Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidhas Rokanas, vendi i të cilit ka Presidencën e Bashkimit Europian në 6 mujorin e parë të 2014, prezantoi para Komisionit parlamentar për Integrimin prioritetet e Presidencës greke.
Sipas diplomatit grek, prioritet i parë gjatë Presidencës greke do të jetë rritja e punësimit dhe kohezionit.
“Kjo është diçka që e duam të gjithë popujt e BE-së. Duam rritje ekonomike në Evropë dhe kohezion gjithashtu. Kriza nuk ka qenë katastrofike, pikërisht prej kohezionit, ndaj kemi mundur të dalim nga kjo krizë”, tha Rokanas.
Thellimi i integrimit evropian, që përfshin thellimin e eurozonës, por edhe promovimin e bashkimit ekonomik, qeverisjes ekonomike, bashkimin bankar dhe mekanizmin e garancive për depozitat, u rendit si prioritet i dytë i Presidencës greke të BE-së nga ambasadori Rokanas.
Në këtë kuadër ai u shpreh se “ky mekanizëm shërben për ruajtjen e kursimeve të përditshme të qytetarëve”.
Si prioritet të tretë, Rokanas përmendi sigurinë, e cila përfshin emigrimin, lëvizjen dhe mbrojtjen e kufinjve.
“Synohet një lehtësim i mbrojtjes së qytetarëve. Menaxhimi i kufinjve dhe emigracioni ligjor është sfidë e madhe për vendet e BE-së. Qëllimi është trajtimi i emigrantëve dhe kufinjve në mënyrë sa më njerëzore”, tha ai.
Së katërti, vijoi Rokanas, “janë politikat detare, të cilat synojmë t’i mbrojmë dhe promovojmë. Do të promovojmë rritjen e zhvillimit blu.Çdo aktivitet lidhur me detin ka rëndësi për zhvillimin e bregdetit dhe turizmin, që janë të rëndësishme edhe për Shqipërinë. Gjithashtu do të bëhet edhe promovimi i inisiativës Adriatiko-Joniane. Shqipëria ka Presidencën e radhës të kësaj inisiative, e cila synon krijimin e një strategjie të BE për këtë inisiativë. Synohet që KE të dalë me një raport për këtë çështje dhe vendimi zyrtar do të dalë gjatë Presidencës italiane. Kjo inisiativë ka sjellë 4 prioritete që janë; politikat e zhvillimit ndërkombëtar, turizmi, mjedisi dhe transporti”.
Në prani edhe të ambasadorit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi, Rokanas vlerësoi reformat e ndërmarra deri më tani nga Shqipëria, ndërsa theksoi se zgjedhjet e 23 Qershoritu zhvilluan në mënyrë të kënaqshme. Sipas diplomatit grek, Shqipëria ka dhënë prova që ka kapacitete për të ecur përpara.
“Ky vit është i rëndësishëm për BE-në, Greqinë dhe Shqipërinë. Greqia po del nga kriza ekonomike dhe rezultatet e deritanishme janë inkurajuese. Rezultatet i kemi pasur të mira në të gjithë rajonin Ky do të jetë viti i rëndësishëm për BE-në, sepse do të zhvillohen edhe zgjedhjet. Prioritet kryesor i BE-së mbetet zgjerimi dhe kjo është parë edhe tek konkluzionet e dhjetorit. Ministrat janë angazhuar në perspektivën evropiane të këtij rajoni. Zgjerimi mbetet një nga politikat kryesore të BE-së”, tha diplomati grek.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi, në fjalën e tij theksoi se, “presidenca ka rol në sistemin evropian sepse ka të bëjë me promovimin dhe nxitjen e çështjeve të veçanta në axhendën e BE-së. Koordinimi me ambasadën që përfaqëson Presidencën e BE-së në Bruksel është i rëndësishëm. Ky do të jetë viti i vendeve të Mesdheut. Jemi të angazhuar për suksesin e Presidencës dhe të Shqipërisë”.
Sequi gjithashtu drejtoi edhe një mesazh për Evropën dhe Shqipërinë. “Po dalim nga një krizë dhe duam një Evropë që të mos udhëhiqet nga frika, por nga shpresa. Ky është angazhim i të gjitha vendeve anëtare dhe i të gjitha Presidencave”, tha Sequi.
Kryetarja e Komisionit të Integrimit, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu u shpreh se, “këto muaj të Presidencës greke në BE janë me sfida, prandaj uroj që edhe për çështje imediate për Shqipërinë, të jenë sa më frytdhënëse. Greqia dhe Italia e kanë mbështetur gjthnjë integimin e Shqipërisë në BE dhe janë vende mike”.
Nënkryetari i Komisionit të Integrimit, deputeti i PS-së, Taulant Balla kërkoi që, “gjatë Presidencës të kishte aktivitete të përbashkëta mes Komisionit të Integrimit dhe Ambasadës së Greqisë”.
“Rreth 10 vite më parë në Samitin e Selanikut angazhimi i Presidencës greke ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor. Ky angazhim vazhdon edhe sot, prandaj shpresoj që brenda këtij viti Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe Kosova të përparojë me procesin e saj të integrimit dhe të ecë në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Balla.