Erjon Bogdanit nuk i ka ngelur hatri që nuk është ftuar nga trajneri Xhani De Biazi për dy ndeshjet e radhës, kundër Sllovenisë dhe Islandës.
Futbollisti pa kontratë, ka akoma mundësi zgjedhje të një ekipi meqë është lënë i të lirë për të zgjedhur të ardhmen me qetësi, edhe pse merkato ka përfunduar, është edhe ai, Erjon Bogdani. Sulmuesi shqiptar, që ka luajtur vetëm disa ndeshje me përfaqësuesen e lojtarëve pa kontratë dhe është stërvitur pikërisht me ata, në mënyrë të veçuar, nuk ka mbetur aspak i zhgënjyer nga fakti se nuk është pjesë e listës së 28 futbollistëve që do të udhëtojnë sot për në Slloveni. Përkundrazi, ja se si e shpjegon ai këtë përjashtim që është bërë: “Nuk mund të quhet zhgënjim nga ana ime. Fakti është se jam jashtë forme dhe pa ritmin e duhur të ndeshjeve. Në këtë gjendje s’mund të vija me Kombëtaren, sidomos tani që bëhet fjalë për të dhënë kontributin në dy ndeshje kaq të rëndësishme, historike do të thoja.
Por, i uroj shokëve shumë fat dhe që të marrin më të mirën në këto ndeshje. Rruga për në Botëror ka mbërritur drejt fundit dhe duhet ajo sforco finale. Sigurisht, në të tilla situata të duhet edhe fati, por ne kemi treguar se jemi një grup i bashkuar dhe se jemi një skuadër që ka shumë alternativa”, tha sulmuesi. Duke folur më pas për komplimentet e Mavrajt, që e konsideron si të vetmin e pazëvendësueshëm, përgjigjia e Erit ka qenë: “E falënderoj jashtë mase Mavrajn për fjalët e mia që ka thënë për mua dhe unë gjithashtu i uroj rikthim sa më të shpejtë, pas dëmtimit”.
Duke folur më pas për të ardhmen e tij, Bogu ka pranuar se ka pasur dy oferta konkrete: “Më kërkon Leçe, por edhe Siena. Tani duhet të bëjë disa vlerësime dhe them se pas tre, apo katër ditësh do të kem vendosur. Te Leçe më ofrojnë më shumë para se tek Siena, por nuk është çështje parash, por shumë garancish teknike. Tek Siena ambientin e njoh më së miri”