De Biazi në hall, te Kombëtarja po luan vetëm mbrojtja

6 Dhjetor 2013, 15:55Sport TEMA

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani de Biazi, ka shprehur pakënaqësi lidhur me aktivizimin e disa lojtarëve të Kombëtares në klubet ku ata militojnë edhe në intervistën e fundit dhënë “Panorama Sport”. Dhe, me të drejtë. Nëse vëzhgon me kujdes të gjitha skedat e kuqezinjve me klubet e tyre, për këtë pjesë të sezonit vëren se një pjesë e madhe kanë shumë pak minuta në këmbë, përkundrejt javëve të luajtura deri tani.

Kështu, nëse në Gjermani në Bundesligën e dytë janë luajtur deri tani 16 javë kampionat, një lojtar si Odise Roshi, i cili në ekipin tonë përfaqësues konsiderohet si një titullar, ka luajtur në 12 ndeshje, duke regjistruar vetëm 283 minuta lojë. Kjo tregon se lojtari ka bërë shumë pak takime si titullar, ose edhe kur ka luajtur nga minuta e parë, është zëvendësuar menjëherë në të dytën, raporton “Panorama Sport”.

Por, Roshi është një ndër të shumtët futbollistë të Kombëtares shqiptare që vuajnë këtë sindromë. Kështu mund të thuhet pa frikë se, nga kuqezinjtë e grumbulluar së fundmi nga De Biazi, vetëm mbrojtësit janë në aktivitet të plotë dhe luajnë thuajse rregullisht me skuadrat e tyre. Duke filluar që nga Lila, Teli, Osmani, Mavraj, Dallku, Arapi, Hysaj, Cana e Agolli, të gjithë luajnë titullarë me ekipet e tyre.

Ndërkohë, shqetëson mesfusha dhe sulmi, pasi shumë lojtarë ose vijnë nga dëmtimet, ose nuk konsiderohen si titullarë nga trajnerët përkatës, ose ka edhe që, edhe pse aktivizohen rregullisht, nuk grumbullohen nga De Biazi për arsye nga më të ndryshmet. Por, ajo që vlen më shumë në këtë rast, është fakti se nga mesfushorët e konsideruar si titullarë, vetëm Bulku dhe Meha luajnë rregullisht (ky i fundit vjen nga një dëmtim në gju).

Ergys Kaçe është i pezulluar nga klubi dhe s’luan prej dy muajsh, Valdet Rama aktivizohet gjithnjë si zëvendësues dhe Migjen Basha nuk ka bindur akoma trajnerin e Torinos për të qenë një titullar i padiskutueshëm. Sakaq, Vila luan te Janina, por jo në Kombëtare. Ashtu sikundër edhe Lenjani, Lilaj, Gashi, Abrashi dhe Memushaj. Ndërsa Hyka, Gjasula dhe Vajushi, edhe pse kanë luajtur rregullisht te skuadrat e tyre, janë lënë jashtë nga De Biazi, duke u konsideruar si të panevojshëm.

E njëjta situatë edhe në sulm, ku Agon Mehmeti luan shumë pak në Portugali, Bekim Balaj nuk po gjen “rehat” as në Poloni, Hamdi Salihi është në fazë pushimesh pasi në Kinë ka përfunduar kampionati, Edgar Çani është aktivizuar në disa ndeshje, por ka zhgënjyer totalisht, ashtu sikundër edhe Ahmed Januzi. Në këtë repart mund të “krenohemi” vetëm me Armando Sadikun dhe Edmond Kapllanin, por ky i fundit nuk konsiderohet nga tekniku kuqezi.

1 komente në “De Biazi në hall, te Kombëtarja po luan vetëm mbrojtja”

  1. Fieraku 71 says:

    Ne kombetare nuk mund dhe nuk mund te luaj nje lojtar I cili nuk luan me klubin.nuk besoj te kete nje kombetare me rezervat e klubeve.basha duhet te luaje qe te thirret ne kombetare,kace gjithashtu.
    Kur te luajne me klubet jane me se te mirepritur nga te gjithe.
    Eshte e papranueshme ,madje skandaloze te jesh rezerve me klubin dhe titullar me kombetaren.
    jo te luash me klubin por te jesh lider atje.
    Kush paraqitet mire ne dhe gezon forme bujrum,ndryshe asnje se ka me tapi vendin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje