Rruga e daljes nga kriza është ende e gjatë

30 Maj 2013, 10:00Ekonomia TEMA

Ditë ndarjeje dëftesash për Evropën! Komisioni Evropian analizoi gjendjen ekonomike dhe financiare në të 27 shtetet anëtare të BE si dhe në Kroaci dhe dha rekomandimet e tija për qeveritë. Këtë detyrë Komisioni e kryen njëherë në vit. Pas reformave të ndryshme për kontrollin më të mirë të buxhetit dhe ndërthurjes më të mirë të kontrollit mbi buxhetin me politikat ekonomike, si mësim nga kriza e borxheve, dëftesa e KE ka peshë të madhe. Këtë vit rezultatet janë të përziera: ka që janë jo të mira, ka të tjera që të ngjallin shpresë.

Të zhgënjen që para së gjithash Franca, si ekonomia e dytë e Evropës pas Gjermanisë nuk po e gjen rrugën e rritjes ekonomike. Borxhet e reja shtetërore janë shumë të larta, ekonomia franceze nuk është e aftë për konkurrencë. Komisioni kërkon reforma, të cilat qeveria franceze i kryen me shumë ngurrim. Si lëshim, KE i dha Francës më shumë kohë, për të arritur objektivat e uljes së deficiteve. Franca nga ana e saj duhet të marrë në dorë reformën e pensioneve.

Kohë shtesë për reforma

Edhe Spanja, Sllovenia, Portugalia, Greqia dhe Hollanda morën më shumë kohë -vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë qeveritë e këtyre vendeve t’i shpëtojnë procedurës më të ashpër ndëshkuese për shkeljen e kufirit të deficitit. Gjendja reale në këto vende e detyron KE të lëshojë pe. KE nuk ka rrugë tjetër. Instrumentat vërtet që janë ashpërsuar, por përdorimi i tyre mund ta përkeqësojë krizën.

Problemi bazë, borxhet e mëdha publike dhe private nuk është zgjidhur. Kuota e borxheve në të 17 shtetet, të cilat e kanë euron si monedhë, do të arrijë së shpejti 100 përqind të rendimentit vjetor ekonomik. 60 përqind janë të lejuara. Vetëm pak vende nuk futen në borxhe të reja. Këtu bën pjesë Gjermania, ekonomia e së cilës po i reziston krizës.

Banka Qendrore pa pushtet të plotëfuqishëm

Akoma vazhdojnë 20 shtetet e BE procedurat e deficitit, pra hyjnë çdo vit në borxhe të reja. Por Italia, Hungaria, Rumania, Letonia dhe Lituania mund të lirohen nga kjo procedurë. Borxhi i ri i Italisë ka rënë nën kuotën magjike të tre përqindshit, por megjithatë kriza vazhdon ta mbajë të shtrënguar fort Italinë. Papunësia atje – si kudo në Jug – arrin shifra rekord. Borxhi i përgjithshëm i Italisë është te 130 përqind, një nivel i lartë që nuk mund të përballohet gjatë.

Ndërkohë po del në pah, se paratë e lira të Bankës Qendrore Evropiane nuk arrijnë deri te sipërmarrjet e ekonomisë reale. Me përjashtim të Gjermanisë, firma të vogla dhe të mesme arrijnë të marrin gjithnjë e më pak kredi. Mungon besimi. Dhe atë BQE nuk mund ta urdhërojë.

Ku është vullneti politik?

KE sheh vetëm në vitin 2014 ose 2015 një rreze shprese në horizont. Faktorët më të mëdhenj të pasigurisë nuk janë Greqia, Qipro ose Sllovenia, por Franca.Në Paris vendoset e ardhmja e eurozonës. Përvoja mëson se shtetet veprojnë vetëm nën presion, jo mbi bazën e fjalëve të mira. Në qershor, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE do të miratojnë dëftesat e KE. Nëse do t’i vënë në jetë edhe rekomandimet – kjo pritet të shihet.

Autor: Bernd Riegert/DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje