Partitë politike nuk kanë marrë ende fondet për fushatën zgjedhore parlamentare duke shkelur afatin e vendosur në kodin zgjedhor. Në bazë të ligjit përcaktohet se fondi i përcaktuar për t’u shpërndarë i jepet secilës parti jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i listave shumemërore, apo kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore të partisë përkatëse.
Komisioni Qendror Zgjedhor edhe pse me vonesë miratoi para disa ditëve ndarjen e këtyre fondeve për fushatën e 23 qershorit, e megjithatë edhe pse kanë mbetur vetëm 12 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, ende subjektet politike nuk kanë marrë asnjë lek. Ndërkohë që Ministria e Financave shpjegon se fondi do të çelet urgjentisht sapo të zbardhet vendimi i Këshillit të Ministarve për një shtesë fondi për Komisionin Qendror Zgjedhor për këtë çështje, raporton Ora News.
Sipas drejtorit të politikave në Ministrinë e Financave, Dorian Teliti, në vijim të vendimit të parlamentit është përgatitur VKM për shtesë fondi, e cila pritet të zbardhet shumë shpejt duke bërë të mundur edhe dorëzimin e fondeve partive politike. Nga fondi prej 65 milionë lekësh të reja, PS-ja pritet të përfitojë mbi 26 milionë lekë, ndërsa PD-ja mbi 25 milionë lekë.
LSI pritet të përfitojë 3.1 milionë lekë të reja, PR 1.2 milionë lekë të reja. Me vlera më të ulëta vijojnë partitë e tjera të cilat kanë siguruar një numër më të vogël votash në zgjedhjet e kaluara. Pjesa e mbetur nga fondi 65 milionë lekë do t’u shpërndahet 53 partive të tjera politike. Të gjitha këto parti të mbetura do të marrin nga 61 mijë lekë./b.l