyre për punën e shërbimit të Zërit të Amerikës në shqip në vite, fillimisht përmes radios dhe më pas edhe përmes televizionit dhe internet, për transparencën dhe si përçues i së vërtetës.

Një nga folësit, anëtari i Kongresit nga New York, Eliot Engel tha me shaka se ishte intervistuar kaq shumë herë nga Zëri i Amerikës në shqip, sa që kur vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën atë e kishin njohur shumë njerëz. Anëtari me peshë i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme uroi shërbimin për punën që ka bërë në informimin e shqiptarëve kudo që janë dhe theksoi rëndësinë që ai ka për të ardhmen.

“Mendoj se ne këtu në Shtetet e Bashkuara kemi nevojë për Zërin e Amerikës që t’u themi popujve të vendeve të ndryshme të shtypura se cila është Amerika. Çdo dollar që ne i japim Zërit të Amerikës është si një investim që shumëfishohet në qindra dollarë të vullnetit të mirë për Amerikën, qindra dollarë të besimit të mirë për parimet dhe vlerat e Amerikë”, tha zoti Engel.

Zv. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane dhe auroaziatike, Philip Reeker përshënti të pranishmit me pak fjalë shqip, ndërsa vlerësoi punën e Shërbimit Shqip gjatë 70 vjetëve në përhapjen e lajmeve dhe informacioneve për një shoqëri, ku përhapja e informacionit ishte e kufizuar.

“Sot, jam krenar të them se ambasadat amerikane në rajon dhe ne që punojmë për çështje të Ballkanit këtu në Uashington, kemi marrëdhënie shumë të mira profesionale me Shërbimin Shqip të Zërit të Amerikës, një medium i besuar për të shprehur me saktësi mesazhet dhe pikëpamjet tona për audiencën shqiptare në Ballkan dhe matanë tij në kuadër të mbulimit objektiv të ngjarjeve nga ana e Zërit të Amerikës dhe prezantimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Zv. ndihmës sekretari i shtetit Reeker tha se Zëri i Amerikës ka qënë një burim i besuar informimi për Kosovën, ndërsa ky vend i ri përjetoi periudhën kalimtare drejt një shteti të pavarur dhe më së fundi ndërsa qeveria e Prishtinës përpiqet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë dhe vazhdon të ecë në rrugën drejt integrimeve evropiane. Zoti Reeker i uroj shërbimit shqip suksese në të ardhmen në punën e tij të nevojshme në rajon.

Nëpërmjet një mesazhi të regjistruar, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e përshkroi ndikimin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, duke thënë se ai “na dha shpresë gjatë një epoke të errët në historinë tonë dhe kishte fuqinë të ndihmonte popullin tonë të harronte urinë”. Të dërguarit e Presidentit shqiptar i dhanë Zërit të Amerikës medaljen presidenciale dhe një medalje individuale drejtorit të Divizionit të Euro-Azisë, Elez Biberaj.

Në një mesazh tjetër të regjistruar, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha mes të tjerash se “Zëri i Amerikës ishte i vetmi zë që populli ynë mund të dëgjonte gjatë luftës në Kosovë dhe krizës së refugjatëve … Shpresoj që Zëri i Amerikës të mos heshtë kurrë,” tha zonja Jahjaga.

I ftuar në ceremoni ishte edhe Dr. Ferid Murad, fitues i çmimit Nobel në mjekësi në vitin 1998.

Ish senatori amerikan, Dennis DeConcini tha se Zëri i Amerikës vazhdon të jetë një institucion i rëndësishëm për përhapjen e informacionit në botë, ndërsa në një mesazh fare të shkurtër por plot humor, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas përmbysjes së komunizmit, William Ryerson kujtoi përgatitjet për vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker në Shqipëri në vitin 1991 pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Ish ambasadori Ryerson tha se pyetja e parë që iu bë pasi mësoi rreth vizitës ishte nëse Elez Biberaj, në atë kohë shef i Shërbimit të Zërit të Amerikës, do të vinte. “I gjori Baker, personi i rëndësishëm nuk ishte ai, por një person i Zërit të Amerikës,” kujtoi zoti Ryerson, i cili u prit me duartrokitje nga salla.

Mes zyrtarëve të lartë të Zërit të Amerikës ishin të pranishëm Drejtori i Zërit të Amerikës, David Ensor, Drejtori i Byrosë së Transmetimeve Ndërkombëtare, Richard Lobo dhe nën-drejtori i Byrosë së Transmetimeve Ndërkombëtare, Jeff Trimble.

Zoti Ensor falenderoi personelin e Shërbimit të tanishëm dhe të kaluar për punën e tyre në shërbim të audiencave shqiptare, ku shtypi është pjesërisht i lirë, tepër i politizuar dhe i kontrolluar nga politikanë e biznesmenë. Drejtori i Zërit të Amerikës theksoi rolin e rëndësishëm të shërbimit në mbulimin e ngjarje të ndryshme dhe krizave të rëndësishme, përfshirë krizën e refugjatëve në Kosovë. Dhe për të ardhmen, tha zoti Ensor, jam i sigurt se Shërbimi Shqip do të vazhdojë punën e vet në përmbushje të objektivave dhe të misionit të Zërit të Amerikës, ashtu siç ka bërë gjatë 70 vjetëve të kaluara dhe në ruajtjen e emrit të tij si një burim i besuar informimi.

Drejtori i Byrosë së Transmetimeve Ndërkombëtare, Richard Lobo theksoi faktin se ndërsa Shërbimi Shqip ka një staf relativisht të vogël dhe me 1 orë e gjysmë transmetim në ditë, ndikimi  i tij tek audienca ka qenë në mënyrë disproporcionale tepër i madh. Zoti Lobo i paraqiti Shërbimit Certifikatën e Mijënjohjes, në të cilët Bordi i Guvernatorëve dhe Byroja e Transmetimeve Ndërkombëtare vlerëson punën e shërbimit gjatë 70 vjetëve të kaluara nëpërmjet radios, televizionit, internetit dhe mediave shoqërore.

7 komente në “VOA – 70 vjetori i transmetimit të parë në shqip”

  1. todi says:

    Nuk ndikoi fare ne rezimin e komunizmit ne Shqiperi.Me aq sa ndikonte nje radio nga Saturni aq ndikoi edhe kjo radio,le qe nuk njihej e nuk degjohej fare.Enveri ishte i superfuqishem e jetoi me delirin e dashurise se popullit per te.Ai e dinte se kush ishin shqiptaret qe flisnin nga kjo radio,bythet e sperdredhura te tyre ju kishin reshqitur duarve te popullit.

    1. ballshuku says:

      Ne rrezuam komunizmin me mesimet e shokut Sali e shokut Faro!
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/07/zonja-e-zeze-liri-berisha.html

  2. Horri i Bulevardit says:

    Zerri i Amerikes ka qene zeri i lirise dhe na ka dhene nje satfisaksion per lirine qe enderronim, por cuditerisht po ky ze mbas vitit 90-te, u mbyt dhe ishte ne te njejten linje me Sali Berishen dhe tani qe e kemi te hapur kete kanal radiofonik dhe me figure, sme terheq me se shoh qe eshte nje ze qe mbizoteron krahinizmi.

  3. Une e kam degjuar zerin e amerikes per here te pare me 1955. Im ate ishte degjuaes i pernatshem i saj (sigurisht me za minimum dhe drite te fikun) .
    Kjo radio e nderuar ka qene zani i lirise. I uroj susksekse VOA-se. I jam mirenjohes keti zani prej qielli. Na ka iluminue kur ishim erresire. URIME VOA-s.

  4. zambaku says:

    VOA degjohej ne kohen e Enverit, si nje nga te paktat alternativa informimi, por tani eshte katandisur per turp dhe habitem perse nuk e mbyllin?! Transmetimi televiziv eshte medioker dhe me punonjes medioker me ne krie topo Xhixhon. S’ka asnje fryme investigimi dhe asnje parameter lajmi, sepse lajmet qe jep VOA i kane dhene me pare televizionet ne Shqiperi. Perse vazhdon transmetimet??? Mbase nga qe askujt ne DASH si plas per kete palo transmetim te panevojshem ne Shqip nga Washingtoni. Ato dollare qe i hedhin kot te VOA-Shqip mund ti investojne ne projekte te prekshme ne Shqiperi.

  5. VOA, para dhe pas 1990-es says:

    Eshte e vertete qe VOA deri aty nga fundi i diktatures ishte ZERI qe na bente te dridheshim prej emocionit qe sillte duke na thene se Liria ishte diku, dhe nje dite do mund te rikthehej edhe tek ne…

    Me emocion vazhduam ta degjonim edhe ne fundvitet ’90…

    Deri sa ne ZERIN E AMERIKES u degjuan zerat e Gramoz Pashkos dhe miqve te tjere te bodrumit te Pashkove, qe gjoja ishin kunder pushtetit te Eterve te tyre kriminele…

    Gazetaret e VOA-s nuk kane faj per kete, por faji ra si peshe e rende mbi te ardhmen e metejshme te shqiptareve qe e kishin kete stacion si te shenjte…

    Gramoz Pashko, Ismail Kadare, Fatos nano e Sali Berisha, folen vetem pasi ju dha leja nga ata qe ishin ne Bllok…

    VoA duhet te thote, qofte edhe me vonese, se eshte mashtruar ne lojen e Tiranes zyrtare…

  6. lili says:

    Ah !Ma mire ishim kur nuk kishim Zeri e Amerikes:bile atehere ishim te zot per vetvetin!tash e 70vite kjo radio i bene iso- rroberise sone,po nuk ndikon ne asgje per ta ndryshuar sepse nuk e ka aspak per qellim largimin e rroberise,perkundrazi na mberthen edhe ma shume ne rrethin vicious duke e shperda fajin tek askkushi! Po kur ne VOA flasin ish kriminelet qe denuan gjysmen e popullit te vete,cka kemi me prit prej kesaj radio???Asgje pos brainwashing ,qe te na duket prape situate katastrofike ne te cilen jemi lule!
    Pffffff!Askkush nuk e degjon me ne shqiperi kete radio aq servil ndaj pushtetareve tone!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje