Maurico Zamparini mund të ketë hyrë në librin e rekordeve për shkarkimin e trajnerëve. Dhe, kjo presidentit të Palermos nuk i bën shumë përshtypje. Me përjashtim të shkarkimit të Rino Gatuzos, i cili, sipas vetë Zamparinit, e ka bërë të vuajë.
“Unë isha i vetmi humbës me Rinon. Ishte një bast, të cilin isha i bindur se do ta fitoja. Kam shkarkuar shumë trajnerë, por kurrë nuk kam vuajtur si kësaj here.
Rino është një person i shkëlqyer, i kam dërguar mesazh ngushëllimi dhe do të takohem me të shumë shpejt, për të rikonfirmuar respektin tim për të.
Bëra gabim, Gatuzo më bindi për shkak të vendosmërisë dhe ideve, por fatkeqësisht rezultatet na ndëshkuan neve.
Unë e ndërrova mendjen për ta larguar atë pas javës së dytë. Por, ne duhet të fitojmë kampionatin këtu, nuk ka kohë për të eksperimentuar. Gatuzos i mungoi përvoja gjatë momenteve të vështira, por ai do të zhvillohet në një trajner të shkëlqyer”, ka thënë Zamparini.
Palermo këtë sezon luan në Serinë B dhe kërkon që të ngjitet sa më parë në Serinë A.