Një blic mbi bilancin e një “lufte pa fund”

19 Dhjetor 2013, 21:50Kulturë TEMA

Sot u promovua në Tiranë libri i publicistit dhe shkrimtarit Pëllumb Kulla, “Një luftë pa fund”, botuar nga UET. Gazeta Tema po sjell parathënien e këtij botimi shkruar nga Filip Cakuli dhe Mero Baze

 

Kur një njeri rri kaq gjatë në jetën publike, si artist, si politikan dhe publicist, e ka të nevojshme, dikur, të mos ketë dëshirë t’i kujtosh ndonjë pjesë të jetës, apo qëndrimeve publike. Pëllumb Kulla, është një “diktator” i cili ka sunduar rreth njezetekater vjet në publikun shqiptar, dhe jo vetëm që nuk ka asgjë për t’i ardhur keq nga jeta e tij, por është aq arrogant sa do të na i tregojë të gjitha.

Ky është thelbi i kësaj përmbledhje me artikuj, letra, fjalime dhe intervista që po shkon në duart e lexuesit shqiptar. Në këtë vëllim, autori ka bërë një shtegtim në jetën e tij dhe ka përzgjedhur në të, jo atë çfarë i intereson sot, por atë që për të ka qenë e rëndësishme kur ka ndodhur. Ky kriter, i jep vlerë identitetit të autorit dhe respekton jetën, mendimet, vlerat dhe marrëzitë e tij në kohë, pa vrarë mendje nëse sot janë të përshtatshme apo jo.

Respekti ndaj gjërave të vërteta që njeriu ka menduar dhe bërë në jetë, është në të vërtet një kriter themelor që ndan personalitetet, nga nëpunësit, krijuesit nga punonjësit e artit, publicistët nga punonjësit e shtypit, dhe intelektualët nga të diplomuarit. E vërteta është një element kyç që të bën të talentuar, kur e respekton atë. Edhe pse krijimtaria shpesh vulgarizohet nën mitin e të qenit trillim, në të vërtet ajo mbetet në këmbë, vetëm kur është e vërtetë dhe kur ai që e ka krijuar e ka besuar vetë.

Pëllumb Kulla, meriton të skanohet dhe një herë në këtë moshë nga publiku shqiptar, për t’u parë herë me humor e herë me nerva, si ka menduar në kohë, si ka reflektuar në kohë, dhe si po i mbijeton sot, një sistemi që ka mungesa vlerash dhe standardesh për të klasifikuar vlerat e shoqërisë në kohë.

Vëllimi “”Luftë pa fund”, është nj dëshmi e gjallë e një mënyrës se si një intelektual shqiptar ka jetuar diktaturën  tranzicionin dhe dështimet e demokracisë. Libri është një pasqyrë e gjallë e asaj se si një intelektual nuk mund të heshtë, nuk mund të rrijë mënjanë, nuk mund të bëjë sikur nuk e ka mendjen, apo sikur nuk e shikon çfarë po i ndodh shoqërisë së tij, edhe kur ai jeton larg saj. Përkushtimi i Pëllumb Kullës ndaj artit, satirës, politikës dhe publicistikës, është një standard, i cili i bën mirë shoqërisë shqiptare. I bën sidomos në këtë krizë të rëndë morale që po kalon, ku debati më i madh i saj është për lojërat e fatit, se sa për fatin e kulturës, për ndërtimet pa leje, se sa për ndërtimin e një shoqërie me vlera, për kultivimin e drogës më shumë se sa për kultivimin e dijes dhe kulturës.

Libri përmban disa rubrika, ku artikujt klasifikohen sipas tematikës. Për tifozët e politikës, ka plot artikuj politikë të Kullës, të botuar qysh pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri. Për të tjerë, që kanë dëshirë të lexojnë për diplomacinë, kanë fjalimet e tij në OKB dhe letra drejtuar miqve të tij politikanë, diplomatë apo gazetarë. Për amatorët e artit ka plot krijime të tij në fushën e satirës, tregimeve humoristike, skeçeve, fejtoneve, etj. Për ata që duan ta shikojnë si publicist, ka plot portrete të tij skicuar për njerëz të shquar të këtij vendi, dhe për ata që duan ta shikojnë të egërsuar, ka plot shkrime të hidhura për “hajdutë” të huaj dhe “hajdutë të vendit tim”.

Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm, mes banalitetit dhe komercializimit të vlerave vulgare nga një anë, dhe sqimës e sistemit të rrezikuar të vlerave në anën tjetër. Kryqëzimi është historik, pasi në anën e banalitetit dhe komercializmit janë miliona euro në dispozicion dhe një tabor njerëzish pa emër dhe  pa fytyrë, kurse në anën tjetër ka pak njerëz që nuk lodhen së treguari se kush është sistemi i vlerave dhe standardi që duhet të respektojë shoqëria, edhe pse nuk paguhen për këtë gjë.

Kjo është një betejë që shoqëritë perëndimore e kanë fituar duke hequr dorë nga komercialzimi i vulgaritetit dhe duke çuar në bashkejetesë të vlerave me marketingun.

Në këtë aspekt, do të deshim të falënderojmë kolonën botuese të Universitetit Evropian të Tiranës, i cili ka sjellë për publikun kohët e fundit, një sërë botimesh që nuk bazohen tek komercialiteti, por tek sistemi i vlerave. Një botim i tillë është dhe “Lufta pa fund” e Pëllumb Kullës, i cili është një leksion i hapur për studentë, gazetarë, por dhe për intelektualët shqiptarë, për mënyrën se si duhet ti përkasin shoqërisë.

 

 

4 komente në “Një blic mbi bilancin e një “lufte pa fund””

  1. UET says:

    FOTO ILUSTRUESE E PROMOVIMIT TE LIBRIT:
    http://goo.gl/ZYnalb

  2. "nn" says:

    Kulla nje njeri me ide e i respektuar. Na ka mbajtur gjalle me humorin e tij per shume vite ne nje kohe qe humori mungonte

  3. mimmo says:

    Pellumb Kulla eshte nji figure dinjitoze jo vetem per humorin ,por njikohesisht edhe per kurajon civile ne qendrimin moral ndaj gjithe fenomeneve shoqerore negative qe fatkeqsisht i ndeshim vazhdimisht. Ndjek me shume deshire cdo shkrim te Pellumb Kulles.Shoqeria shqiptare ka shume nevoje per shkrime te tilla! Pershendes dhe uroj te mos na harroje, presim te tjera! Shendet e gjithe te mirat!!! Mimmo!

  4. Zemani says:

    Nga unë Zemani, o Pëllumb Kulla
    I ke urimet me okë
    Se je nga ata burra
    Që rrallë të ngjendet shok

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje