Të jesh kryetar i PDK-së

7 Gusht 2013, 20:38Blog TEMA

Historik apo lokal, të jesh kryetar i PDK-së sot, do të thotë të bësh betejë me opozitën, meritokracinë e brendshme, me defektet qeverisëse dhe me një koncept të vështirë reformues brenda partisë

Nga Baton Haxhiu

 

Kur u zgjodh Hashim Thaçi kryetari i Partisë Demokratike së fundi, është hapur një dilemë false se a është më e rëndësishme partia, qytetari i saj apo të jesh president i Kosovës.

Sigurisht se janë të rëndësishëm edhe të jesh president i Kosovës edhe të jetë i rëndësishëm qytetari, por edhe partia. Dilema politike është se si të ndahen këto kategori.

Partia Demokratike e Kosovës është e krijuar mbi themelet e luftës dhe për shkak të natyrës së saj, ka qenë më shumë e koncentruar ta ekuilibrojë politiken në atë mënyrë sa të mos shprehet shpeshherë qartë a është duke i shërbyer qytetarit apo meritokracisë së saj të luftës.

Por qytetari i Kosovës, në raste jo të rralla nuk ka gjetur mbështetjen më të fortë te PDK-ja.

Por tani që PDK-ja e ka pushtetin për gjashtë vjet, qytetari i Kosovës duhet të bindet se partia është duke punuar që të reformohet dhe riforcohet për ta mbushur zbrazëtirën e krijuar me qytetarin, për shkak të kohës së tepërt dhe privilegjeve që i ka dhënë meritokracisë së saj.

Partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, gjithashtu tani ka punë me veten të mbetet unike, e përkushtuar dhe e vendosur rreth një programi të qartë dhe këndellës apo të vazhdojë me të vjetrën.

Një betejë është humbur: Beteja me meritokracinë e luftës sepse sa më shumë që i është dhënë atyre, aq më tepër kanë kërkuar. Dhe koha që ka mbetur – dhe nëse nuk dëshirojnë të jenë në opozitë – duke mbajtur dëshirën që të mbeten faktor – dhe të punojmë për qytetarin, duhet të jenë shumë bindës që nesër të bëhen faktor tërheqës për shumicën.

Një pjesë e qytetarëve, votuesve të kësaj partie mund ta ndëshkojnë Partinë Demokratike, nëse nuk punojnë që t’i riparojnë gjërat, që në një mënyrë a tjetër janë në rrugë të mirë për të shkaktuar këtë ndëshkim.

Nëse PDK-ja nuk ikën nga vazhdimi i shpërblimeve për meritokracinë e saj, duket se do të jetë gati e sigurt se nuk do të jetë kjo hera e parë që PDK-ja do të jetë opozitë.

Kjo parti ka pasur përvoja opozitare të periudhës 2004-2007, pas një krize që pati kapluar Kosovën, dhe atëherë kjo parti diti të mbajë dhe forcojë partinë, dhe të punojë për rimëkëmbjen.

Sot kushtet nuk janë të njëjta, tranzicioni i pushtetit do të bëhet pa tensione dhe gjendja është gjithsesi më e qetë. Dhe njerëzit nuk frikohen nga askush.

Përkundrazi, pritjet nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të janë më të mëdha, dhe si parti duhet ta dinë se si duhet të përballohen me sfidat.

Pyetja që shtrohet është: se a duhet ta rikthejnë përvojën opozitare, dhe përvojën e reagimit në situata të reja, për t’i treguar qytetarit se janë parti që ka mësuar nga gabimet dhe tani i dëgjon me kujdes kërkesat e qytetarëve, apo duhet të dalë në opozite që të shërohet nga ndjenja e superioritetit dhe pastaj duke reflektuar t’i kthehet qytetarit.

Dilema kryesore e PDK-së, gjithashtu, është zgjedhja e zëvendësuesit të Hashim Thaçit. Kjo është një sfidë që mund ta godasë sërish dhe ta dobësojë si parti edhe më shumë. Pastaj, çështja e kandidimit për kryetar të Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit, sigurisht që është sfidë më e madhe se gjithçka tjetër sepse të tri qytetet kërkojnë politikanë të denjë për të qenë udhëheqës i këtyre komunave. Sepse këto tri komuna janë edhe moment kryesor i humbjes dhe fitores në zgjedhjet e përgjithshme.

Por, gjithashtu, duhet të thuhet me sinqeritet se sot, për këtë parti është momenti më i mirë që të largohet nga ideja se piketimi i njeriut vjen nga burokracia dhe nuk vjen nga qytetari të jetë në krye si shpërblim për të kaluarën e keqe. Është shumë e rëndësishme për PDK-në, dhe është njëri ndër momentet më të rëndësishme për këtë parti dhe sfidues gjithashtu, sepse në të kundërtën e gjitha do të reflektohet menjëherë dhe pa pardon edhe për pushtetin qendror.

E kemi përjetuar këtë edhe gjatë kohës kur ka dominuar LDK-ja dhe ka qenë në krye të pushtetit duke mos pasur dëshirën më të vogël që të jetë afër qytetarit. Arsyeja e parë ka qenë arrogance dhe e dyta nuk ka pasur kapacitete menaxhuese.

Nëse kryetar i PDK-së, edhe pas kësaj përvoje, mbetet, edhe më i dobishëm vetëm për meritokracinë e partisë dhe orientohet të mos e dobësojë ambicien e tyre, i dëshirojmë që të përgatitet të jetë opozitë e fuqishme. Me shumë gjasa që këto zgjedhje lokale t’i humbin, duke vështirësuar edhe më shumë pozitën për zgjedhjet e përgjithshme.

Nuk po e bëj këtë kalkulim për ta eliminuar meritokracinë e kësaj partie dhe dikush të ndikohet nga ky shkrim, por po përshkruaj vetëm atë që qytetarët thonë dhe gjithashtu e shtroj thjesht si një çështje analitike që mund ta dëmtojë dhe ta çojë PDK-në në opozite të sigurt.

Beteja eventuale e hershme për Prishtinën dhe ndonjërën nga komunat e mëdha, që me gjasë do ta kenë të humbur, ka gjasa që do ta faktorizojë edhe më LDK-në dhe ndihmojë fitoren e saj në zgjedhje të përgjithshme.

Duke u treguar “të pabesë” në një moment të gjithë ata që kanë qenë afër PDK-së, do të ikin nga PDK-ja dhe do të fuqizohej edhe më shumë LDK-ja, duke rritur votën dhe ndikimin në kryeqytet dhe në ndonjë qytet të madh. Në të njëjtën formë të politikës, kjo fitore lokale do ta vështirësojë rimëkëmbjen e PDK-së, duke thelluar ndjenjën e defetizmit të një pjese të zhgënjyer të elektoratit – në zgjedhjet e përgjithshme. Kjo pasojë nuk do të ishte aspak favorizuese për ambiciet e PDK-së që në vitin 2014 të konkurrojë fuqishëm për ta ruajtur pushtetin.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)

2 komente në “Të jesh kryetar i PDK-së”

  1. Arber Iliri says:

    Analize objective dhe visionare.

  2. lili says:

    Lol !
    Tash qe edhe gomari e ka kuptuar se kjo qeverisje nuk ka me mbeshtetjen e popull,po na d’El analisti me shkruar ate qe ka dal fushes!
    Plume per analista si ky:ne kohen e luttes ishte me stanishiqin,ne kohen e uckse ishte me rugoven,ne kohen e VV eshte me peine,dmth gjithmone bije tren vonese ky analisti mbas pazarit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje