Murit me kokë apo diellin me shoshë!

31 Maj 2013, 21:50Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Fatalitet elektoral!

Hipnoza elektorale që mazhoranca tenton të rrënjosë është se mandati i tretë i saj është i ‘shkruar’. Deri me referenca patetike apo ‘hyjnore’ si ajo me Papën, Bajernin etj. E di që nuk është shumicë por nuk e ka problem sa kohë ia ka marrë dorën abuzimit elektoral si në votë, ashtu edhe proces (intimidim i votuesit, premtime abuzive, thasë me miell, media-propagandë, lobim allapodesta etj) teksa perëndimi vijon me ‘autizmin’ zhgënjyes.

Me luftën e nervave, bërjen e të fortit dhe arrogancën e karshillëkun absurd, deri edhe ndaj partnerit amerikan(!), ajo nga njëra anë u jep flatra mbështetësve në panik, nga ana tjetër dërgon një mesazh paekuivok se nuk ka gajle për asgjë.

 

Beteja për mendjen

Kjo fushatë po zhvillohet paralelisht si në ballafaqimin e platformave elektorale, larmisë së komunikimit, emrave në listë, efiçencës së rutinës elektorale, akrobacirave elektorale ashtu dhe … psikozës në elektorat.

‘Miu’ i mazhorancës ka kaluar tashmë disa herë nën ‘mustaqet’ e publikut dhe perëndimit. Të gjithë e dinë se ajo nuk bën bllof dhe qershori nuk bën përjashtim. Ajo nuk e ka më luksin e rotacionit si për shkak të makthit të kutisë së Pandorës ashtu dhe interesave gjeopolitike, ndërkohë që tundohet si kurrë më parë për shkak të shtimit të ‘butonave’ e ‘levave’ elektorale në dispozicion.

Përballë psikozës së ‘murit që nuk i bihet me kokë’ të mazhorancës dhe efekteve demoralizuese eventuale, opozita duhet të rrënjosë dhe dominojë me psikozën e rotacionit si ‘dielli që nuk mbulohet me shoshë’ me efekt inkurajues si tek mbështetësit ashtu dhe ngjalljen e panikut dhe rënien e dominove tek kampi mazhoritar.

Një proces kompleks sinergjik ky nga (a) konsistenca dhe kohezioni në koalicion rreth premtimeve, tonit dhe gjuhës së komunikimit, (b) shmangia e çdo kundërvënie apo diversioni mes palëve me efekt mediatik, (c) krijimi i një strukture hierarkike ‘ad-hoc’ që monitoron dhe ndërhyn në kohë reale ndaj çdo problemi në terren duke garantuar standardizim dhe efikasitet në zgjidhjen e tij, (d) paraqitje profesionale në media e takime elektorale me platforma dhe teza konverguese etj të domosdoshme për një qasje efektive ‘holistike’ d.m.th ku e ‘tëra është shumë më tepër se shuma e pjesëve’. Duke bërë që ‘orkestra’ opozitare, falë sinkronizimit dhe dirigjimit, të prodhojë ‘sinfoni’ mbresëlënëse përkundrejt ‘stonimit’ e kakofonisë irrituese të çdonjërit në hesap të tij.

 

Pakt për rotacion

Për t’i vënë vulën inspirimit dhe motivimit pa kthim të elektoratit, është domosdoshmëri avancimi i statusit të kampit opozitar në një ‘pakt për rotacion’. Kjo sepse, ‘qielli’ opozitar mbetet ende kaotik dhe i fragmentizuar teksa në një anë kemi ‘kometën’ e gjatë të PS dhe nga ana tjetër ‘asteroidë’ në trajektore të pavarur (FRD, AK, pavarur) duke rrezikuar konfuzion e përplasje me efekt në psikologjinë e rotacionit.

Nëse ‘pakti për bashkëqeverisje’nuk ishte i thënë, një pakt i përkohshëm pro-rotacion, sa kohë ai është ajo ç’ka të gjithë deklarohen, është një lëvizje me detyrim-përcaktim, bile e vonuar, për to. Ai do të ishte mesazhi që do të ngjizte dhe konsolidonte pakthim entuziazmin e fitores duke zhvlerësuar përfundimisht psikozën e ‘fatalitetit’ që mazhoranca tenton.

Një pakt ky që garanton koordinim dhe bashkëveprim në mbrojtjen e votës, numërimin, monitorimin e procesit, ankimimin dhe qasjen ndaj perëndimit, shmangien e diversionit mes palëve, zhbërjen e tentativa përçarëse apo kompleksimit prej mazhorancës etj.

Një pakt jo për ç’ka vjen pas 23 qershorit (përveçse ujdisë për rishikim të ligjit zgjedhor) por thjesht për 23 qershorin, bërjen e rotacionit dhe hapjen e perspektivës për të gjithë.

Një pakt që përfundimisht nuk ballafaqon më mazhorancën me ‘copa’ të veçanta përballë por mazhorancën me të ‘tërën’ që përfaqëson shoqërinë e bërë një në padurimin për rotacion.

Një pakt jetik si për aspiratën demokratike ashtu dhe interesin kombëtar pas cenimit dhe provokimit me episode si kufiri detar apo vijimësia e vasalitetit ndaj fqinjëve, shndërrimi i vendit në ‘landfill’ për të tretë, asimetria në trajtimin e minoriteteve etj.

Një pakt që do të zgjonte interesin dhe bekimin e SHBA, sa kohë bashkë me rotacionin do të hapej një perspektivë e re në partnerishipin ekskluziv mes palëve dhe avancimin e interesave gjeopolitike të përbashkëta.

Një pakt i tillë do të zgjonte edhe votuesin më të përgjumur dhe do të rebelonte edhe votuesin më të truar për të refuzuar si fatalitet tmerrin pafund të izolimit alla ‘Rrip të Gazës’ që tranzicioni provokon.

 

Të mëdhenjtë të tregohen të tillë

Ndonëse ulja e spektrit opozitar në një tryezë është problematike pas ‘fjalëve të fundit të thëna që në fillim’ mes palëve, forcat opozitare sot kanë sfidën dhe shansin të lënë mënjanë betejën patetike për protagonizëm të ‘çelësave të kashtës’ dhe të bëjnë histori.

Përballë egos së pritshme për protagonizëm partiak dhe në pamundësi të thyerjes së akullit nga vetë politika, ftesa për një pakt për rotacion duhet të ndërmerret nga intelektualë dhe individë të shquar dhe reformatorë që qëndrojnë përtej interesave të politikës së ditës.

Nëse flitet për rilindje, është koha për rilindas dhe sfida ndaj emrave të shquar të letrave, artit, ish-presidentëve, mërgimtarëve patriotë, aktivistëve shoqërorë, ikonave të shqiptarizmit etj është dalja nga ‘guaska’ komode dhe investimi i fjalës, autoritetit dhe i veprës në shërbim të shoqërisë që i nderon kaq shumë por që tashmë ka nevojë për ta. Duke u bërë së bashku strumbullar të një tryeze të rrumbullakët ku të ftohen pa komplekse dhe pa paragjykime i gjithë spektri politik që aspiron normalitet demokratik, gjeneza e të cilit mbetet rotacioni.

 

Rotacioni si katalizator i integrimit

Rotacioni ka efekt direkt në procesin e integrimit europian. Tranzicioni, ky eksperiment i ribërë kaq herë dhe pengesë në integrimin drejt BE, ka si konstante të dy dekadave problematike lidershipin mazhoritar, shmangja e të cilës përmes rotacionit, do të ishte një premisë për më tej.

Vetë integrimi në BE është një sagë më vete për shoqërinë por me rotacionin dhe normalitetin demokratik më pas, ‘topi’ do të dilte nga fusha jonë dhe predispozicioni europian do të testohej seriozisht. Kjo, sepse për vende të tjera si p.sh. Serbinë, vërehet zell pro-integrim pavarësisht gjenocidit në Ballkan, qëndrimit ndaj Kosovës, pakicave etnike në Serbi, të zhdukurve gjatë luftës etj (njëlloj si të shpërblesh një grabitës sepse bindet dhe kthen pjesërisht mallin e vjedhur(!), ndërkohë që deri më tani ndaj nesh i është mëshuar ‘lupës’ fort ndonëse kombi shqiptar është paekuivok properëndimor dhe i prekuri i madh nga historia e padrejtë në favor të fqinjëve që ndodhen hapa para nesh. Skepticizëm ky që provokohet nga vetë qasja e BE ndaj votës së lirë, që ndërsa është përdorur si arsye për ngrirjen e integrimit, ngjason si alibi sa kohë ajo në finale certifikon abuzimin me të dhe vijon më tej partnershipin me dhunuesit e saj.

Faktor jetik në rikthimin e normalitetit demokratik mbeten SHBA dhe pakti opozitar për rotacion duhet t’i japë prioritet në axhendën e tij lobimit përkatës. Sikurse mesazhi hyjnor ‘ndihmo veten, të të ndihmoj’, shpresa tek mbështetja amerikane e ka zanafillën tek hapi i parë që i bie ta hedhë opozita e bashkuar. Me paktin për rotacion, shpresa shndërrohet në bindje pakthim dhe ‘muri’ i mazhorancës shndërrohet në kartonxhez që batohet vetë, pale më kur e zë edhe ‘shiu’ atlantik.

11 komente në “Murit me kokë apo diellin me shoshë!”

  1. urani says:

    Cfaredo qe te beje kete here e ka ngrene. Nuk ka me njeri qe beson tek Saliu, tani te gjithe presin fundin e tij sa me shpejt qe te jete e mundur. Ne 23 qershor Saliu ka nje takim me fatin e mjere te cdo diktatori qe shkel mbi kufomat e popullit te vet per tu mbajtur ne pushtet!

    1. gertjan says:

      Nuk e duron me populli Shqiptar kete regjim mbytes te Saliut.Do e debojme me 23 qershor nga politika.Eka keqqeverisur kete vend per 8 vite me radhe,po e le vendin ne kolaps total.Kjo e gjitha per faj te Saliut qe nuk qeverisi kurre per interes te shqiptareve.

      1. gjyshja says:

        Te gjithe jemi koshinte te majte e te djathte se ky vend ndodhet ne nje situate kritike nqa qeverisja mizerabel e vendit.Pra si fillim duhet te largojme kete qeveri pasi vetem keshtu mund te pretendojme te ngreme shtet te se drejtes shtet meritokratik jo klientelist.Te gjithe ne zgjedhje te heqim qafe njehere Saliun me kabinetin e tij qe nuk lane gje te zeze pa i bere ketij vendi e pastaj te progresojme.

    2. janaq says:

      Ceshtja primare qe shtrohet per popullin Shqiptar sot eshte nese do rrezojme Saliun e te shpetojme nga rrenimi ekonomik apo do fundosemi totalisht.Ajo qe i intereson popullit tash per tash eshte flakja tej e Saliut.

      1. shoku taras says:

        Te votojme te votojme te votojme per arsye se vetem keshtu mund te largojme te keqen tone te madhe e cial eshte Saliu.Nevoja urgjente eshte marrja fund e qeverisjes se tij.Ndaj shqiptare askush te mos qendroje ne shtepi diten e zgjedhjeve.

  2. arianita says:

    un besoj qe duhet patjeter vota masive, nuk duhet me populli te shiko padrejtesit e saliut!

    un personalisht jam nje kualicion mbas zgjedhor vetem me frd dhe jo me spahiun!! spahiu me duket kloni i saliut!! nuk duam me nje sali te dyt boll kemi 23 vjet qe e durojm!! me 23 qershor jan dy zgjidhje ose rrim ne shpi dhe shohim saliun si fiton zgjdhjet me vjedhje dhe na shkaterron dhe 4 vjet te tjera ose vota masive per ramen dhe frd!! sepse jan te vetmet parti serioze qe mund te bijn derman ketij populli!!

  3. dea says:

    Murit me koke ti bjere Berisha e nuk e fiton, edhe pse po mundohet ta mubuloje djellin me shoshe serisht nuk fiton…Rilindje

  4. cama says:

    kjo qeverisje e marrosur duket se do t’i perpije votat e qytetarve dhe te ardhemn e tyre , ajo me ngjan me nje narqiz te dashuruar me pamjen e tij. pamje e cila i sjell fatalitet,pra vdekje ne kete rast pd se pamja e saj e trisht i sjell vetvrasje politike

  5. Maksi says:

    ca do te qe bej sala ket here ska nga te shkoj , e pret ikja dhe me shume gjera te bukra si psh: Paraqitja ne Gjygj per tere gjerat , etj ejt qe ai normal si deshiron po ska nga te shkoj se na e ka sjell ne maj te hundes me tere vjedhjet qe ka bere . Nuk duhen keto palaco ne politiken ton , jemi ne nje kohe ku duhet te hecim vetem perpara sduam nte hecim mbrapsh ne nje erresire te madhe qe ky plehra po e krijon , Duhet nje person sic eshte Edi Rama

  6. ENI says:

    nje panorame e shkelqyer e realitetit

  7. Eri says:

    me kok jo po me grushta pse jo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje