“Çmendet” Alban Meha, gol nga kornia (VIDEO)

9 Dhjetor 2013, 15:10Sport TEMA

Super Alban Meha. Fantazisti i Kombëtares shqiptare ka qenë protagonist absolut në fitoren 4-2 të Paderbornit në fushën e Alenit në Bundesligën e Dytë gjermane: gol nga goditja e këndit, asist në rastin e golit të dytë, merr pjesë në golin e tretë dhe të avantazhit për ekipin e tij dhe në fund shënon sërish vetë, duke vulosur fitoren e Paderbornit, raporton “Panorama Sport”. Skuadra e mesfushorit shqiptar do të kalonte në avantazh në minutën e 12-të, pikërisht me “snajperin” kuqezi: kros në zonë për Paderbornin, portieri vendës tenton ta grushtojë topin, por i rrëshqet nga duart dhe përfundon te këmbët e Mehës, i cili gjuan direkt, duke shënuar.

Në fakt, avantazhi do të zgjaste vetëm 6 minuta, pasi Alen do të barazonte me anë të Klaus. Por Meha do të merrte ekipin në dorë. Si fillim provon me një goditje nga jashtë zone në minutën e 27-të, e cila u neutralizua nga portieri i Alen. Pas disa përpjekjesh, në minutën e 39-të mesfushori shqiptar do të dërgonte një top të shkëlqyer në zonë, i cili shfrytëzohet mjaft mirë nga Sane, dhe Paderborni sërish në avantazh. Mirëpo as ky avantazh nuk do të zgjaste shumë: tri minuta më vonë Gresh do të barazonte dhe ky do të ishte rezultati i pjesës së parë, me Mehën që i shpëtoi paq një ndërhyrjeje tepër të rrezikshme ndaj tij në minutën e 45-të.

Fraksioni i dytë i lojës do të niste sërish me Padebornin përpara dhe, natyrisht, me Alban Mehën protagonist. Minuta e 54-t, shqiptari krijon një korridor të shkëlqyer në të hyrë të zonës për Deme, i cili dërgon topin te Vurtc dhe ky i fundit e shtyn për në rrjetë, 2-3 për Paderbornin. Nuk mbaron me kaq. Në minutën e 65-të Meha provon nga një goditje dënimi prej 30 metrash, me topin që përfundon vetëm pak centimetra larg shtyllës së djathtë. Por në minutën e 72-të do të vinte dhe goli i fitores: Alban Meha do të merrte përsipër si gjithmonë goditjen e këndit në anën e majtë të fushës, por topi nuk shkoi thjesht në zonë. Falë edhe gafës së portierit Fejziç, i cili tentoi që ta grushtonte, topi i kalon mes duarve dhe përfundon direkt në rrjetë. Supergol nga goditja e këndit dhe një pasdite për t’u mbajtur mend nga mesfushori i përfaqësueses shqiptare. Në minutën e 90-të, 26-vjeçari do të dilte nga fusha për t’ia lënë vendin Vuçinoviçit.

Pas kësaj fitoreje Paderborni merr vendin e 8-të në klasifikim me pikë të barabarta (nga 23) me Sandauzenin. Ndërkohë për këtë sezon Meha ka shënuar katër gola: dopietë në takimin e djeshëm, një gol ndaj Sandauzenit në humbjen 3-2 dhe një ndaj FSV Frankfurtit në fitoren 4-2. Por kujtojmë që mesfushori ka nisur të luajë vetëm në fund të shtatorit, pasi pësoi një dëmtim të rëndë në gju që në maj, në takimet e fundit të sezonit të shkuar.

2 komente në ““Çmendet” Alban Meha, gol nga kornia (VIDEO)”

  1. "BALASHI" says:

    I mrekullueshmi Meha. E pashe ate mrekulli te tij. Suksese. Pergezime.

  2. sky says:

    qenka cmend portierit thuaj… prandaj eshte cop cop kombetarja jone se lojtaret tane lujn ne keto kampionate amatore… Nejse bravo Meha. Suksese

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje