Foto: Jutta Benzenberg
Nga Edi Rama
Si sot, në të njëjtën datë, 11 shtator, viti 2001, një kërpudhë tymi, e zezë me bisht të zjarrtë, u ngrit befasisht në qiellin e botës dhe e zaptoi të tërin.
Mbiu dhunshëm duke çelur një gropë të madhe gjaku e hiri mu në zemrën e botës së lirë, ku ne të gjithë jetojmë, pavarësisht dallimeve tona.
I zu vendin, me pahirin më të madh, që mendja mund të rrokë, dy kullave binjake – godinës më të lartë të Amerikës – dhe duke qëlluar Amerikën nga lartësia marramendëse e një urrejtjeje gjakatare, goditi rrufe krejt botën tonë.
Qysh atë ditë, bota jonë s’është më ajo pa armiq që njihnim pas Luftës së Ftohtë. S’është as ajo me armiqtë që historia e saj ka njohur gjatë Luftës së Parë apo të Dytë. Jetojmë në një luftë të re, ndoshta më e frikshmja deri më sot për nga natyra e armikut, për nga format perverse të shfaqjes së tij – herë si profet e herë si ushtar, herë si tribun e herë si diktator, herë si martir e herë si turmë.
Të vrarët e 11 shtatorit janë edhe të vrarët tanë.
Të vrarët në çdo front të kësaj lufte janë edhe të vrarët tanë.
Edhe të vrarët e 21 gushtit prej armëve kimike në Siri, janë edhe të vrarët tanë.
Eshtë një luftë, që për aq sa na takon, në shkallën shumë modeste të madhësisë e të peshës sonë gjeografike apo ushtarake, ka qenë dhe do të mbetet edhe lufta jonë.
Ne do të jemi krah për krah Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë, kundër çdo forme perverse të shfaqjes së këtij armiku të pamëshirshëm të lirisë, demokracisë, bashkëjetesës paqësore të besimeve dhe etnive.
Sepse ky armik, ka dalë nga errësira më e thellë e barkut të urrejtjes njerëzore, jo për të vrarë dhe goditur një vend apo një popull më vete, po për të shkatërruar çnjerëzisht mbarë botën e lirë dhe krejt ekzistencën tonë kështu siç e duam, në këtë botë ku liria s’është dot e përhershme nëse mbrojtja e lirisë s’është e përditshme.
Ja pse dua ta përsëris, sot, që në krye të kësaj fjale dhe nën të gjithë peshën e përgjegjësisë që ndjej ndaj Shqipërisë e shqiptarëve këtu, në këtë foltore, atë që pas barbarisë kimike të 21 gushtit mbi fëmijë, gra, pleq e burra të pafajshëm të popullit sirian, kemi thënë njëzëri, si unë si paraardhësi im dje në detyrë:
Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim, çdo vendim që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të marrë në frontin e kësaj lufte globale dhe, pa asnjë fije dyshimi edhe çdo ndërhyrje ushtarake që Shtetet e Bashkuara mund ta shohin të udhës të ndërmarrin për të ndëshkuar Kasapin e Damaskut.
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar hirësi klerikë,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuara deputete e deputetë,
Të nderuara zonja e zotërinj të ftuar,
Fort të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë kudo ku jeni,
Po bëhet dalëngadalë çerek shekulli prej dhjetorit të vitit 1990, kur Shqipëria rinisi udhëtimin e ndërprerë forcërisht, drejt Perëndimit.
Qysh atëherë s’ka fije dyshimi se kanë ndryshuar shumë gjëra.
Falë lirisë.
Falë energjisë së jashtëzakonshme dhe dhuntive të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.
Falë pse jo, edhe atyre punëve të mira që të zgjedhur apo drejtues e punonjës, në çdo nivel, kanë bërë në tërë këto vite në detyra shtetërore – përgjatë një rrugëtimi për ndërtimin e shtetit demokratik që rezultoi, shumë herë më i vështirë se çfarë e parafytyronim në çastin magjik, të shembjes së regjimit komunist dhe të thirrjes gjithëpopullore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.
S’ka dyshim se kur sheh mbrapa jo pak gjëra kanë ndryshuar aq shumë, sa duket sikur s’kanë ekzistuar kurrë siç i mbajmë mend.
Por s’ka dyshim edhe se jo të gjitha ndryshimet i kanë ndodhur për mirë trupit, shpirtit, mendjes, kujtesës dhe imagjinatës së Shqipërisë që rrugëton për t’u ribashkuar me Europën.
Ashtu sikundër s’ka dyshim, besoj, se ndër gjërat që nuk kanë ndryshuar qysh nga ora e atij dhjetori historik, mbetet aspirata e papërmbushur e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për demokracinë e çdo dite; për cilësinë, forcën, qëndrueshmërinë që ka demokracia e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, kur duhet të sigurojë liritë e të drejtat e qytetarit shqiptar; kur duhet të mbrojë interesin kombëtar, publik e vetjak të tij; kur duhet të garantojë sigurinë dhe pronën e tij.
Jo liria që e kishin fituar në dhjetor; jo pluralizmi që e kishin garantuar që në marsin e parë pas Lëvizjes së Dhjetorit; jo rruga drejt Bashkimit Europian e NATO-s që populli i tërë e kishte zgjedhur në orën e parë të lirisë, dhe të tëra partitë e kishin miratuar pa ekuivok në programe; po pikërisht, aspirata për demokracinë e çdo dite, çoi në revolucionin me votë të marsit të dytë të lirisë, në vitin 1992.
Po kjo aspiratë, e pandryshuar në thelb sepse e papërmbushur në kohë, i çoi shqiptarët drejt kutive të votimit edhe në 23 qershor.
E njëjta aspiratë për demokracinë që duhet të funksionojë për qytetarin përmes institucionesh në shërbimin e tij; e njëjta domosdoshmëri mirëfilli jetike për shtet që mbron jetën dhe pronën e qytetarit; e njëjta nevojë që ligjet të mos jenë letra, rregullat të mos vlejnë vetëm për më të dobëtit, suksesi i fëmijëve të mos varet nga mbiemri, vendi i punës të mos lidhet me biografinë apo dialektin, liria e tubimit të mos paguhet me bukën e gojës; e njëjta shtysë e brendshme për të rivënë në vend, dinjitetin e nëpërkëmbur nga vrasjet e përqeshura, dokrrat e pambarimta, dështimet e pashembullta; e njëjta revoltë në zemër për sukseset imagjinare, gënjeshtrat shumëvjeçare, dyfytyrësinë spektakolare; po edhe e njëjta ndjenjë përgjegjësie, për të tatëpjetën e rrënimit të vendit dhe rrënimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e botës e të miqve ndërkombëtarë; bënë që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi t’i japin jetë paqësisht me votë, ndryshimit të dytë të jashtëzakonshëm politik në këto dy dekada liri.
Përsëri edhe njëherë, aspirata e papërmbushur për demokracinë e çdo dite, bashkoi në kutitë e votimit Veriun me Jugun, socialistë me demokratë, aktivistë me indiferentë; solli në rrugën drejt zgjedhjeve shumë gra e të rinj – po dhe shumë familje emigrantësh në kërkim të kohës së mirë të atdheut; vuri në jetë një proçes elektoral që megjithë institucionet groteske dhe prirjen tradicionale të pushtetit për të manipuluar rezultatin, u kthye në erën imponuese të një ndryshimi të paqtë po radikal.
E së fundi, njësoj si në marsin e vitit 1992, Shqipëria s’u nda në dy blloqe nga një diferencë e vogël, po u bë bllok masiv për të vulosur me votë të lirë, një ndryshim historikisht të domosdoshëm dhe absolutisht të pakontestueshëm për të ardhmen e saj.
Këtë pasqyrë të historisë së re, nuk dua t’jua vendos përpara të humburve të 23 qershorit.
S’është as qëllimi im sot dhe as vizioni im për qeverisjen e katër viteve të ardhshme, që të marrim kohën e punëve të panumërta të qeverisë dhe kohën e shqiptarëve që na votuan për shumë punë e pak fjalë, duke i bërë karshillëk opozitës.
Unë besoj se shqiptarët na votuan ndër të tjera, edhe për t’i dhënë fund atij karshillëku banal ndaj opozitës që mori jetë për vite me radhë në këtë foltore, e në këtë sallë.
Pasqyra e historisë së re na vlen në radhë të parë ne, fituesve, për të mos e harruar asnjë çast se thellësinë e fitores së 23 qershorit, njësoj si atë të marsit ’92, nuk e përcaktoi dëshira për t’u ndërruar njerëzve vendet në këto karrige.
As dëshira për të ndërruar kryeministrat e ministrat apo partitë e djathta e të majta, me njëra-tjetrën në pushtet. Jo! Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë – duke nisur padyshim nga ndryshimi i modelit qeverisës.
Ja pse sot unë vij për ta marrë detyrën e lartë me ndjenjën e një përuljeje që ndoshta, nuk do ta kisha pasur kaq të thellë pas një fitoreje të zakonshme në përmasë e në përmbajtje.
Ja pse vij me vullnetin për ta mbajtur larg nga kjo shumicë e re qeverisëse në këtë sallë, çdo ndjenjë triumfalizmi, çdo shfaqje arrogance ndaj pakicës, çdo shprehje mendjelehtë të inercisë në rrugën e vjetër të përbuzjes ndaj përfaqësuesve të opozitës.
Ja pse vij i përgatitur për t’i thënë opozitës, drejtpërdrejtë në sy se, marr sot përsipër përgjegjësinë të sigurojmë që asgjë që neve vetë, na u mohua deri dje në opozitë për shkak të qeverisë së vjetër, nuk do t’i mungojë më tej opozitës për faj të qeverisë së re.
Unë besoj se, në fund të fundit, cilësia e bashkëjetesës demokratike të çdo dite nuk varet assesi nga fakti nëse biem ose jo dakord, por nga mënyra se si e jetojmë mosdakordësinë.
Duke u dëgjuar edhe pa rënë dakord apo duke u sharë pa u dëgjuar?
Duke respektuar tek tjetri kundërshtarin apo duke parë tek njëri – tjetri armikun?
Duke ndërtuar me durim kulturën e gjithëpërfshirjes apo duke ushqyer sa herë të vijë rasti dhe të ndizet mikrofoni traditën e dasisë?
Në fund vendos gjithnjë shumica, po është cilësia e bashkëjetesës ajo që ndryshon.
Me këtë besim dhe në respekt të çdo zgjedhësi të pakicës, unë e ftoj dhe mbështes Kryetarin e Kuvendit që të vigjilojë me paanësi nga lartësia detyruese e funksionit që mban, për të mos e lejuar vazhdën tradicionale të nëpërkëmbjes brutale të opozitës në këtë sallë.
Jam i bindur se me zgjedhjen e tij, dje, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, koha e ndërhyrjeve pa vend, fyerjeve pa shkak, batutave pa shije nga ajo lartësi drejt deputetëve në sallë dhe publikut në ekran ka perënduar përgjithnjë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Në radhë të parë për opozitën. Ashtu siç duhet të jenë të gjithë të bindur se është këputur, përgjithnjë, shiriti i pambarimtë i fjalimeve kryeministrore pa fillim as fund dhe ka perënduar edhe koha, kur kryeministri ndërhynte pas çdo deputeti të opozitës me librin e shtëpisë së tjetrit në dorë. Edhe ky është një lajm i mirë për të gjithë, sidomos për opozitën.
Si për ironi të fatit të vet, Partia Demokratike po fillon jetën opozitare me një kryetar që s’e ka deputet, po kryetar bashkie të Tiranës.
A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk i’a ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pa kursim në një mallkim që e ka lënë sot si pa kokë? Po sidoqoftë kjo nuk mund të bëhet çështja jonë.
Ne nuk kemi ardhur në këtë kuvend për t’i kërkuar opozitës ku e ka kokën, po për t’i ngritur Shqipërisë kokën lart.
1 milionë njerëzit që i dhanë jetë kësaj shumice të re, nuk votuan për të na ndarë ne, këtu, në fitues dhe në humbës, po për të mos mbetur ata vetë të humburit në inercinë e një lirie të zhveshur prej kuptimit të saj; një lirie ku në vend të demokracisë së çdo dite, njeriut të zakonshëm i kanë mbetur egërsia, pasiguria, padrejtësia që çdo ditë sjell me vete; familjes së zakonshme i ka mbetur ankthi që rritet përreth nga varfëria, papunësia, grabitjet dhe vrasjet; Shqipërisë së zakonshme i ka mbetur vala e një shkatërrimi epokal mu në kurrizin e vet, që përpin përditë tokë buke, shtretër lumenjsh, pyje, plazhe, kodra, monumente kulture, si të ishte luhej një film i projektuar nga armiqtë më të betuar të këtij vendi.
Ne jemi votuar për t’i dhënë në këtë vend lirisë së njeriut, familjes, atdheut, kuptimin jetik të demokracisë së çdo dite dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve cilësinë demokratike të respektit të shumicës për pakicën.
Ne besojmë se zanafilla e kësaj përpjekjeje është e do të jetë këtu, në këtë sallë, ku lirisë për të folur, replikuar, votuar, do t’i japim për katër vjet me radhë kuptimin e demokracisë parlamentare si shëmbëlltyra e prekshme e demokracisë në tërësi.
Do ta bëjmë këtë duke dëgjuar me vëmendje të madhe çdo qëndrim të opozitës, duke e respektuar atë me respektin më të madh për veten, duke i krijuar asaj vijimësisht hapësira për t’u bërë pjesë e vendimeve të këtij Kuvendi.
Por të jetë e qartë për të gjithë:
Ne do të dëgjojmë, po do të udhëheqim.
Ne do të dialogojmë, po do të marrim vendime.
Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera, po do të qeverisim me vlerat dhe me bindjet tona të shpallura.
Ja vlerat tona:
Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës.
Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit;
Solidariteti me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale.
Ja edhe bindja jonë:
Shqipëria meriton më shumë.
Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që e kanë lidhur këmbë e duar dhe po e mbysin.
Nuk e meriton Shqipëria as renditjen në fund të çdo tabele ndërkombëtare për standardet e jetës së shqiptarëve dhe të shërbimeve publike për qytetarët e saj.
As imazhin e rënduar si mos më keq në tërë këto vite, kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë jo natyrë, radhë jo zakon, vend jo model, nuk e meriton Shqipëria.
Shqipëria meriton më shumë sepse ka gjithçka i duhet që ky popull, të jetojë në një ekonomi normale, një shoqëri të sigurt, një vend të denjë mes të barabartësh në tryezën e Familjes së Bashkuar Europiane.
Shqiptarët meritojnë më shumë, sepse mund të bëjnë shumë më shumë, nëse kush flet, vendos dhe vepron në emër të tyre, nuk sheh thjesht interesat e punët e veta; nëse kush qeveris nuk i ndan dhe përçan për t’i sunduar, po i drejton me forcën bashkuese të shembullit; nëse kush bën dhe miraton ligje e rregulla nuk është shkelësi i parë i tyre, po i pari që ligjeve e rregullave u nënshtrohet pa kushte.
Ne jemi këtu për të bërë për Shqipërinë atë që atdheu ynë dhe bashkëqytetarët tanë pa dallim, meritojnë në katër vitet e ardhshme.
Vizioni ynë është Një Rilindje Shqiptare.
Misioni ynë është të ecim më shpejt, për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.
Funksioni ynë është mirëqeverisja për të përmbushur zotimet tona duke vënë në jetë, me kurajë dhe vendosmëri politika të reja dhe duke i dhënë jetë, një kulture të re të ushtrimit të pushtetit.
Zonja dhe Zotërinj,
Anomalia e tranzicionit ekskluzivisht shqiptar të pushteteve në rast rotacioni, krijoi qysh prej 23 qershorit një vakum shumë problematik.
Inercia e keqqeverisjes u kthye në një sprint vendimesh, privatizimesh, shpërblimesh.
Pa asnjë të drejtë morale.
Pa asnjë legjitimitet politik.
Pa asnjë sens etik.
Me legjitimitetin e pushtetit moral të popullit sovran, kemi kërkuar publikisht, qysh në fillim, seriozitet dhe vetëpërmbajtje nga ana e qeverisë në ikje.
Kemi paralajmëruar anulimin e çdo vendimi që do t’i binte ndesh këtij legjitimiteti dhe vetë interesave të publikut.
Fatkeqësisht, zëri i arsyes sonë ka rënë në vesh të shurdhër dhe fatura e cenimit të interesit publik në këta muaj është shumë e lartë. Por fatmirësisht, koha e ndërmjetme ka mbaruar dhe është koha jonë të fillojmë punën, për të lidhur fjalët me veprat.
Dua të jem i qartë në këtë pikë për raportin e shumicës së re dhe të qeverisë sonë, me dëmet e kohës që iku:
Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pa gjykuara që janë bërë.
Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës.
Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre.
Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij.
Mandati ynë na është dhënë për të bërë transparencë të plotë, të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion e krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur.
E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pronat e shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në kuvend.
Jo për të zhbërë gjithçka që është bërë, po për të mos lejuar që ç’është bërë keq për vendin apo për shqiptarët e pambrojtur, të mbetet keq dhe të përsëritet pastaj edhe më keq në dëm të vendit apo të njerëzve të pambrojtur; jo për të goditur biznesin, po për të nisur demokratizimin e ekonomisë dhe marrë në mbrojtje interesin e publikut; jo për të dekurajuar investimet e huaja me politika antiglobaliste, po për t’u dhënë fund praktikave antishqiptare të lidhjes së fatit të investimeve të huaja, me oxhakun e shtëpisë time.
Ne, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, nuk kemi padyshim as mandat për të bërë sehir rrënimin e sistemit të drejtësisë në këtë vend.
I yni është një mandat që na është dhënë, qëllimisht, i blinduar nga populli Sovran, deri në pragun e shumicës së cilësuar; për të bërë me vizion, kurajë, ritëm të lartë, reforma të mëdha të shtetit dhe për të mos i ngritur duart lart para popullit që kërkon drejtësi, duke u mjaftuar me shprehjen “prokuroria është e pavarur, gjykatat janë të pavarura”.
Sigurisht, që organet e drejtësisë janë të pavarura sipas Kushtetutës së Republikës sonë. Po fati i përpjekjes për një drejtësi të drejtë, varet padyshim edhe nga parlamenti, edhe nga qeveria, edhe nga vet shoqëria po e po.
Ne do ta bëjmë Kuvendin dhe qeverinë pjesë shumë aktive të kësaj përpjekjeje, për shqiptarët, po edhe për vendin tonë në Familjen Europiane – ku s’do të ketë vend për ne në tryezën e të barabartëve, nëse s’do bëhemi të barabartë para ligjit këtu, në këtë vend.
Dora jonë e bashkëpunimit me pushtetin gjyqësor do të jetë e shtrirë pa kushte.
Në katër vitet që vijnë, opinioni brenda sistemit të drejtësisë do të dëgjohet me respekt për çdo vendim ose reformë, që lidhet me mirëfunksionimin e prokurorisë apo gjykatave.
Ne do të bëjmë çmos që t’i mbështesim organet e drejtësisë, me mjete financiare e logjistike për të përmbushur detyrimin e tyre kushtetues ndaj publikut në kushte sa më normale.
Por ne nuk do të rrimë duarkryq, as përpara shfaqjeve të përsëritura në sallat e gjyqeve, të triumfit të vrasësve të qytetarëve të pafajshëm apo të pafajësimit të killerave të policëve të vrarë në krye të detyrës; as përballë goditjeve të çekiçit të gjykatësve që ligjërojnë padrejtësira flagrante në dëm të këtij vendi dhe të shumë qytetarëve të pambrojtur që më kot e kërkojnë drejtësinë tek ata që vrasin; as ndaj spirales së korrupsionit në drejtësi që tërë këto vite e ka tërhequr poshtë e më poshtë pushtetin gjyqësor në Shqipëri.
Shumica jonë dërrmuese ka lindur nga një emergjencë demokratike dhe adresimi i kësaj emergjence kërkon, padyshim, një sens shumë të fortë të së drejtës; nga organet e drejtësisë padyshim, por nga qeveria në radhë të parë.
Në mbrojtje të bindjes sime të hershme se kur një vend qeveriset përmes padrejtësisë, është e kotë ta kërkosh drejtësinë në prokurori e gjykatë, dua t’ju them sot të gjithëve në këtë vend se sensi i të drejtës do të më udhëheqë, në çdo vendim e veprim si kryeministri juaj.
Kam besimin më të plotë se nga i njëjti sens i së drejtës do të udhëhiqet, çdo ministre dhe ministër i ri i Republikës dhe dua t’i garantoj kështu të gjithë se gabimet e mundshme, në ushtrimin e një përgjegjësie kaq të madhe sa e jona, nuk do të jenë mëkate të qëllimshme në dëm të Shqipërisë e të qytetarëve shqiptarë.
Askush në këtë sallë nuk ka de jure imunitet kushtetues dhe askush ndër ne, përfaqësuesit e kësaj shumice të re, nuk do të lejohet të marrë de facto kurrfarë imuniteti të posaçëm, në marrëdhëniet me ligjin dhe me shtetin.
Por nga ana tjetër, kjo shumicë nuk do të njohë asnjë formë imuniteti të askujt që të drejtën për të kërkuar apo dhënë drejtësi, qoftë prokuror apo gjykatës, e kthen në një mjet për të përfituar lekë dhe pasuri të patundshme duke bërë padrejtësi.
Ministrat tanë s’do të kenë as mandatin e deputetit, për të qenë tërësisht në dispozicion të detyrës së lartë por edhe, për të mos pasur asnjë alibi dhe mburojë tjetër veç rezultateve të tyre në punë.
Sipas një praktike të mirë të djepit të demokracisë moderne, Britanisë së Madhe, ne do të miratojmë në mbledhjen e parë të qeverisë Kodin Etik të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Ky kod do të sanksionojë angazhimin formal, të secilit dhe të gjithë skuadrës qeveritare të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për të qëndruar në detyrën e lartë me nderin dhe me dinjitetin që shqiptarët menduan se do të kemi në qeverisje, kur na dhanë 1 milionë vota.
Ata e dërrmuan me plotë 1 milionë shuplaka pushtetin e forcës, sepse duan të qeverisen nga pushteti i shembullit.
Ne jemi këtu për t’ua plotësuar këtë ekzigjencë themelore dhe për të qeverisur me forcën e shembullit.
Kolege dhe kolegë deputetë,
Unë e ndaj në çdo pikë e presje me Kryetarin e këtij Kuvendi, fjalën që na adresoi dje dhe dua veçanërisht të rinënvizoj se përsa na takon armiqtë tanë nuk janë në këtë sallë. Nuk janë as në opozitë me qeverinë jashtë kësaj salle.
Po janë përballë të gjithëve ne pa dallim:
Varfëria dhe Papunësia!
Ne jemi këtu për t’i luftuar pa pushim këta armiq, duke e nisur çdo ditë të re me kundërvënien ndaj varfërisë së aspiratave dhe duke e ushqyer përditë qeverisjen tonë, me aspirata të larta për Shqipërinë.
Shqipëria e varfër e 1 milionë të papunëve, pas gati çerek shekulli liri, është më së pari pjellë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë udhëhequr duke e tradhtuar;
Shqipëria e gjysmës së më të rinjve analfabetë funksionalë, dy dekada dhe kusur pas rënies së komunizmit, është më së pari bijë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë drejtuar duke e gënjyer;
Shqipëria e prapambetur e shqiptarëve pa ujë për të pirë e as vaditur, pa legalizime dhe as kanalizime, pa asnjë shërbim publik sipas nevojës po vetëm sipas xhepit, mu në mes të Europës së shekullit XXI, është më së pari viktimë e atyre që e kanë qeverisur duke e harruar.
Ne s’do ta harrojmë asnjë ditë Shqipërinë që vuan për ujë, punë, shërbime dhe nuk do t’i tradhtojmë dhe gënjejmë asnjëherë shqiptarët.
Nëse do të ngecim diku, do të japim shpjegime.
Nëse do të gabojmë diku, do të kërkojmë ndjesë.
Por gjithherë dhe gjithkund, do të jemi me njerëzit e për njerëzit, me Shqipërinë reale të halleve të panumërta dhe për Shqipërinë Europiane të shpresave të rilindura.
Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e punësimit real jo tuneli i rritjes së papunësisë.
Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale në vitin 2017. Programi ynë parasheh realizimin e këtij zotimi me etapa të përcaktuara qartë. Unë dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi.
Jemi zotuar se do legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale brenda këtij mandati. Nuk tundemi nga ky zotim. Zbatimin e planit të detajuar për ta përmbushur në harkun e katër viteve nga Paskuqani në Sauk, nga “Kodra e Priftit” në Bathore, nga këneta e Durrësit në lagjen Marlulaj të Shkodrës, nga Lagja “5 Maji” e Elbasanit në lagjen “Afrim i Ri” të Fierit e në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës, unë do ta mbikëqyr drejtpërdrejtë vetë siç ju kam premtuar atyre njerëzve, në çdo hap.
Do t’i bëjmë këto realitete migjeniane, pjella të varfërisë së aspiratave, modele të vizionit tonë të ri të zhvillimit urban të Shqipërisë për të respektuar aspiratat e atyre që i kanë ndërtuar ato shtëpi.
Por një gjë të mos e ngatërrojë askush:
Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën bregdetare. Dhe jo e jo, ndërtime të paligjshme për të bërë biznes duke i bërë shtetit ngado një karshillëk të paparë, thellësisht antieuropian e fyes për dinjitetin e shoqërisë. Nëse të varfërve që kërkuan Amerikën këtu në Shqipëri, duke ardhur nga humbëtirat e varfërisë e të papunësisë, për të ndërtuar një jetë të re rreth Tiranës e qyteteve të mëdha, ne nuk do t’u kërkojmë lekë po vetëm përmbushjen e detyrimeve të zakonshme të çdo shtetasi për ujin, dritat, plehrat, zengjinëve të betonarmesë së hedhur kuturu pa asnjë leje e gajle për të drejtat e pronës, komunitetit, natyrës, do t’u rezervojmë një faturë sa të kripur aq edhe të paharrueshme. Mjaft e kanë dëmtuar Shqipërinë, është koha ta dëmshpërblejnë publikun. Kjo qeveri do t’ua kërkojë dhe marrë dëmshpërblimin një më një.
Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi – Mjeku – Polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm.
Sipërmarrësit e vegjël, gabimisht quhen biznesmenë, po në fakt janë familjarë të vetëpunësuar që nuk do të paguajnë më për furrën e tyre të bukës, kafenenë në cep të pallatit apo dyqanin e vogël të mbijetesës, sa ç’paguajnë fabrikat e çimentos, kompanitë e naftës apo hotelet në zemër të Tiranës. Ata shpëtuan në 23 qershor nga tatimi i dyfishtë antikushtetues dhe taksa e tyre e biznesit të vogël nuk do të ekzistojë më. Ne do të bëjmë çmos në këto katër vite që ta nxjerrim biznesin e vogël, nga kthetrat mbytëse të borxheve për të paguar taksa dhe të fusim sa më shumë familjarë në rrugën e vetëpunësimit.
Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve. Do të ecim hap pas hapi, me planin tonë konkret në përmbushjen e këtij zotimi dhe në fund të mandatit tonë, shtresa e mesme si edhe më të varfrit do të kenë më shumë para në xhep, e do të shërbehen më mirë.
Jemi zotuar se do ta mbështesim biznesin duke krijuar një marrëdhënie të re partneriteti me sipërmarrësit dhe do të ndalim rrënimin e tij duke shkatërruar monopolet, shkrirë klientelat, thirrur në skenë lirinë e konkurrencës. Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, gjatë këtij mandati, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane; për të rritur të ardhurat në buxhet, jo duke tkurrur biznesin me kontrolle të dhunshme e gjoba arbitrare, po duke vendosur rregulla të qartë, të qëndrueshëm e të respektuar nga të dyja palët; për të ecur më shpejt drejt heqjes së referencave dhe shpartallimit të mbretërisë së ryshfetit në dogana e tatime.
Doganierët e Shqipërisë nuk do të jenë më ushtria e partisë. Të reja e të rinj të shkolluar, të edukuar, të dëshiruar për t’i dhënë këtij vendi dinjitetin e ëndrrës europiane aty ku sot ndeshesh jo me kufirin ku fillon Shqipëria, po me traun ku fillon zymtia zhvatëse e mbretërisë së korrupsionit e të injorancës, janë të thirrur të konkurrojnë. Ne do të vigjilojmë që një gjeneratë e re profesionistësh ta marrë në dorë këtë punë që sot e bëjnë torturues profesionistë të biznesit dhe ustallarë të kontrabandës me mbulim politikën. S’ka pikë dyshimi se edhe agjentët tatimorë nuk do të jenë më veglat e korruptuara të një lufte qorre që rrënon dinjitetin, shkatërron nervat dhe hedh në erë planet e biznesit.
Lufta qorre e qeverisë me biznesin ka mbaruar në 23 qershor. Ka mbaruar në 23 qershor edhe pushteti i një klientele që diktoi për vite të tëra se kush qenë të paktët që duhet të ngroheshin në diell, rëndom pa i dhënë hesap askujt, e kush të shumtët që u mbetej për hise rrebeshi i gjobave, ryshfeteve, padrejtësive.
Qeveria dhe biznesi janë dy palë, po ekonomia e Shqipërisë është një dhe ne do t’i japim fund keqtrajtimit të sipërmarrësve, duke filluar nga dhënia fund e marrëzisë së faturave të papaguara apo të TVSH-së së parimbursuar. Efekti zinxhir i moskorrektesës së qeverisë me biznesin në këtë lëmë të detyrimeve të ndërsjella – për të përdorur terma shumë të butë -, ka bllokuar tërësisht zinxhirin e ekonomisë.
Ideja se ç’është e biznesit është e botës dhe ç’është e shtetit është e qeverisë e pastaj ç’është e qeverisë është e imja nuk ka lidhje me demokracinë e çdo dite, po me reminishencat e ideologjisë së Partisë së Punës. Bashkë me pushtetin që iku ikën edhe ato reminishenca nga koka e këshillit të ministrave, dhe do të hapet menjëherë një kapitull i ri i në marrëdhëniet me biznesin. Biznesi nuk do të jetë kundërshtari ynë dhe kjo qeveri nuk do të bëjë ortakëri me asnjë biznes apo klientelë të re biznesmenësh. Biznesi do të jetë partneri ynë dhe ne do të jemi të hapur e luajalë me të, e do të kërkojmë të njëjtin luajalitet prej tij.
Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja – duke filluar nga shëndetësia e arsimi padyshim. Cilido merret me politikë këtyre anëve dhe vazhdon të mendojë se shëndeti është mall që blihet e vazhdon të thotë, kujdesi shëndetësor merret vetëm me para sepse shëndetësia kushton prandaj kush s’ka para nuk duhet të sëmuret, i ka merituar qoftë dhe për kaq të 1 milionë shuplakat e 23 qershorit. Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë dhe ky mandat do të jetë mandati i një reforme radikale në shëndetësi.
Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim. Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor – falë shtetit që nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë.
E rëndësishme është që përtej debatit mes palëve që në këtë rast, i ngjan atij debatit të famshëm të Kostandinopojës për gjininë e engjëjve teksa muret e qytetit po binin përgjithmonë nga lufta, ne t’ia marrim spitalet pushtetit të korrupsionit, pisllëkut e matrapazllëkut dhe t’ua kthejmë njerëzve.
Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh mu tek sheshi i Spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet. Dinë të thonë vetëm s’bëhet, s’bëhet ndryshe dhe të bëjnë sehir rrënimin, siç bënë 8 vjet me radhë, ndërkohë që duhet të vizitohen se mos përveç pushtetit, kanë humbur edhe zemrën.
Do të jem gati po ashtu të dal pas katër vjetësh përpara çdo mësuesi e nxënësi, me krenarinë që koha e dhunës psikologjike për t’i kthyer ata në skllevër të partisë në pushtet; koha e kryeministrit që u futet në oborr e në klasë për të sharë opozitën para kalamajve; koha e drejtorëve që mbyllin shkollat për t’i marrë me pahir si bagëti në mitingjet e barinjve të qeverisë, do të ketë mbetur vetëm një ëndërr e keqe që u tret në dritën e 23 qershorit 2013. Ëndërr e keqe do të ketë mbetur edhe moslejimi i përfaqësuesve të opozitës në auditorët e universiteteve për të komunikuar idetë e tyre me çdokënd që ka interes ti dëgjojë.
Por edhe me krenarinë që atë ditë nuk do të kem status të posaçëm vetëm unë, kryeministri, po edhe çdo mësues e mësuese e Shqipërisë. Jemi zotuar që t’i kthejmë shkollës lirinë e një hapësire të dijes, përgjegjësinë e një qendre të komunitetit, solidaritetin mes mësuesve – prindërve – qeverisë. Këtë do të bëjmë përmes zbatimit rigoroz të programit tonë qeverisës. Kemi gati planin e veprimit për të filluar nga projektet pilot të zgjedhjes së mësuesve në bashkëpunim me përfaqësuesit e prindërve.
Kemi gati projektin për të nisur programimin e tabletave elektronike dhe shtrirë vit pas viti në shkolla, teknologjinë e re që do të zëvendësojë librat e dërrasat e zeza.
Kemi gati reformën e domosdoshme të teksteve shkollore dhe të maturës shtetërore për t’i dhënë kuptim konkurrencës dhe meritës përgjatë gjithë viteve, si edhe për të zmbrapsur lumin shpartallues të prurjeve pa kriter e as karar në dyert e universitetit. Besoj që është lajm i mirë për opozitën që në tekstet e historisë për nxënësit nuk do lejohet përfshirja e figurave heroike të kryetarit të kuvendit apo të kryeministrit të Shqipërisë.
Do të fillojmë reformën e madhe të edukimit përmes kulturës dhe sportit, për të gjitha grupmoshat. Nëpër shkolla do të mbyllet çdo lloj diskoje e kafeneje dhe në lokalet rreth shkollave deri në një distancë të përcaktuar, do të ndalohet alkooli. Por nga ana tjetër fëmijëve e të rinjve do t’u japim alternativën e edukimit sportiv e kulturor. Klasat sportive do të fillojnë të organizohen në çdo shkollë dhe atelietë e kulturës për kalamajtë e të rinjtë do të ngrihen si fillim, në çdo institucion ekzistues kulturor.
Jemi zotëruar të akreditojmë universitetet dhe të ndryshojmë rrënjësisht rrugën e arsimit të lartë, duke i hapur rrugë lirisë së konkurrencës dhe krijuar kushte për vlerësimin e meritës; qoftë mes universiteteve, pa dallim publike apo private; qoftë mes studentëve që duan të hyjnë në universitet, apo që duan diplomë nga universiteti. Do të ndërtojmë një urë dialogu e bashkëpunimi sistematik me rektoratet e dekanatet, por nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me shpërdorimet e parave, me shitblerjet e provimeve, me logjikën e kastës kudo dhe kurdo ajo të shfaqet, sidomos nëse shfaqet në formën e autonomisë për të bërë dëm. Financimi ynë për arsimin e lartë do të bazohet në rezultate, jo në dogmat e socializmit të vjetër apo të fanatizmit të tregut.
Jemi zotuar t’u japim të rinjve edhe një rrugë tjetër përveç asaj të universitetit; rrugën e arsimit profesional. Reforma për ndërtimin e një sistemi të arsimit profesional, që të jetë tërheqës për të rinjtë dhe i dobishëm për punësimin e tyre, në qytet apo në fshat, do të jetë një reformë shumëplanëshe në bashkëpunim me biznesin dhe me partnerët ndërkombëtarë do të përfshijë një sërë ministrish.
Jemi zotuar për t’a vendosur shtetin në krah të çdo familjeje që jeton me tokën në fshat dhe për të hapur bashkë me bujqit e fermerët e këtij vendi, rrugën e re të zhvillimit modern rural në Shqipëri – duke filluar menjëherë nga puna për të përmbushur zotimin e dhënies së certifikatës së pronësisë mbi tokën, të gjithëve atyre që u takon me ligj. Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerek shekulli dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e besuar se do ta marrin ndonjëherë, prandaj marrin arratinë për të punuar në dhe të huaj, ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë.
Por kujdes, asnjë keqkuptim: Zbatimi deri në fund i 7501-shit nuk do të jetë zgjatje e kalvarit pafund të pronarëve, po fillimi i rrugës së zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronës. Ne do të nisim menjëherë nga puna për Planin e Përgjithshëm Kombëtar që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit tërësor, po edhe harta orientuese për rrugët e hapësirat e kompensimit real të pronarëve. Kaosi i njëzet e kusur viteve, mbivendosjet e panumërta të pronës së pretenduar, operacionet e grabitjes së trojeve, e kanë bërë të mundur një zgjidhje optimale për të gjithë.
Mungesa e kurajos për ta parë realitetin në sy nga frika e humbjes së votave në zgjedhjet e ardhshme, mbajtja varur e të gjithëve nga fushata në fushatë me premtime të pambajtshme dhe nga mandati në mandat me masa gjysmake, të cilat vetëm e kanë ngatërruar gjërat ende më shumë zinxhirin e pronës, kanë një kosto për të gjithë. Kjo kosto vetëm rritet nga mosveprimi. Prandaj të gjithë duhet të marrin koston e tyre; duke filluar nga qeveria dhe unë personalisht, që nuk mund të vazhdojmë rrugën e vjetër, tërhiq e mos e këput, edhe juve do t’ju legalizojmë, edhe juve do ju kompensojmë, edhe juve do t’ua plotësojmë, edhe ju të tjerëve do t’ua falim; e duke vazhduar me gjithë aktorët dhe grupet e interesit që lidhen me këtë temë gangrenoze të jetës sociale të tranzicionit.
Por ky është dhe momenti për ta thënë: Përpara çdo vendimi, mes interesit të vendit dhe interesit për t’u rizgjedhur unë do të zgjedh gjithnjë të parin.
Tek kjo qeveri fshati do të gjejë aleatin e vet besnik. Çdo problem i shqiptarëve që punojnë në fshat, do të jetë problemi ynë i përbashkët me ta. Jemi zotuar të ulim për familjet shqiptare kostot e ushqimeve bazë që prodhon fshati dhe prandaj do ta kthejmë çdo bujk e fermer, çdo njeri që rropatet me tokën në të gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë në aleatin tonë besnik dhe të respektuar me përulje. Ulja e kostove të prodhimit do të jetë prioritet. Ne do t’i kushtojmë fshatit gjatë këtij mandati energjitë që qeveritë e Shqipërisë nuk i kanë kushtuar në 20 vjet të marra së bashku.
Shumëkush përpara se sa të vija këtu për të mbajtur këtë fjalë, fjalën më të rëndësishme të jetës sime politike, më sugjeroi dashamirësisht të shkruaja një fjalim për të ulur pritshmëritë. Shqipëria është në një krizë të gjithanshme, s’ka para, s’ka kredibilitet, s’ka këtë e s’ka atë, prandaj mos ua ushqe njerëzve pritshmërinë super të lartë që kanë ndaj qeverisë së re! Por unë jam shumë i kënaqur me pritshmërinë e lartë ndaj qeverisë. Kemi një skuadër të re, ambicioze, me njerëz të talentuar dhe të përkushtuar, më harmonike se asnjëherë më parë mes burrave dhe grave, produkt i leximit në respekt të votës së 23 qershorit.
Nuk dua të ul pritshmërinë e askujt. Jo se nuk e di në çfarë vështirësish është Shqipëria, arka e saj, edhe pse ka më tepër se një dyshim të arsyeshëm që gjendja e vërtetë e ekonomisë, është ende shumë më e rëndë nga çfarë shohim. Prandaj do të thërrasim menjëherë në ndihmë një forcë audituese ndërkombëtare, me pavarësi e reputacion botërisht të padiskutueshëm, për të audituar imtësisht xhepat e shtetit. Prandaj do të nisim urgjent procesin për të binjakëzuar INSTAT-in me institucionin qendror të statistikave të një shtet anëtar të Bashkimit Europian, këdo që do të gjejmë të gatshëm, në mënyrë që shifrat e rritjes ekonomike, papunësisë, analfabetizmit, varfërisë dhe popullsisë, të mos i gatuajë zyra e kryeministrit po t’i nxjerrë një INSTAT i pavarur politikisht dhe i aftë profesionalisht.
Prandaj kemi mirëpritur misionin e përbashkët të FMN e të Bankës Botërore, të kërkuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, me mirëkuptimin tonë më të plotë dhe prandaj po presim me padurim të shohim rezultatet e të këqyrim sugjerimet e këtij misioni. Prandaj edhe po përgatitemi për të biseduar nga afër me FMN, jo domosdoshmërish për të rinisur një program të ri me të, po për të kuptuar deri në fund se sa më e thellë nga ç’duket është kriza dhe si t’i përgjigjemi kërcënimit të shpërthimit të saj.
Prandaj në fund të fundit u kemi kërkuar shqiptarëve të bëjnë një zgjedhje të qartë, për të ecur më shpejt drejt një Rilindje Shqiptare, apo për t’u rrokullisur në të tatëpjetën e Rrënimit të Mëtejshëm dhe, nëse rrënim s’do të ishte, nuk do të ishim sot këtu me pushtetin e një shumice të ngjashme me atë të vitit 1992. Por prapëseprapë unë dua jo që njerëzit të ulin pritshmërinë tani që zgjedhjet mbaruan, po që ne të jemi në lartësinë e pritshmërisë së tyre në çdo komunikim dhe në çdo hap që do të hedhim, bashkë me ta, drejt Shqipërisë Europiane.
Ne do të kalojmë nga integrimi europian i Shqipërisë si lajtmotiv propagandistik tek europianizimi i shtetit shqiptar si amanet e mision historik – përmes një reforme demokratizuese, modernizuese, njehsuese me Europën si sistem vlerash dhe institucionesh. Unë e çmoj sinqerisht shprehjen publike të vullnetit të opozitës për të mbështetur pa kushte reformat që lidhen me integrimin europian. Shpresoj të mos jetë propagandë, edhe kjo do të jetë gjithsesi e drejta e saj dhe uroj që opozita të kontribuojë aktivisht në procesin legjislativ.
Por ndryshimi i pozicionit nga kryetar i opozitës në kryeministër, nuk ka ndryshuar dhe as ka për ta ndryshuar pikëpamjen time se procesi i integrimit europian, është shumë më tepër se sa vandakët e letrave ku shtypen ligjet e këtij Kuvendi. S’ka asnjë dyshim se nga kjo sallë merr udhë çdo ndryshim strukturor dhe me patjetër ndikohet përmes ligjeve edhe ndryshimi shumëplanësh drejt Shqipërisë si gjithë Europa.
Por udha nga kjo sallë deri në Europë, nuk përshkohet me postë duke çuar letrat e ligjeve në Bruksel, po duke ndërtuar këtu demokracinë e çdo dite. Integrimi europian s’është rrugë jashtë shtetit, sepse Europa e Bashkuar s’është destinacion jashtë vendit po vend brenda vetes – një vend që duhet të zërë përditë e më shumë vend në sjelljen, qasjen, vendimet e veprimet tona si qeveri, parlament, shtet e shoqëri. E po ashtu edhe NATO s’është medalje, për ta mbërthyer në gjoks kur u flasim shqiptarëve për progresin që kemi bërë në këto vite, po përkatësi në botën e demokracisë së çdo dite – ku Shqipëria ka bërë shumë mungesa vitet e fundit edhe pse s’ka munguar në asnjë angazhim ushtarak. Të jesh pjesë e kësaj bote me BE e me NATO, do të thotë të ndash me të tjerët vlera, parime, standarde, ndër të cilat ligjshmëria është padyshim vijë ndarëse.
Shqipëria sot ka shumë më tepër ligje se tetë vjet më parë, mijëra dëgjova, po s’ka më shumë ligjshmëri. Krimi ndaj individit dhe pronës ka marrë përmasa të papara më parë. Vriten e plagosen njerëz aq shpesh tanimë sa kur hapim televizorin një vrasje na duket si film i vjetër, jo si lajm i ri. Ndërsa vjedhjet s’përbëjnë më as lajm, përveçse kur dalin armët dhe vritet apo plagoset për vdekje ndonjë kalimtar, po edhe ky episod hyn tek filmi i jetës së përditshme jo tek lajmi i ditës.
Armët janë bërë si celularët, janë nëpër makina, klube, shkolla, vetëm se duken më pak pasi nuk mbahen në dorë tërë kohës për të çuar sms. Ndërsa kriminelët e rrugaçët janë shpeshtuar nga të katër anët njësoj ndërtimet pa leje. Dhunohen ngado familjarë të zakonshëm, vajza e djem të edukuar dhe pleq fillikat nëpër fshatra; grabiten shtëpi e pushtohen territore; kurse policia dhe inspektoriatet jo vetëm s’kanë asnjë forcë reaguese, po përkundrazi, bashkëjetojnë qetësisht me kërdinë kriminale si të ishin parazitë brenda në trupin e krimit dhe mbushin xhepat për të mbyllur sytë.
Shqyhen ngado kodra, priten përnatë pyje, zhvaten pa pushim lumenj, po bie Kruja, por tretet Gjirokastra, po rrënohet Berati, si në një makth pambarim. Ky makth do të mbarojë. Ne do ta rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe do të hapim një luftë pa asnjë prehje, kundër krimit ndaj individit dhe pronës.
Gjendja e territorit sot është një gjendje e jashtëzakonshme dhe ne do ta adresojmë urgjentisht si të tillë, me një paketë emergjence kombëtare që të marrë aprovimin e këtij parlamenti. Kush cenon individë e prona, publike ose private, ka cenuar shtetin dhe do të ketë përballë jo më një tufë laramane uniformash qesharake, po Policinë e Shtetit Shqiptar. Ditën dhe natën. Në çdo metër katror të Shqipërisë. Pa pushim as tolerancë.
Përndryshe do të ishte lamtumirë Shqipëri Europiane! Por që kështu të mos jetë, jemi këtu ne Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë.
Ju keni marrë në dispozicion qysh dje një kopje të programit të qeverisë. Si asnjëherë në traditën e këtij kuvendi, pas fjalimit të një kryeministri, që kërkon votëbesimin do të keni edhe dy ditë kohë për pyetje dhe për të përgatitur diskutimet. Unë nuk desha as të lexoj krejt programin voluminoz që keni ndër duar, as të marr me radhë çdo çështje të tij, por vetëm të bëj një paraqitje të përmbledhur të kuptimit politik, konceptit qeverisës dhe të boshtit programatik të mandatit të ri.
S’desha as të mërzis me një fjalim të gjatë publikun që na ndjek me kërshëri. Por megjithatë s’mund të mos rendis më tutje shumë probleme, një sërë pikash të rëndësishme të programit tonë:
Projektin e zhvillimit në infrastrukturë duke nisur nga Rruga e Arbrit si prioritet, e me radhë reformat e projektet transformuese të zhvillimit urban në funksion të rritjes së qëndrueshme të turizmit në bregdet apo të rimëkëmbjes së komuniteteve në zonat urbane;
Projektin e zhvillimit të qëndrueshëm energjetik dhe planet për rimarrjen e kontrollit mbi pasuritë nëntokësore. Këto plane nuk synojnë shtetëzime, po rikthim të shtetit në detyrën e mbrojtjes së interesit kombëtar e publik;
Projektin e inventarizimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që po zhduket para syve tanë, si edhe planin e reformës së institucioneve të kulturës;
Projektin e çlirimit të Radio Televizionit Shqiptar nga regjimi 20 vjeçar i një propagande politike që vetëm ka ardhur duke u degraduar dhe ka marrë së fundmi përmasën e turpshme të një mediokriteti të pashembullt në gjithë botën në ekranin e vogël;
Projektin e reformimit rrënjësor të skemës së ndihmës ekonomike në funksion të integrimit social përmes punës;
Dhe me radhë, statusin e veçantë të disa kategorive sociale të parashikuara në program: planin e dëmshpërblimit për të përndjekurit, të rivendosjes në vend të dinjitetit të veteranit e ushtarakut, rikthimin e të drejtave ligjore të personave me aftësi të kufizuar.
Një model i ri ekonomik që të nxisë prodhimin e punësimin, pas shterimit të modelit të rritjes pa punësim dhe me pasoja të rënda për qëndrueshmërinë mjedisore të vendit, si edhe një epokë e re bashkëpunimi me Kosovën për të zgjeruar hapësirën e rritjes ekonomike e të mirëqenies së shqiptarëve në territoret e tyre, janë për ne objektiva strategjikë të zhvillimit të Shqipërisë.
Por le ta pranojmë, me modesti dhe pa i’u fshehur kësaj të vërtete jo fort komode:
Ne, përfaqësuesit e shtetit që po bëhet 101 vjeç, kemi jo vetëm për të bashkëpunuar edhe shumë për të mësuar nga shteti pesëvjeçar i Kosovës. Policia jonë ka shumë për të mësuar – mjaft t’i shohësh si ecin e si sillen në rrugë; diplomacia ka jo pak për të mësuar – mjaft të takosh ambasadorët e tyre mbresëlënës në kryeqytetet e Europës; arsimi e shëndetësia jonë kanë për të mësuar – mjaft t’u hedhësh një sy testeve të mësuesve apo korridoreve të spitaleve në Prishtinë. Prapambetja e tyre është vepër e një armiku që i mbajti të pushtuar gjatë një jete të tërë, prapambetja jonë është mishërim i varfërisë së aspiratave që na mban të pushtuar prej një historie të tërë.
Me emocion të jashtëzakonshëm dhe me një ndjenjë emocioni të rrallë, unë do t’i adresoj menjëherë në vijim parlamentit të Kosovës vizionin tonë, për këtë epokë të re bashkëpunimi, e cila përkon me kohën kur kryeministri shqiptar në Kosovë, me largpamësi e kurajo të admiruar botërisht, ka hapur për krejt rajonin një faqe të re të historisë së Ballkanit perëndimor duke nënshkruar marrëveshjen me Serbinë. Është kthyer përfundimisht mbrapsht faqja e historisë së konflikteve të përgjakshme të ish-Jugosllavisë.
Të gjithë së bashku, shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, bashkë me grekë apo kroatë që tanimë janë pjesë e Bashkimit Europian, jemi të sfiduar të shkruajmë mbi faqen e re një histori të re për këtë rajon luftërash; një histori paqeje që prodhon zhvillim infrastrukturor, siguri energjetike, sipërmarrje e tregti të ndërsjellë me ritme të reja, multikulturalizëm dhe sigurisht, respekt e kujdes shembullor për pakicat.
Ne jemi të përgatitur me zemër e mendje të bëhemi promotorë të kësaj historie të re, në radhë të parë duke e shndërruar Shqipërinë në një demokraci të çdo dite dhe pastaj, duke nxitur e marrë pjesë në çdo përpjekje për t’i dhënë paqes përmasën e zhvillimit. Në 23 qershor u mbyll edhe kapitulli i turbofolkut nacionalist në pushtet dhe u hap kapitulli i atdhedashurisë në qeverisje. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë rretherrotull ura kudo ku kanë mbetur hendeqe dhe do të bëjmë një politikë të jashtme shumë aktive, duke synuar zero mosmarrëveshje me fqinjët.
Janë shumë punët për t’u bërë dhe pak, koha për t’u humbur me shumë fjalë.
Doja t’u adresoja disa fjalë dhe kolegëve opozitarë.
Kemi ndërruar rolet. Puna e opozitës është fjala. Fjala e qeverisë është puna.
Qëllimi ynë është i qartë: Të qeverisim siç e meriton Shqipëria. T’u japim shqiptarëve pamje të prekshme të Shqipërisë Europiane që ëndërrojnë dhe meritojnë. Për mua e gjitha kjo pamje fillon këtu, në këtë sallë, ku për sa më takon do të bëj çmos që t’ju tregoj me sjellje e vepra se ç’do të thotë, ta mirëqeverisësh këtë vend dhe të respektosh veten duke respektuar opozitën. Njësoj si në Europë. Si në Shqipërinë Europiane.
I kemi sjellë Kuvendit të Shqipërisë këtë program qeverisës, të vetëdijshëm se ku duam të shkojmë; me shqiptarët dhe për shqiptarët e Shqipërinë e gjeneratës tjetër; me frymën e ndërtimit të urave të bashkëpunimit me këdo që ndan me ne jo çdo ide ose bindje, po së paku vetëdijen se Shqipëria është atdheu, kurse Europa është e ardhmja jonë. Dhe njësoj si në Europë unë nuk do ta provokoj kurrsesi opozitën duke ju kërkuar të votoni programin e qeverisë, siç bënte paraardhësi im rëndom. Por vetëm do ta falënderoj sinqerisht, për kënaqësinë që na jep të gjithëve ne fakti se Partia Demokratike do ta lexojë me vëmendje të madhe dhe do ta diskutojë me pasion të veçantë programin tonë.
Nga opozita s’kemi pritur më shumë se sa të na ndiqni me vëmendjen e vet më të madhe dhe të na kundërviheni me pasionin tuaj emblematik. Kjo do të na ndihmojë të ecim më shpejt edhe falë opozitës, që kam shumë besim se do të na mbajë gjithnjë zgjuar për të mos rënë qorrazi, në humnerën e vetëpëlqimit ku ra, u zhyt dhe po kërkon veten.
Duke e mbyllur këtë fjalë me përuljen më të thellë për 1 milionë zgjedhësit që më bënë privilegjin e jashtëzakonshëm të një jete, duke më ngjitur në këtë foltore sot, por edhe me respektin e pakushtëzuar për të gjithë ata që nuk na votuan këtë herë, dua të nënvizoj fort se ndryshimi nuk do të vijë as brenda një nate , as brenda një viti, por puna për Rilindjen e projektuar në këtë program nuk do të reshtë asnjë minutë dhe Rilindje do të jetë!
hallall! kishim 20 vjet qe donim te degjonim dicka te tille nga nje kryeminister.
me ne fund kemi nje Kryeminister te denje per te qeverisur vendin
Kjo qeveri eshte ajo qe do te ndryshoje vendin, kjo qeveri do ti jape shqiptareve ate qe meritojne, do tju jape ate qe eshte e tyre.
1 milion shqiptare e votuan kete qeveri me 23 qershor dhe kjo qeveri duhet mbeshtetur
I keni thene te gjitha Coku…hallall ! kemi njezet vite qe presim nje kryeminister te na flase keshtu…Do Zoti dhe po fillojme e kthehemi per se mbari..
Po besa hallall, kjo ishte ajo qe donim te degjonin per kaq vjet dhe e degjuam sot. Le te hidhet perpjete Saliu dhe Lulzimi, Jozefina dhe te gjithe ata hajdutet e tjere, nuk kane cfare te bejne. E harroj Sali Berisha gjuhen prej arroganti dhe rrugaci qe mbante ne Parlament kunder deputeteve te opozites kot fare vetem pse opozia u kerkonte llogari dhe ai as nuk denjonte te vinte tu pergjigjej pyetjeve ne interpelance nga Parlamenti. Gabim Edi Rama pse nuk moret nje tufe me lule dhe t’ja u dhuronit per ato 8 vjet qe kane vjedhur,abuzuar dhe shkaterruar Shqiperine. Tani aty te rrine mire te degjojne dhe le te bejne edhe protesta kujt i plasi, mazhoranca ka shumicen kushtetuese qe dhe vet opozita ka mbetur per te qare hallin. Allah mertele (ndjese pacin). Lulja eshte vrerosur eshte bere sterre se eshte merzitur babai shpirteror. O mortje ku je pse nuk i ha keta morra por merr njerezit e mire.
deri tani mire
KM Rama: “Ne do të përpiqemi të ndërtojmë rretherrotull ura kudo ku kanë mbetur hendeqe dhe do të bëjmë një politikë të jashtme shumë aktive, duke synuar ‘zero mosmarrëveshje me fqinjët’.” Bukur! Më pëlqeu. Por, po më kujton programin e politikës së jashtme turke, të ministrit Davotuglu, politikë e cila dështoi dhe u shndërrua në të kundërt, “zero fqinjë, shumë probleme”. Mendoj se këto janë shenjat e para të bashkëpunimit me “Aleatin Strategjik”, por shpresoj që fundi të mos jetë i ngjashëm, por te jete ndryshe nga “Aleati” ynë.
ky eshte bure shteti por berishes i djeg lufta kunder korupsionit dhe haroi shpejt se cfare i ka bere opozites se djeshme . prit se akoma nuk kane filluar me 21 janari qe o ti o lulushja do tregoni kush e dha urdhrin per te vrare .
-Kurse Lul faqe-petlla thote nese permendeni keto ngjarje do dalim ne
shesh.
-Lul faqe-torva mos kerko te krijosh trubullira Ti dhe Bab Sal Krimineli,
se nuk do t’i shpetoni drejtesise.
ECIN PERPARA E MUNDOHUNI TE BENI ME TE MIREN PER VENDIN TONE.
POR TE VRARET E 21 JANARIT DHE ME TA 1 MILION VOTUESIT PRESIN DREJTESI,DREJTESI E VETEM DREJTESI.Lereni qenin te lehi…..
PUNE TE MBARE
O popull, o milet, shikoni se c’po na ben perseri Sali Krimineli.
O popull, o milet, si thoni duhet te mbyllim gojen apo te perkrahim qeverin e Re qe eshte me Ligjin dhe kunder krimit ?
Po te ish Ed Rama me Ligjin dhe kunder krimit nuk bente aleance me hajdutin Meta…Jam i flakte kundra Saliut por edhe keshtu nuk ka bythe ku te rrije
Edhe une ndaj te njejtin opinion(per ilir meten) me ju,i nderuar ”bbb”,e megjithate 1 gje ta them me shume bindje:
Nuk ka ndjesi me te bukur se sa fakti,qe sot,ne cilesin e Kryeministrit foli dikush tjeter(Rama) dhe JO Barbari berisha.
Eshte 1 nga ndjenjat me te bukura qe politika Shqiptare ka prodhuar keto 23 vitet e fundit.
Rama do kete sukseset dhe deshtimet e veta,por vetem fakti qe ajo SHTAZE Shpellash nuk ndodhet ne krye te qeverise Shqiptare eshte shume shpresdhenes.
nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar hirësi klerikë,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuara deputete e deputetë,
Të nderuara zonja e zotërinj të ftuar,
Fort të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë kudo ku jeni Situata qe na la Saliu eshte keq e me keq…
Une dhe Likja i Floririt, mendojme se ka vetem 3 rruge:
1. O do te behemi me mire
2. O do behemi me keq
3. O do te rrijme keshtu sic jemi
…ruge tjeter ska
Pika 2. dhe 3. eliminohen automatikisht, sepse po te donim te beheshim me keq ose te rrinim ashtu sic jemi atehere do te kishim Sali Berishen kryeminister.
Keshtu qe ngelet vetem Pika 1. ?
me vjen keq per lulushin kane per ti futur nje karot lushnje ne ate vendin qe din luli dhe do te tmerohet nga edi .nuk e njeh akoma edin qe se ruan trapin .do i nxjer fotografine e plazhit.
NDESHKOJE SALIUN PER KRIMET MAKABER TE TIJ EDI RAMA!
Po nuk e NDESHKOVE Saliun dhe banden e tij mafioze ke bere nje vere ne uje megjithe falimet e bukura dhe emocionuese ne Kuvend. Meso nga Kroacia, por edhe nga vende te tjera, te cilat i denuan KUSARET e tyre pa fjalime mallengjyese fare fet e fet, sa te hapesh dhe te mbyllesh syte dhe futen Drejtesine e Munguar ne shinat e Botes se Civilizuar. Beje edhe ti kete o Edi Rama dhe leri fjalimet mallengjyese ne Kuvend, se keshtu te duan shqyptaret sic e thote edhe llafi:
FJALEPAKU ESHTE PUNESHUMI.
Degjoje nastradinin o Edi Rama dhe mos u tut nga kriminelet e Saliut ne Kuvend.
O sali Krimineli gjej vrime tani Ti dhe kelyshet e Tu qe lane Parlamentin, pse u permend shkaterrimet ne Shqiperi.
SA ME PELQEN KJO PJESE
AKOMA ME SHUME DO ME PELQENTE KUR TA SHOH TE REALIZUAR NE VEPRA.
Dua të jem i qartë në këtë pikë për raportin e shumicës së re dhe të qeverisë sonë, me dëmet e kohës që iku:
Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pa gjykuara që janë bërë.
Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës.
Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre.
Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij.
Mandati ynë na është dhënë për të bërë transparencë të plotë, të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion e krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur.
E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pronat e shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në kuvend.
Po ajo lepirja e bythes per Ameriken ne fillim ceshte???!!! Po ska ngelur lufta kunder terrorizmit tek ty o Edi Rama. Edhe sikur te duash te shtosh dhe ti medoemos ndonje gje, beje andej nga fundi qe mos te bjere ne sy.
Mu duke si Saliu me ate fillimin e fjalimit tend.
Ndersa fundi i fjalimit tend; “Nëse do të gabojmë diku, do të kërkojmë ndjesë.”, me kujtoj nje skene te fresket ku Arben Ahmetaj (minister i zgjedhur nga ty) i thonte Anastas Angjelit perpara nje konference per shtyp se do tallte bythen me popullin.
http://www.youtube.com/watch?v=WqS_KPxMlI4
Nuk mbaj mend te kete dalur ndokush e te kete kerkuar falje per kete gjest fare te papranueshem.
nepravishta behu i zgjuar dhe kupto mire fjalet e z.Rama,ty mund te te vije keq per hajdutin Berisha por te pakten mos u mundo si ordiner te deformosh fjalet e te tjereve lere injorancen menjane.
Bravo, suksese ne detyren tuaj fisnike per mirqenien dhe dinjitetin e kombit shqipetar.Sinqerisht nje program qe te rrengjeth.FENOMENALE
Hec para ta cafsha ballin!
Fjalim madheshtor i kryeministrit te ri shqiptar, fjalim i zjarrte dhe mjaft i sinqerte.
Forca e mendimit dhe fjales beri qe uzurpatoret batakcinj te braktisnin sallen e parlamentit si minj te zgjebosur e me bisht nder shale.
I lumte zotit kryeminister per fjalimin e tij aq entuziast. Ky fjalim do te mbetet gjithmone ne kujtesen e dashamiresve te kombit, sepse pasqyronte ne menyre te persosur deshirat, ndjenjat dhe aspiratat e shqiptareve te ndershem.
Sepse pasqyron qarte mentalitetin dhe bindjet e jo vetem nje milion shqiptareve qe votuan me 23 qershor, por edhe ate te mijera e mijera bashkekombasve patriote me banim ne viset e trojet shqiptare dhe ne mbare boten.
Ata qe kane qene ne nje mendje me kryeministrin shqiptar e dinin dhe e prisnin nje fjalim te tille.
Faleminderit nga zemra kryeministrit te shqiptareve dhe shpresojme te vere sa me shpejt ne jete premtimet e bera.
Po i realizoi keto premtime ai te jete i bindur se me mbajtjen e fjales do t’i zgjase qendrimin ne pozite te partise qe ai drejton dhe koalicioni i majte pas kater vitesh do te mund te kete dyfishin e perkrahesve qe pati ne votimet e 2013-es.
Demagogji, hedhje hi syve popullit, fjale hartimesh e referatesh amatore. Hakmarrje primitve. Asgjesim i se kaluares. Sido te kete qene poltika, njerezit jetuan, punuan dhe synuan perparim. Dhe vendi nga ndryshuar gjithnje per te mire. Stili i fjalimit te kujton fjalimet e E. Hoxhes, keshtu do t’i ngopi ai njerezit, me luge bosh, me levdata per veten, sharje per kundershtaret dhe hakmarrje pa skrupull!
Mjere Shqiperia qe ra ne duart e komunisteve.
E di qe po humbas pak kohe per t’u pergjigjur, por nejse. Ndoshta nuk do te jete keq per ty.
Para kesaj dua te bej te ditur se kam vene re qe gati ne te gjitha komentet e tua spikat dukshem nje lloj cinizmi dhe urrejtje e pakonceptueshme kundrejt nje grupi qe te ri dhe te pa vene ne prove, i cili u perzgjodh me vote te lire nga nje milion votues.
Nuk dua te bej polemike per kete se ndoshta ke ndonje aresye qe e ben. Nese ti nuk do te kishe asnje aresye dhe e ben thjesht se do te behesh terheqese me komentet e tua atehere mund te them me bindje se aparati yt i perpunimit te mendimit ose mund te kete pesuar ndonje demtim ireparabel, ose ai nuk ka permasat e duhura per te qene ne gjendje te nxjerre nje produkt me vlere. Kjo mendoj se vjen per shkak te ndonje tronditje te thelle qe mund te kete pesuar ai gjate termetit te 23 qershorit.
Me qe ky mekanizem nuk do te jete me i afte te prodhoje dicka, atehere ai eshte i destinuar te ndryshket. Qe t’a parandalosh nje gje te tille, ben mire dhe ti te shkosh te “doktori aparateve”, se ai eshte specialist dhe di mire se si ju t’a sheron…
Krahasimet i beni vet,nuk duhet shume mundim per te kuptuar ndryshimin qe ne fjalim.
Me pelqen shume fjalimi i z.Kryeminister…per shume vite nuk kemi degjuar nje fjalim te tille…Shpresoj shume ne aftesite e tij,dhe uroj qe te jete nje ogur i mire per te gjithe popullin e shume vuajtur shqiptare…
nje fjalim vertet per tu admiruar urime z. KM
qente qe lehin shume, spara te hane !le te shpresojme qe cka degjojne shqiptaret tani te mos jete lehje e nje qeni te zakonshem i veshur me petkun e politikanit !!!!!!!!!!!!!!!per hit te vendit ,per hir te kombit ,per hir te popullit shqiptar qe vuajtjet nuk i paskan te sosur!le te urojme qe keto nuk jane lehje .thjeshte te formulohen ligjet sipas kushteve momentale qe vendi po kalon ,thjeshte te zbatohen ligjet qe miratohen!cdo gje merr forme te thjeshte nese ne cdo post te qeverrise vendosen eksperte te cdo fushe dhe jo matrapaze (qene qe lehin )te politikes qe kemi mbartur deri me sot, dhe ata jane kthyer ne shushunja te pangopura, ne trupin e popullit te vuajtur ,koha per ndryshim !mos luani me me fatet e ketij populli trim, krenar,punetor,por fatkeqesishte pa politikane te afte !koha te tregoni se jeni te denje per neve, per voten qe moret .mos humbni kohe !jeni te vonuar!!!!!!!!!!populli akoma vuan !!!!!
ja shembulli i nje demokracie.Llogjike qe shushunjat nuk mund te qendronin ne salle se aty ju doli boja ne syte edhe te atyre qe Shushunjat ju kane vene perde.
Forca qeveria e re.
Keni nje popull qe ju ndjek.
BRAVO Z.KRYEMINISTER SUKSESE NE RRUGEN TUAJ PER PERBUSHJEN E MISIONIT QE POPULLI JUA BESOJ
ANALIZE : Nje fjalim normal, i bukur e shume pozitiv. Une nuk e di se ku qendron e keqja ketu ?
Po sipas berishes duhej te shante shqiptaret kryeministri i ri ?
……………
“fjala ishe ne fillim”, “ne princip ishte folja”. “Cdo peme njihet nga frutat, njeriu njihet nga fjala”. “Nje shpirt i keq nxjerr te keqen sepse brenda eshte mbushur me te keqen, (Si Sali QENI)nje shpirt i mire nxjerr te miren sepse eshte mbushur me te miren”. “Pema qe nuk jep fruta te mira do ti vehet sepata, njeriut te keq shpata”. “Njeriu qe dominohet nga djalli (Si Sali QENI) vuan, pasi djalli e shterngon”. “Kur djalli del nga ky njeri, djalli bredh ne shkretire, e duke mos gjetur vend per strehim, merr me vehte edhe 100 djaj te tjere dhe shkon e hyn aty ku ishte. Tani gjendja e njeriut eshte shume me e keqe se ishte ne fillim pasi eshte nen pushtetin e 100 djajeve” (keshtu eshte me Salen”. Ndryshimi eshte me se i qarte si ndryshimi midis Satanait e Shejtit.
Uau !, ky njeri eshte nje talent i lindur, si nje tribun i vertete. Une personalisht i uroj ketij endrimtari visionar ( ne kuptimin shume te mire te fjales ) qe, te realizoje ato qe ka ne mend per kete popull te vuajtur.
Nuk dua te bej Kasandren, por mendoj se, Edi ka dy probleme : Ka brenda koalicjonit nje aleat me probleme dhe e dyta kam mendimin se, ne visionin e Edit ka shume shtet dhe kjo, nga eksperienca e vendeve me te kaluar socjaliste, perben nje problem te madh. Mendoj se, Edi do ti lere dore te lire bisnesit, inisiatives private dhe sidomos konkurencesa se lire te tregut si element baze per shkuarje perpara.
Pra, jo shume shtet se kjo eshte e rezikeshme. Harrova dhe trensparencen si nje element te rendesishem. Shpresoj qe Edi te jete kolegjial dhe te ndigjoje mendimin e specialisteve te zote.
I uroj Edit dhe maxhorances se re, qeverise se re gjithe te mirat, dhe mbi te gjitha shendet per te miren e ketij populli qe, ka varur kaq shume shpresa.
Pershendetje
Fjalim brilant. Nuk e kuptoj pse u larguan pinocetet nga salla……… I gjithe populli shqiptare kete fjalim te Kryeministrit duhet ta mbaje perdite mbi tavoline per tja vene ne kujtese cdo dite Kryeministrit dhe stafit te tij ….. nese duam ti bashkohemi sofres Europiane.
fjalim I shkelqier zoti rama. kishte me shume se 20 vite qe nuk e kishim degjuar vetem vazhdo keshtu me fjalime .nuk na intereson shume programi vetem saliu te rri ne opozite
Mrekulli
Doktor ,keni gjithe mirkuptimin tim .
Tani lexova se cfare ju paska thene qe ju nxehu aq shume dhe ju qiti per zhele perjashta .Sikur te isha ne vendin tuaj do e dorezoja mandatin .
Jo po nuk durohet qe te bejne shtet kta dhe te rrin 12 vjet ne pozite .
Ky dhe te kercenon ,e lexove cfare thote “Do e bej dhe pike ”
Ky vjen dhe ti thote dhe aty nga foltorja ,me rente pika nuk ka me hije pa Jozefinen .Le pastaj qe eshte 2 mt i gjate ju duhet te sforcoheni qe ta shikoni ,Kacit i duhet te hipi ne kembe mbi karrige .
Ju thashe mos e mbyllni Spacin . Jo po duan arsim ,mjekesi ,drejtesi kta kokepalaret .Dil aty dhe thuaj “jua bej prape si ne 21 janar ”
Ua ,si thote nuk do me as fjale te pahijshme …po Jozi leshin ku do e coj ??
Pun e opozites eshte fjala ??Si perkthehet kjo doktor ?/Lehni ,llapni sa te doni …Dashka dhe FMN …pa a nuk e deklasuat ju ,bashkepunim me Kosoven …nuk i paska dale nafta Miloshevicit ti zhdukte te gjithe .
Doktor ,doktor sa qenkan shtuar armiqte …qenkan te gjithe bllokator !
“Perpara interesit te vendit dhe interesit per tu rizgjedhur une do zgjedh gjithmone te parin ”
Doktor dil ne pension se ta beren fytyren si kepuca ,jeni ber mavi te gjithe !
Fjalim mahnitës! Orator i fuqishëm ishe zoti Kryeministër! Problematikat e programit i shtrove para popullit duke i vënë përballë me gjendjen e lënë nga qeveria që e sakatoi Shqipërinë dhe shqiptarët deri në ditët e fundit.Punë të mbarë për t’i vënë në jetë!
Ky program eshte vdekjeprures per Sali Berishen dhe co. Ata nuk kan guxim te rijne ne parlament se c`do paragraf i ketij programi vret shkelsit e ligjit, vret hajdutet, kriminelet, trafikantet, dhe fundos monopolet. Ndaj dhe Berishen nuk e mban dot karrigeja e parlamentit.Ai duhet te ike nga kembet syte.
Ah.sikur te ishim ne vitin 1990.Sa mire do ishim sot.
C’na u fut si pyke ne lirine e demokracise ky i pakarater i vicidolit e na zhgatrroi me shume se ishim e me shume se cafre do beheshim.
Para e vetem para Rilindja e Kombit Shqiptar.
Te lumte more bir.Te paca.Sikur asgje te mos besh nga ato qe the, prape te them te faleminderit.Sepse kjo tregon se e do popullin tend perderisa i tregon plaget ku i ka.E perderisa e do, jam i sigurte qe do perpiqesh me vetemohim,vec balta ne te pengofte.
Edo,me gjithe shpirt,pune te mbare!
Ti Zoti Rama je tere energji.Shqiperia me ne fund rriti nje burre vertete shteti qe me dijenite,vrullin guximin dhe trimreine te mbeshtetur jo tek forca por tek llogjika e forte dhe reale ,i jep popullit shprese per nje te ardhme te mire,e ben Shqipreine tone te shumevuajtur te troikas e me dinjitet ne EUROPEN e BASHKUAR.
URIME per detyren e veshtire por krenar ne sherbim te popullit shqiptar.
Tani sapo lexova me shume krenari fjalen e ketij tribuni. Ndjehem shume mire si pas nje seksi te jashtezakonshem. Nuk kam fjale te shpreh kenaqesine per kete njeri kaq te ditur dhe te talentuar. Me habiti dhe me ngjallen shpresa te medha shprehjet :
“por edhe me respektin e pakushtëzuar për të gjithë ata që nuk na votuan këtë herë…”
“me frymën e ndërtimit të urave të bashkëpunimit me këdo që ndan me ne jo çdo ide ose bindje, po së paku vetëdijen se Shqipëria është atdheu, kurse Europa është e ardhmja jonë.”
“Të gjithë së bashku, shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, bashkë me grekë apo kroatë që tanimë janë pjesë e Bashkimit Europian, jemi të sfiduar të shkruajmë mbi faqen e re një histori të re për këtë rajon luftërash; një histori paqeje që prodhon zhvillim infrastrukturor, siguri energjetike, sipërmarrje e tregti të ndërsjellë me ritme të reja, multikulturalizëm dhe sigurisht, respekt e kujdes shembullor për pakicat.”
Nuk e di ,por une ne kete fjalim gjeta shpesh idhullim tim Obamen, dhe e them me bindje se, Edi eshte Obama i Shqiperise.
Nuk e di por, ne kete ore te nates ( eshte ora 02:00) me duket sikur kam kaluar nje nate shume te kendeshme,duke pire bire dhe diskutuar per te ardhmen e Shqiperise, me nje mik shume te mire .
Falenderoj Edin per keto momente te kendeshme qe me dhuroi. Jam i bindur se, do fle shume mire sonte dhe plot endera dhe urime te bukura per popullin tim te vuajtur. Jam i bindur se, ky fjalim do te hyje ne histori.
Krahasoni ju lutem fjalimin e Berishes ne Lapardha me fjalen e Edit qe, te shifni se cfare ndryshimi kolosal ka modernia me arkaiken :
http://www.youtube.com/watch?v=I9FLzUlnW3U
Naten e mire miq.
Dakord! Por nje kujtese per Ramen dhe Ministrin e Shendetesise : Te hiqen urgjentisht lokalet dhe pijet alkoolike brenda territoreve te spitaleve dhe qendrave shendetesore. Shkojme te vizitohemi tek mjeket dhe ata jane ne lokal me alkool perpara dhe kur kthehn ( pasi i presim nje ore ) shumica jane te dehur. Keto lokale dhe keta pijanece te mjekesise duhen sikterisur sa me pare.
Uroj dhe me shprese mendoj e dua ta besoj ,do zoti sdalin flluska sapuni gjith kto fjale , mos na dalte si kombetarja qe e fillon me vrrull e pasion e nga fundi e dhien punen pastaj ,m.gj.th koha tregon gjithcka ,
Sinqerisht nje fjalim rrenqethes Kjo qeveri me n krye Edi Ramen do te na bej krenar e meriton qe vajta ne Shqiperi dhe votova Per Edin i uoj shume suksese
Lexojeni dhe reflektoni se cfare do te thote kulture, pergjegjesi, dinjitet e vizion.
Printojeni dhe mbajeni si nje udhezues se per nje vend si shqiperia ky eshte programi me i mire qe ka egziatuar ndonjehere, i detajuar, i bindeshem, gjithperfshires dhe clirues.
Koha e rremujes Berishiste mbaroi.
Duhet filluar nga puci shtetit 60% te te forteve te BERISHES,ikeni ne Londer,kur ti vije radha do i publikojme emrat,kujdes sot mos cojne Azemin e vdekur te Kryeministria nga saliu e luli presim me shume,hajduti eshte dhe vrases,beni kujdes, deri sa ti mbyllim ne kafase kafsherine!
urime qeverise se re me ne krye Edi Ramen… komentet jane te teperta! jane ca shpreje te vjetra shqiptare ( nuk e ka larg nusja te pamen, dita e mire shihet ne mengjes) pra z. kryeminister e filloi mire ta leme te punoj…
Programi ne cdo qeveri ka qene i mire mbasi eshte votebesuar,ky program eshte mjaft ambicioz,deshero te mos jete utopik dhe elektoral,ne rast se PD humbi mbas 8 vjetesh te jeni te sigurt se do te humbni mbas 8 muajsh.Megjithate programi si teori mire.
Më në fund një KRYEMINISTËR për të qënë… Shpresat janë të mëdha… Le të turfullojnë zagarët, nuk kanë më dhëmbë të kafshojnë…Urime nga zëmra!!!
Bravoooo. Kete prisnim prej jush . Ke mbeshtetje edhe nga 2 miljon te tjere , Z Rama .
Çfare na mbetet te themi pas ketij fjalimi? – Goja te lumte! As qe e kishim te mundur ta mendonim, jo me ta degjonim, pas atyre pallavrave mbi njezetvjeçare Berisha-Nano; – Mos e ndaj fjalen nga vepra, je shpresa e vetme qe na ka ngelur per tu bere Europe (jo per te shkuar ne Europe)!
Çfare duhet te bejme? -ta pranojme realitetin e ri ku po futemi e te gjithe te kontribuojme qe ky realitet i ri te mos mbetet enderr!
Suksese Qeverise se pare Eurpjane te Shqiperise se pasluftes se Dyte Boterore.
fjalim shume imire.ta shohim ne zbatim suksese
te urojme rruge te mbare
te shohim veprat se per fjale jemi ngopur .
shpresojme te atdhedashuria jote edi , urime
Bravo, nje fjalim kryeveper. U kenaqem duke pare Saliun me ate rrugacen ne ate gjendje. Suksese
nje fjalim i shkelqyer qe te mbush me shrese, per nje shqiperi ndryshe ,me dinjitoze dhe nje kandidate e denje per bashkimin europian.Shqiperia me gjithe mend eshte e bukura dheut, por mjaft e plagosen, e fyen, e perdhunuan dhe perseri ajo me gjithe mekatet tona na mban ne token e saj, me shpresen qe shqiptari me ne fund do ti sherbeje asaj dhe vetes. Opozita te respektohet dhe eshte normale ,por ndeshkimi do behet. Nuk ka tallje me te madhe, te shikosh armikun dhe kriminelin e vendit tend, qe e vodhi e tjetersoj pronen private dhe publike ,dhe te mos reagosh. Shteti ligjor kerkon shpagim,prandaj Rama mbi programin ekonomik eshte votuar per te bere shtet. Prandaj saliu dhe banda, i meshojne programit ekonomik. Jo sali ,se kuptuar voten e 23 qershorit ,ajo eshte mbi te gjitha per shqiperi me shtet te se drejtes dhe jo shtet vetem per oborrin. Para drejtesise saliu dhe ministrat hajdute.
NJe fjalim madheshtor, por qe ta vleresosh si te tille duhet te ngrihesh ne nivelin e nje qenie te larte njerezore.
Te lumte edi rama je I madhe dhe gjithmone do jesh ne zemrat e shqiptareve sepse I dogji kriminelave ne krye te sali berishes qe pa pike turpi vjen ne parlament per ambicje po populli shqiptare duhet ta kuptoje se kjo parti demokratike eshte nje parti kriminelesh dhe eshte nje parti e zhytur kembe dhe koke ne llumin e vjedhjes dhe e shkaterrimit te popullit shqiptare me keto veprime qe bene partia demokratike po tregojne para popullit nje urrejtje qe kan per edi ramen dhe plani I tyre eshte qe te mbrojne njeri tjerin sepse te gjithe ata me saliun krye ikane duart e pista prandaj ata mendojne tani qe te bejne trazira qe ti shpetojne ligjit por mjaft me politika e saliut ai meriton burge te perjetshem me gjithe partine e tije sepse ata nuk do japin asnje frute per ne si populle rrofte edi rama rrofte shqiperia
Urime per programin edhe mos e rruj nga asnjeri zoti kreminister je I vetmi deri me sot qe po I jep shpres popullit shqiptar. Ec daku mos U ndal e ke popullin me ty
Udhe te mbare me te gjithe kete bageti qe te vjen mbrapa??
NJE FJALIM SI I ENVERIT NE KONGRESIN E PARE TE PARTISE SE PUNES.
Brockullat pa dogane jane shume ne programin famoz te Edi Rames por qershia mbi torte vjen kur premton akoma te hape me shkp magjik 300 mije vende pune te reja ne kohe krize ekonomike. Kjo me te vertet e ka mbushur kupen dhe nuk le dyshim qe Edi Rama i beson MREKULLIVE qe ja servirin dallkauket e tij. Vetem si perhere Edi Rama nuk jep asnje hollesi si do ta realizoje kete premtim te hershem elektoral, qe tani i jep ngjyra serioze pushteti? Sepse historia e ekonomise Boterore na meson qe vendet e reja te punes i hap BIZNESI privat dhe jo Partia Socialiste. Ne kete menyre vendet e punes i hapte Enver Hoxha fet e fet duke i shpallur me pare shqyptaret ARMIQ TE POPULLIT dhe me pas i dergonte te hapnin galeri minierash, tarraca per toka buke dhe per te ndertuar bunkere si skllever prehistorike ne vendin e tyre. Per keto vende pune e ka fjalen Edi Rama. Sepse po te ishte keshtu me te vertet do te jepnim kete vleresim per hartimin e Edi Artistit ne dallim nga debilet enveriste qe i ka pelqyer kaq shume:
NJE FJALIM SI I ENVERIT NE KONGRESIN E PARE TE PARTISE SE PUNES.
Kryeminister me te tere kuptimin.
Hahahhaa sa erdhi Rama e ndryshoi foltoren si kolibe qeni te kuvendit. Sma do mendja qe edhe te tjerat ti lere keshtu. Manushaqja e ka kthyer kuvendin si klase mesimi per gjimnaz me keto kompjutera. Njerez te trashe maloke, vodhen dhe qimen e derrit po prape ngelen derra injorante e pa shije.
Bravo ,te urojme suksese ne drejtimin e qeverise se re.Nje fjalim qe plotesoi pritshmerite e publikut shqipfoles ,jo vetem te 1 milion shqiptareve qe votuan ndryshimin por me shume se kaq,ne shqiperi,kosove dhe kudo ne diaspore.
Nje fjalim programatik ,pa shifra dhe lojra si dikur dhe kjo menyre komnikimi nuk pertypet dote nga zjarrvenesit dhe hajdutet e shqiperise.
populli thote:Qente le te lehin karvani te ece perpara: dhe keshtu do te ndodhe sepse populli i heq mbi shpatullat e tij varferin,poshtersin ,krimin dhe gjithe poshtersite e bera ndaj tij ne keto 20 vjet.Askush me mend ne koke nuk pretendon se Z.Rama dhe qeveria e tij ka ne dore shkopin magjik,por ne kerkojme dinjitet,dhe te mos degjojme me ne parlament dhe kudo gojete e ndyra qe kudermojne vetem qelbesire.Kjo eshte pritshmeria jone ,populli deshiron drejtesi,dinjitet sigurin e jetes dhe hapsira dhe alternativa per rritjen ekonomike te tyre.
UROJME ME GJITHE QENIEN TONE QEVERINE E RE SUKSESE NE PERMBYSHJEN E DETYRES DHE TE ASPIRATEVE E PRITESHMERISE SE POPULLIT SHQIPTARE.
PO pra un me edi ramen isha thashe shyqyr qe na iku saliu dhe shpetuam mire po po ta lexhonit prigamin thote un do ta ndaj token me ligjin 7501,dmthn kur e punon token eshte e vetja,dmthn me pak fjale prap vrasje prap korrupsion,prap gjakderdhe sepse e kane shume te veshtire ta largojne vendimin komunist,po nuk e kthyen token tek i zoti asnje gje nuk do behet,dhe do rrijme larg europes dhe prap neper gjyqe europiane me gjoba te medha,persa i perket progamit djeter ok ishte i bukur dhe mahnites por cdo gje fillon nga prona,(nuk jam as PD,as PS por jam demokrat dhe jo me partite)