Frika nga opozita e dhunshme apo nga vetë pozita e re?!

7 Gusht 2013, 19:16Blog TEMA

Nga Ben Andoni

 

Duken si momentet e fundit kalendarikë që kryetari de facto i PD-së, Sali Berisha, përbën vërtet lajm për median. Me kalimin e orëve, javëve, muajve në vazhdim, ai do të transferohet përgjithnjë në arkivin historik politik, ku e pret prej kohësh ish-lideri i PS-së, Fatos Nano. Megjithatë, në këtë fazë tranziti, ai e gjeti që ta ndezë dhe një fishekzjarr, sipas të cilës do të bëjë një opozitë të fortë, që media e ka kanalizuar si radikale. Anipse, nuk është mjaftuar me këtë, sepse deklaratës së vet i ka shtuar edhe faktin që s’ka kurrsesi ndërmend të drejtojë seancën e parë të Kuvendit si deputeti më i vjetër! Arsyeja për këtë vendim, sipas tij, është bërë cilësia e parlamentit të dalë nga vota e vjedhur! Thënie dhe kundërthënie. Por, a do të jetë një opozitë radikale ajo që do bëjë PD? Mendja të shkon vrulltas në ngjarjet e shtatorit 1998, kur kryeministria gjuhej me antitank, nga militantët e vet, por kazusi veç nuk është aspak i njëjtë. Atëkohë vrasja e Azem Hajdarit mjaftonte për të mobilizuar, kurse ajo që ndodhi dhe po ndodh me Partinë Demokratike, s’mjafton më as të mbajë flakëzën që gati po shuhet te PD-ja, prej marifeteve të zgjedhjeve të fundit brenda partisë. E fjalët e Berishës dikur, se punët i zgjidhte dhe me djemtë e Mamurrasit, nuk mjaftojnë përballë votave të 1 milion djemve kundër. Po për çfarë e ngre stekën kaq lart vallë? Një pjesë e artikullshkruesve në këto kohë piqen të gjithë në një vend. Ish-kryeministri po mundohet të ruajë pazhin e tij, kryetarin e ri të PD-së, nga përballja me dosjet e ‘Rrugës së Kombit’ dhe ’21 Janarit’ (për këtë të fundit ka edhe një këshillë të ditëve të fundit nga OKB-ja që ngjan si urdhër: duhet të mbarojë gjyqi), ashtu si pret që të ruhet për inerci familja e vet në lidhje me Gërdecin dhe çështje të tjera, të cilat drejtësia mund t’i merrte në shqyrtim këtej e tutje shumë lehtë me një ngacmim normal demokratik. Por, Berisha edhe pse e di mirë se humbja ka mësimet e veta po aq sa fitorja, po vepron ndryshe. Si gjithmonë fajin e transferon gjetkë, kurse përballjen me të vërtetën nuk e njeh. Po harron një gjë të madhe: kohën dhe tagrin. Koha nuk i jep më mund të bëjë akrobaci kurse tagri këtej e tutje do ta zhveshë nga vendimmarrja. Edhe lustra që shumë i bëjnë nga frika dhe jo respekti i vërtetë (veç pakëve syresh), pa aktin e vendosjes, nuk do ketë me forcë të bëjë asgjë, përveçse do të dëmtojë më tej PD-në. Jo më kot, njerëzit e vet, po i dalin një e një nga radhët. I fundit në radhë ishte Patozi, që edhe pse me doreza tha të vërteta të hidhura për partinë e vet, ndryshe nga ish-kryetarja e Kuvendit, Topalli që nuk flet qartë dhe që po bën pa ia kërkuar askush ‘të bindurën’. Me sa duket, stuhia që po ngrihet te PD do të ketë një kulmim të vet, ku prej saj do dalin të padëmtuar ata që patën kurajë të tregojnë të vërtetën dhe të shikojnë humbjen në sy… Kjo, është arsyeja që kjo tollovi e brendshme e bën të pamundshme hë për hë këtë rezistencë radikale që prezanton Berisha.

Dhe, qeveria e re që po vjen në fuqi, para se të mendojë për këto kanosje i duhet që të ulë pak radhët e gjata në dyqane të të vobektëve, të merret ashtu si duhet me administratën dhe të kthejë normalitetin e rendit. E, më shumë sesa të frikësohet nga këto fjalë kundër, të merret me njerëzit e saj të pushtetit vendor, që janë kthyer në pashallarë në qytete e tyre dhe i kanë transformuar këto qytete në vende të pabanueshme. Rastet e Vlorës, Sarandës, Durrësit e shumë komunave ngado, janë një shembull i madh për kryeministrin e ri që të tregojë sesa i fortë do të jetë në vendimmarrjet e tij, për të përcjellë pas hekurave kryetarët e komunave, bashkive, lloj-lloj shefash urbanistike, një rrjet të koklavitur mafiozësh, që e kanë përçudnuar vendin. Dhe, më shumë akoma, u duhet të mendojnë në përballjen me gjyqësorin, i cili do jetë ndryshe nga legjislativi dhe ekzekutivi, një organizëm që edhe për shumë kohë nuk do t’i hiqet etiketa e aprofesionalizmit dhe e shpërblimit partiak, që ka marrë deri më tashmë. Ashtu si shumë institucione që janë kthyer në shtojca politike, me mangësi të theksuara atributesh profesionale.

Jo më kot, zyrtarja e Bankës Botërore nxiti ekipin e ri qeverisës të Edi Rama, që të fokusohet më shumë tek rritja e besimit dhe besueshmërinë e institucioneve publike. Sipas Lvovsky-it, duhej transparenca e vendimmarrjes dhe të të dhënave, pavarësi të vërtetë për institucionet e pavarura, forcimin e reformave, rregullimin e qeverisjes qendrore kundrejt asaj lokale etj.

Kjo është sfida radikale e Pozitës dhe jo kërcënimi de jure i Berishës, që duket se nuk ngre më peshë. Anipse problemi i sotëm i Berishës dhe i njerëzve përreth është se sillen sikur PD-ja të jetë vetëm pjesë e tyre dhe jo aset i politikës kombëtar. Që do të thotë se të gjithë na intereson që truri i Opozitës së ardhshme të jetë i kthjellët dhe të mos shkojë në sintoni me shprehjet “Nuk i njoh zgjedhjet” dhe “Do bëjmë opozitë radikale”. Muajt, javët, ditët që do kemi përpara do të na bëjë t’i shikojmë të dyja kahet, por frika më e madhe mbetet te aftësia e Pozitës së re për të ndryshuar këtë djerrinë sesa në shprehjet e Berishës “së egërsuar” që tashmë do ketë vetëm petk historik por jo institucional. E, ndërkohë që skenarët e opozitës radikale i pëshpëritin gjithnjë e më shumë si thashetheme pak njerëz, që kanë humbur rehatinë dhe rrumpallën, sytë do jenë për hapat e parë dhe 100 ditëshin e drejtimit të qeverisë së Edi Ramës. Sa për Berishën, ai vërtetë, nuk do përbëjë më aq lajm sa deri më tani.

7 komente në “Frika nga opozita e dhunshme apo nga vetë pozita e re?!”

  1. Devolliu says:

    Saliu, ky k r i m i n e l, duhet t’i jepet Gjyqit, ndryshe s’ka rehat Shqipëria.

  2. luis says:

    Iku koha e trazirave dhe e dhunes kolektive.Jo Berisha por askush nuk mundet me te organizoje pa nje objektiv real dhe te arsyeshem revolta te dhunshme.Vetvrasjen ia beri vetes Berisha me 21 janar dhe askush nuk e ka ndermend me te vritet se duan politikanet.
    Analiste qe nuk shohin pertej hundes se tyre dhe flasin brockulla kur fare mire kuptohet nga te gjithe se sot shqiptaret e shumta mund te te durojne 4 vite po nuk bere pune si kush dhe te ndeshkojne me vote e jo me si dukur qe militantet ishin gati per revolta te dhunshme.Te fortit ne thonjeza kane ngene kokat e njeri tjetrit dhe pjesa tjeter me voten qe i dha Edi Rames do te mbeshtese fort sepse ka shpresen se do e ndryshoje kete gjendje per mire dhe ashtu do te behet.
    Neqoftese opozita kerkon ta beje nje gje te tille ajo ka per te demtuar vec vehten e saj dhe askend tjeter,prandaj jo me kot kane filluar te tregojne nepermjet Tritan Shehut se do jemi opozite konstruktive.
    Me Edi Ramen do marre fund rremuja pike se pari,korrupsioni,krimi ,pandeshkueshmeria dhe mbi te gjitha rritja e nivelit te jeteses do i jape atij shansin te jete per nje kohe te gjate kryeministri i ketij vendi.

  3. Vlora says:

    luli dhe berisha te dy kane frike nga hekurat dhe prendaj perpiqen qe ta friksojne poziten….

    dhenja e pd-se lulit eshte nje arsye domethenese qe ta shpetojne nga burgu,,,per te gjitha mekatet e tij qysh prej 2005-ses.

    dhe ketu pozita duhet te veproje me force(gjithmone po e la ilir meta)per tu dhene ndeshkimin qe 1 000 000 shqiptare presin.

  4. ndeshkuesi says:

    TE MENCURIT E PD -se TE DEMOKRATIZOJNE PD –ne . KJO DO TE ISHTE SHERBIMI ME I MIRE PER SHQIPERINE , TE LARGOHEN NGA BERISHIZMI . BERISHIZMI KAQ E PATI ………………!1

  5. Naim Frasheri says:

    Cfar frike duhet te kesh nga keta monstra ,Kapini dhe Futini ne Burg , Kurvat,se rrine vete urte , se keta Shpellare jane trima kur kane Shtetin qe te Abuzojne , ndryshe keta shesin edhe Grate e tyre ,ta japin Grun sa here te dush vetem nga Frika,Shkerdhatat.

  6. Pellumb zaimi says:

    Keshilla të mënçura percjell o ben andoni. Je gazetar qe e njeh me mire se kushdo shqetesimin popullor. E di mirë ku duhet të vejë gjuha. Por mua më shqetéson gjithnje mendimi se a janë te predispozuara qeveritë dhe pushtetaret per te degjuar keshillat e mençura te gazetareve. Pse te tyre? Sepse gazetaret jane barometri i vërtete i identifikimit te shkallës së pulsimit të perditshem te jetés se shqiptareve. Pushtetaret jane ne pergjithesi barometer difektoz. Keshille e mencur ajo e fillimit me reduktimin e listave te te vobegtéve! Sa shume që ka o ben!? Po a ecën demokracia kur prapa te ndjek vobegtësia…? Edhe keshillat e tjera i ke perzgjedhur me shume ménçuri. Por s’kam kohe te te jap ndonje opinion. Je i kendshem ne stil,i thelle ne permbajtje i superndjeshem ne ekzaminimin e semundjeve. Nuk e dija qe per kete te fundit gazetaret jane me te mire se doktorët!? Pershendetje!

  7. mergimtari usa says:

    Sali Berisha esht autari i nje mori njgjajesh me pasoja kombetare duke filluar nga viti 92 e ne vazhdim. THrjet destruktive qe po ben per mosnjohjen e zgjedhjeve dhe trazira tregojn se ky skizofren mbas humbjes te pushtetit kerkon jo vetem te pengoj punen normale te qeveris se re, por mundesisht te ngre ne protesta gjith kamikazet e tij, sic veproj ne 98 kur sulmoj e pushtoj institucjonet e shtetit. Prandaj edhe pse vuri ne krye te PD kollovarin lulezim Basha qe edhe ky esht betuar te ece ne rrugen e saliut. Nese kerkohet qe shqiperia te ket normalitet saliu duhet te hetohet sa me pare si koleget e tij ne Rumani, Itali, Krohaci, slloveni. ku president e kryeministra jane denuar per abuzime me pushtetin e korupsjon dhe jane mbrapa hekurave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje