Urdhri i Mjekëve reagoi sot ndaj lajmeve se një qytetareje i është hequr gjoksi pa pyetur në Spitalin Hygeia në Tiranë.
Në një deklaratë për shtyp, kryetari i Urdhrit të Mjekëve, Dine Abazi thotë se “Urdhri i Mjekëve organizoi dhe kontrolloi gjithë kartelën klinike të pacientes në fjalë, përmes një grupi ekspertësh. U bë po ashtu kontrolli i kartelës klinike, procedurave dhe protokollit të kryer”.
Sipas Urdhrit të Mjekëve, “procedura dhe protokolli i trajtimit ka qenë korrekt dhe sipas gjithë standardeve të mjekimit, konform standardeve të një mjekimi bashkëkohor”.
“Ekzaminimet klinike dhe laboratorike e konfirmojnë indikimin absolut për heqjen e gjirit. Lidhur me këtë, rezulton se është informuar e sëmura dhe është marrë miratimi me shkrim dhe i të afërmve të saj.
Urdhri i Mjekëve bën apel që për ankesa të tilla të ngjashme, të drejtohen pranë tij për të kontribuar në një sqarim të shpejtë dhe profesional të situatës,” thuhet në deklaratën e Urdhrit të Mjekëve./ep