E ardhmja e Edgar Çanit në Itali duket se do të vazhdojë te jetë me skuadrën e Katanias. Në faqen zyrtare të klubit siçilian serviret një deklaratë e presidentit Pulvirenti, i cili konfirmon se për sulmuesin e kombëtares shqiptare ka hedhur poshtë një ofertë të një klubi të Serisë B, pasi vetë lojtari i ka kerkuar që të vazhdoje karrierën te Katania. Në të njëjtën linjë me numërin 1 të klubit të Katanias, është shprehur dhe menaxheri i futbollistit, Oberto Petricca, i cili ka konfirmuar se dëshira e Çanit është për të luajtur shanset e tij te sicilianët, pavarsisht konkurencës që ka në repartin e avancuar.
Sipas agjentit të Çanit megjithatë, klubi nuk e ka njoftuar klientin e tij për ndonjë ofertë nga Seria B, e cila mund të ketë qënë nga skuadra e Trapanit ose Avelinos. Petricca në deklaratën e tij nuk e përjashton sakaq mundësinë që futbollisti të marrë në shqyrtim në të ardhmen ndonjë ofertë të kënaqshme, që mund të vijë nga ndonjë klub i Serisë A, ose skuadër me emër e kategorisë së dytë. Gjithsesi, agjenti i Çanit shprehet se fakti që presidenti Pulvirenti ka shprehur dëshirën për ta mbajtur Çanin në skuadër, është një sinjal pozitiv se sulmuesi shqiptar, i transferuar te Katania në muajin janar, shihet me sy të mirë në klubin sicilian. Sezonin e kaluar Çani zhvilloi katër ndeshje me Katanian në Serinë A.