Në këto 23 vjet të demokracisë së brishtë shqiptare, mundja e kundërshtarit politik është parë gjithmonë vetëm në garat elektorale që janë zhvilluar. Unë të munda ty në 1992-in; edhe unë të munda ty në 1997-ën; hahaha, po pse, unë s’të munda sërish në 2005-ën?; eh, kohë e shkuar ajo, të mundur që të bëra unë në 2013-ën!!!
Në fakt, mundjen politike të njërit apo tjetrit lider partie e bën vota popullore. Pa fuqinë e saj, asnjëri prej tyre s’vjen dot në pushtet. Sigurisht, janë këto liderë që shpalosin alternativat e tyre dhe vënë në dukje të metat e tjetrit e për këtë kërkojnë që populli t’i votëbesojë. Megjithatë, tek e fundit është populli, vota e tij, ajo që i ka ndihmuar ta mundin kundërshtarin.
Por, politikanët fitues të zgjedhjeve në këto 23 vjet janë mjaftuar deri në këtë pikë të mundjes së kundërshtarit dhe kanë harruar që pjesa tjetër, që nis me mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor që duhet të ndërtojnë, është ajo që bën diferencën mes tyre.
Ai që vjen në pushtet duhet ta ketë si një pasqyrë ku duhet të shihet çdo ditë, qeverisjen e paraardhësit. Në rastin konkret, për Ramën, keqqeverisja e Berishës duhet të mbetet busull orientimi sesi ai nuk duhet të humbasë koordinatat, në të kundërt, i bie të mbajë të njëjtin kurs lëvizjeje, i cili, në të shkuarën, ka qenë tabelë qitje prej tij.
Pra, kryeministri Rama dhe i gjithë ekipi i tij qeverisës, nga shtatori e tutje nuk duhet t’i përmendin më Berishës dhe as Partisë Demokratike se sa plebishitarisht i mundën. Mundja e vërtetë është kur të ballafaqohet qeverisja e Shqipërisë nën Berishën dhe ajo nën Ramën. Çfarë shteti ligjor, të drejtë e larg abuzimeve ndërtoi njëri apo tjetri; çfarë luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit bëri njëri apo tjetri; çfarë roli luajti për të rritur mirëqenien e popullit dhe zhvillimin e vendit në të gjitha drejtimet njëri apo tjetri; çfarë transparence në vendimmarrje, në shpenzimet qeveritare, në të dhënat mbi realitetin ekonomik, të varfërisë, e papunësisë ofroi njëri apo tjetri; çfarë standardesh për të përafruar sa më shumë vendin me Evropën zbatoi njëri apo tjetri, e kështu me radhë.
Në këtë kuptim, sfida “të munda apo më munde”, duhet të kanalizohet te ballafaqimi i dy modeleve qeverisëse, në të kundërt, mësimi ndëshkues që mori Berisha më 23 qershor vlen për çdo qeveri që vjen tani e tutje pas tij.
Kur zgjidhja e problemit mbetet në dorë të… kryeministrit
Ende i kam të freskëta në kujtesë ato “Town Hall”-et e Berishës gjatë fushatës së fundit elektorale. Në jo pak raste, në to merrnin pjesë edhe individë që deklaronin se kishin udhëtuar me dhjetëra kilometra nga zona të thella vetëm e vetëm të takonin kryeministrin e ardhur për fushatë në qarkun e tyre. Dhe, shkak i këtyre udhëtimeve të gjata për të takuar të parin e qeverisë ishte fakti që, sipas tyre, ata nuk i kishin gjetur dot zgjedhje problemeve të tyre. Duke filluar nga drejtoritë rajonale e deri në dikasteret qendrore, këta individë kishin parë veç sorollatje e burokracira që i hidhnin si top nga njëri te tjetri, dhe më së fundi, të vetmin shpëtim e gjenin te fjala e kryeministrit.
Besoj i mbani mend se si ai mbante shënime, bile, në ndonjë rast që kishte përbri edhe ministrin e linjës, ia linte detyrë për zbatim. Në ato raste kur problemi ishte i pandërlikuar, porositë e tij gjenin zbatim të menjëhershëm.
Problemi që lind në këtë mes është ai midis një administrate të paaftë, burokratike dhe të mefshtë (për të mos thënë, të korruptuar) dhe kultit të individit që ngrihej për Berishën si njeri që vetëm ai t’i zgjidh hallet.
Nuk mund të mos fshihej një farë ngazëllimi i Berishës sa herë dikush ia vinte në dukje që vetëm te ai ka besim, se vetëm ai të mbaron punë, se vetëm ai… , ndërkohë që kjo situatë duhet të bënte që Berisha të skuqej prej turpit se si është e mundur që zgjidhja e problemeve të qytetarëve të shtetit që ai qeveris të mbetej vetëm në dorë të tij?!
Duke u nisur nga kjo problematikë, do uroja që qeveria e ardhshme dhe veçanërisht kryeministri Rama, të ngrinin një administratë të zhdërvjelltë, të shkathët, të përgjegjshme e të aftë profesionalisht, e tillë që çdo qytetar hallin a problemin që ka, ta zgjidhë pa shkuar deri te kryeministri, por në sportelet e institucioneve pranë qarqeve a qyteteve ku banon, sipas rastit.
Delegimi i kompetencave dhe përgjegjësive niveleve më të ulta do të shmangte në maksimum sorollatjet lartë e poshtë të qytetarëve. Edhe ngritja e një sistemi dixhital do ndihmonte shumë në këtë drejtim. Çdo çështje e paraqitur nga qytetari të kalojë sipas specifikave (në formatin online) në linjë vertikale nga poshtë- lartë e anasjelltas dhe brenda një afati të arsyeshëm që lë gjurmë në sistem, ai të marrë përgjigje, pse jo, edhe duke mos u paraqitur vetë në sportele.
Kjo kërkon padyshim një investim si në burime njerëzore, ashtu edhe në teknologji. Por, nëse mendojmë se më 23 qershor Shqipëria u shkëput nga modeli i dështuar Berisha, atëherë le të jetë ndryshimi i këtij modeli një ndër sfidat më interesante që duhet të bëjë qeverisja Rama.
Ja sugjerimi se si do e mundë Rama Berishën:
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/e-kane-zgjedhur-vete.html
Marmallates i ka ikur koha. Burgun le ta vendosin gjykatat dhe prokuroria. Edi Ramen e ka votuar populli si te vetmen shprese, ndersa Ai ben ‘xhiron’ neper Europe si nje MARKE per Shqiperine, llumnaja germon per ti levizur guret e themelit ketu brenda….
Ismail Qemali para 100 vjetesh beri te njejten gje. Bridhte neper Europe ndersa bashibozuket e gerryenin nga brenda. Historia perseritet por ama ne forme spiraleje dhe Shqiperia ne 2013 eshte ne ngjitje domosdoshmerisht…