Sulmuesi uruguajan, Luis Suarez, ka tërhequr edhe një herë vëmendjen rreth tij, pas paraqitjes spektakolare kundër Noruiç, ku arriti të shënojë katër gola dhe të japë një asist.
Suarez shënoi tre gola njëri më i bukur se tjetri brenda 20 minutave, duke treguar gjithë talentin e tij.
Për këtë arsye, trajneri i Liverpulit, Brend Roxhers, ka thënë se Suarez është po aq i mirë sa dy futbollistët që konsiderohen si më të mirët për momentin, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo.
“Ai është padyshim një nga sulmuesit më të mirë në botë, në të njëjtin nivel me Mesin dhe Ronaldon. Ai është vetëm 26 vjeç dhe ka ende mundësi që të përmirësohet”, ka thënë Roxhers.
Ai u shpreh se Suarez është në kulmin e lumturisë dhe se te Liverpuli mund të japë maksimumin, duke qenë se i përshtatet lojës së tij. Me këtë, Roxhers kërkon të shmangë një largim të mundshëm të Suarez, i cili kërkohet me ngulm nga Real Madrid, por edhe Arsenal.