Kryeministri kroat Zoran Milanovic ripërsërit mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, ndërsa vë theksin në shtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat me interes reciprok.
Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Tiranë, Milanovic u prit në një takim nga Presidentin Bujar Nishani, ku u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Kryeministri kroat tha gjithashtu se bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh mes vendeve tona mbetet në vëmendjen e qeverisë kroate dhe e konsideroi realizimin e Projektit Adriatiko-Jonian si me shumë interes për daljen e vendeve të rajonit në tregun evropian.
Presidenti Nishani tha se kjo vizitë ka një rëndësi shumëdimensionale, sepse Kroacia është një vend mik, bashkudhëtare në procesin e anëtarësimit në NATO dhe një bashkëpunëtore e afërt në procesin e integrimit evropian dhe shtoi se, Kroacia është një aleate e rëndësishme për Shqipërinë në rajon, dhe, për këtë arsye, ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve tona me këtë vend.
Ai u shpreh se Shqipëria e konsideron anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, si një portë më afër Evropës për vendin tonë, ndërsa shprehu bindjen se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë më fort Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Kreu i Shtetit më tej, vlerësoi lart edhe mbështetjen kroate ndaj gjithë rajonit, duke theksuar se Procesi i Brdos, ku Kroaci ka rol drejtues, po i shërben rritjes së frymës së dialogut, mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, shkëmbimit të eksperiencave dhe kontakteve me vendet partnere të BE-së.
Si fusha të rëndësishme, ku mund të thellohet bashkëpunimi dypalësh, Presidenti veçoi, energjetikën, turizmin dhe bujqësinë, ndërsa nënvizoi se zbatimi i projekteve të rëndësishme si ai Adriatiko-Jonian duhet të jenë prioritet i këtij bashkëpunimi dhe bashkëpunimit me vendet e interesuara dhe Bashkimin Evropian.