Zgjatën vetëm dy ditë thashethemet për transferimin e mundshëm të sulmuesit Antonio Di Natale te Milani. 35-vjecari refuzon ofertën e kuqezinjve pas takimit disa orësh me presidentin e Udinezes, Xhiampaolo Poco. Bomberi bardhezi konfirmon sërish se do të mbyllë karrierën me ekipin friulan. Pas “jo”-së që i dha Juventusit në vitin 2010, “Toto” ka refuzuar edhe kuqezinjtë, pasi duket se ka një “pakt zemre” me tifozët në Udine.
Di Natale e konsideron presidentin si një baba dhe nuk dëshiron të tradhtojë besimin e tij, duke theksuar se do të punojë për ta ndihmuar sa më shumë ekipin në të ardhmen. Gjatë 9 sezoneve me këtë fanellë, Di Natale ka luajtur 347 ndeshje dhe ka shënuar 185 gola, shifra të çmendura këto për një sulmues që për të katërtin sezon rresht kalon shifrën e 20 rrjetave personale.