Bankat, një frymëmarrje të lehtë për bizneset

27 Maj 2013, 10:15Ekonomia TEMA

Për herë të parë që prej fillimit të këtij viti kreditimi për ekonominë ka shënuar një rritje pozitive, dhe pse jo shumë të ndjeshme. Kështu, sipas të dhënave të raportit statistikor të Bankës së Shqipërisë, totali i stokut të përgjithshëm të kredisë është rritur me 6 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e këtij portofoli ka shkuar për të financuar biznesin, raporton Vizion Plus.

Në fakt, edhe paketa e masave që mori para disa kohësh Banka Qendrore ka dhënë efekt në rritjen e kreditimit. Kjo, pasi shihet qartë që pjesa më e madhe e parave që janë dhënë në formën e kredisë rezultojnë të jenë në valutë, kapital që bankat më parë e investonin jashtë, ndërsa tani detyrohen që ta japin në tregun vendas.

Por, në kahun e kundërt me rritjen e sasisë së parave që janë dhënë kreditë qëndrojnë kushtet që bankat kanë vendosur për miratimin e një huaje. Kështu, si individët, ashtu edhe bizneset, një pjesë të konsiderueshme të parave kanë arritur ta sigurojnë në formën e overdrafteve, të cilat janë para që merren me procedura më të shkurtuara, por që kanë interes më të lartë.

Ka më shumë se një vit që kreditimi për ekonominë është tkurrur ndjeshëm, ku në një anë qëndron kërkesa e lartë e sipërmarrjeve për financim, dhe në kahun tjetër vargu i lartë i kredive të këqija, të cilat kanë kapur 25% të totalit të portofolit të kredive./b.l

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje