Si duket për Kosovën asnjë pengesë nuk mund të hiqet në tërësi dhe asnjë problem nuk mund të zgjidhet deri në fund. Edhe pse shtet tash e gjashtë vjet, Kosova në skenën ndërkombëtare vetëm po kalon prej një status quoje në një tjetër.Kjo shihet në të gjitha përpjekjet e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat ndërkombëtare, por edhe në ato rajonale, qofshin ato sportive apo edhe politike. Për tre vjet sa po zhvillohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kemi parë se si të gjitha pengesat që thuhet të jenë hequr për Kosovën falë këtij dialogu janë hequr vetëm pjesërisht dhe me kushte. Kosova mund të marrë pjesë në nismat rajonale, por vetëm duke u siguruar se nuk paraqitet si shtet, me shenja shtetërore, me çka sigurohet se nuk është e barabartë me shtetet e rajonit. Edhe në raportet me Bashkimin Evropian Kosova ka atë fusnotën që shkruhet për të sqaruar yllin (“fjollën e borës që kurrsesi të shkrihet nga emri i Kosovës) dhe në të gjitha dokumentet sigurohet që ajo në asnjë mënyrë të mos trajtohet si shtet i pavarur.
Tash radha i erdhi edhe sportit, futbollit dhe vendimit të aq pritur të Federatës Botërore të këtij sporti, FIFA-s, që Kosovës t’i lejohet të luajë ndeshje miqësore. Edhe ky ishte një lajm që gëzoi shumë njerëz në Kosovë e edhe më gjerë. Madje pati jehonë më të madhe në opinion sesa vetë vendimi i BE-së që të lejojë nisjen e negociatave për një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me Kosovën.
Por edhe vendimi i FIFA-s ishte me shumë pengesa, të cilat, ngjashëm sikur edhe në nismat rajonale dhe në integrimet evropiane, u bënë për t’ia plotësuar dëshirat Serbisë. Kosova nuk u pranua në FIFA e as UEFA, por asaj vetëm iu lejua që të luajë ndeshje miqësore. Në fakt skuadrave tjera kombëtare të cilat janë anëtare të plota të FIFA-s dhe UEFA-s u lejohet që të luajnë ndeshje të tilla me Kosovën. Po ashtu ka edhe kufizime lidhur me përdorimin e simboleve shtetërore nga ana e skuadrës së Kosovës.
Leja e FIFA-s që të ketë mundësi të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare në futboll për Kosovën duket sikur edhe oferta e BE-së për MSA-në. Është një hap pozitiv, por nuk e bën Kosovën të barabartë. Nuk mund të luajë ndeshje zyrtare, pra kualifikime për kampionate evropiane apo botërore, por mund të luajë ndeshje miqësore. Edhe me BE-në mund të ketë një MSA, por jo të trajtohet si shtet i pavarur dhe i barabartë me shtetet tjera të rajonit.
Kosovës për të filluar procesin formal të integrimit në BE, e në këtë drejtim MSA shënon një hap, por nuk e hap automatikisht hapjen e procesit formal për integrim në BE, i duhet të jetë e njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga të gjitha shtetet e tjera. Vetëm atëherë mund të trajtohet si shtet nga BE-ja në procesin e zgjerimit, sepse ky proces përfshin negociatat me shtetet ekzistuese anëtare.
Edhe për anëtarësim të plotë në FIFA dhe UEFA tash kërkohen kushte politike, siç është ajo që Kosova të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këtë e bllokon me kërkesë të Serbisë Rusia e me këtë e bllokon dhe do ta bllokojë edhe në të ardhmen edhe anëtarësimin e plotë në FIFA dhe UEFA. Pra pengesat politike për pjesëmarrjen e Kosovës në garat sportive nuk janë larguar.
Madje duket sikur kushti sipas të cilit për të qenë anëtar i FIFA-s dhe EUFA-s duhet të jesh anëtar i OKB-së është vënë pikërisht për shkak të Kosovës. Më parë nuk ka ekzistuar ky kusht, prandaj në FIFA dhe UEFA ka skuadra të hapësirave që nuk janë fare shtete, siç janë Skocia, Wellsi, Irlanda e Veriut. Edhe Zvicra deri vonë nuk ka qenë anëtare e OKB-së fare, por ka qenë gjithmonë në këto federata të futbollit. Tash para disa muajve edhe Gjibraltari është bërë anëtar i tyre dhe do të luajë edhe ndeshje zyrtare, së pari kualifikuese për Kampionatin Evropian në Francë më 2016. Gjibraltari është një qytet me rreth 30.000 banorë, i cili gjendet pothuajse në një shkëmb në ngushticën që lidh Mesdheun me Oqeanin Atlantik apo ndan Afrikën dhe Evropën. Ai është nën administratën britanike, por Spanja gjithashtu dëshiron që t’i kthehet asaj. Por ajo që të gjithë e pranojnë, edhe Spanja edhe Britania, është se Gjibraltari nuk është shtet, pra nuk është në OKB, por është edhe zyrtarisht anëtar i FIFA-s.
Arsyetimi i federatës së futbollit pse Gjibraltari është pranuar e Kosova jo ka qenë se “Gjibraltari e ka bërë kërkesën para se të hyjë në fuqi rregullorja e re, ndërsa vendimi është dashur të merret në bazë të rregullave në fuqi në kohën kur është bërë kërkesa”. Pra sipas këtij sqarimi Kosova qenka dashur të ketë kërkuar anëtarësim para se të shpallej pavarësia, ose në kohën e UNMIK-ut, dhe atëherë, nëse do të ndiqte shembullin e Gjibraltarit, do të pranohej.
Sido që të jetë është për të ardhur keq pse Kosova nuk po pranohet me të drejta të plota në federatat e futbollit. Pikërisht kjo po ndodh në kohën kur dhjetëra talente me prejardhje nga Kosova, të cilët potencialisht do të mund të luanin për Kosovën, janë duke shkëlqyer në ligat më të mëdha botërore të futbollit dhe luajnë për skuadrat e suksesshme kombëtare.
Në Botërorin e këtij viti në Brazil do të luajnë më shumë shqiptarë sesa kurdoherë më parë në histori. Hiç më pak se 5 a 6 në Zvicër. Shaqiri, Xhaka, Behrami, Dzemajli, Kasami e ndoshta edhe Mehmedi. Seleksionuesi i Kroacisë thotë se llogarit në Arjan Ademin, mesfushorin defensiv të Dinamos së Zagrebit. Pa gjasa nuk janë as Berisha i ri dhe Bajrami pak më shumë në moshë në Suedi ndërsa, nëse vendos të luajë për Belgjikën, rast të shkëlqejë në këtë ngjarje të madhe do të mund të ketë edhe ylli më i ri i futbollit evropian, Adnan Januzaj.
Tash kur Kosovës i është lejuar të luajë ndeshje miqësore nuk do të ishte korrekte që nga lojtarët, si Shaqiri, Xhaka apo Behrami të pritet që të heqin dorë nga pjesëmarrja në Botërorin në Brazil me Zvicrën për të luajtur ndonjë ndeshje miqësore për Kosovën. Për këtë ka treguar mirëkuptim edhe trajneri i skuadrës kombëtare të Kosovës. Por sikur Kosova të kishte mundësi të luante edhe ndeshje zyrtare atëherë gjërat do të ishin ndryshe. Motivi për të luajtur për Kosovën do të ishte shumë më i madh. Problem për të marrë leje nga skuadrat e mëdha do të jenë edhe sigurimet e lojtarëve nga lëndimet e mundshme, paqartësitë rreth asaj se a vlejnë apo jo edhe për Kosovën pjesët e rregullores së FIFA-s se kur janë të obliguara e kur jo skuadrat t’i lejojnë lojtarët për të luajtur për skuadrat kombëtare.
Një prej pengesave të papritura dhe po ashtu të padrejta është edhe ajo që Kosova të mos ketë mundësi të luajë me skuadrat nga ish-Jugosllavia. Është më se e qartë se Serbia ka insistuar pikërisht në këtë për të parandaluar që ndeshja e parë e Kosovës të jetë kundër Kroacisë. Edhe ashtu Serbia e ka të vështirë të pajtohet me faktin se Kroacia është kualifikuar për botëror, ndërsa Serbia jo. Ta shohin Kroacinë të luajë kundër Kosovës do të ishte për Serbinë një goditje e rëndë. Edhe vetë e kanë thënë këtë duke komentuar paralajmërimet e kryetarit të Federatës Kroate të Futbollit, futbollisti legjendar, Davor Shuker, se Kroacia do të jetë e para që do të luajë me Kosovën. “Provokim i rëndë ndaj Serbisë” ishte reagimi aspak sportiv nga Beogradi.
Në një gazetë kroate javën e shkuar është shprehur keqardhje pse Kroacia nuk do të mund të jetë e para që do të luajë për Kosovën. Kroatët e dinë vet se çfarë rëndësie ka një simbolikë e tillë dhe sa gjatë mbetet në kujtesë. Edhe pse ka dalë e treta në botë në vitin 1998, edhe pse e ka mposhtur disa herë Italinë, Gjermaninë apo Anglinë, kroatët edhe sot e kësaj dite më së shumti e mbajnë në mend ndeshjen e parë miqësore të Kombëtares së tyre kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj edhe i gëzoheshin shumë mundësisë që Kroacia të luante kundër Kosovës. Një prej doajenëve të gazetarisë së sportit në Kroaci, Tomislav Zhidak, nga “Jutarnji listi” i Zagrebit, në fakt thotë se edhe ashtu në fillim të marsit “Kroacia do të luajë kundër Kosovës, jo në Prishtinë, por në Zvicër!” Me këtë mendon në faktin se përballë vetes në ndeshjen miqësore kundër Zvicrës kroatët do të kenë Zvicrën me gjysmën e skuadrës me shqiptarë.
E Serbia me sjelljen e saj po e dëshmon se sporti është thellë i zhytur në politikë dhe i politizuar. Sikur të mos ishte ashtu dhe sikur sporti të shfrytëzohej për të krijuar ura e jo mure, Serbia do të ofrohej të zhvillonte dhe vetë ndeshje miqësore me Kosovën. Nëse dy kryeministra mund të takohen, të hanë dhe të pinë bashkë, të merren vesh për shumë gjëra, pse të mos mund të luajnë futboll mes vete Kosova dhe Serbia.
Por në Serbi duket se vlen një thënie e një kolegu serb se “pa marrë parasysh sa shtete do ta njohin Kosovën, në sa organizata politike ndërkombëtare do të anëtarësohet, serbët realitetin se Kosova është shtet i pavarur do ta kuptojnë vetëm kur të shohin Kosovën duke luajtur futboll kundër dikujt”. Këtë mundësi do ta kenë serbët së shpejti, por do të ishte më mirë sikur vendimi të ishte i plotë, që Kosova të mund të luajë ndeshje zyrtare për kualifikime në Evropian dhe në Botëror, ndërsa shteti i Kosovës të mund të ketë MSA me BE-në sikur të gjitha shtetet dhe të aplikojë për anëtarësim. Do të ishte mirë të kishim një garë mes politikanëve dhe futbollistëve, të vinim bast se a do të kualifikohet më parë Kosova për të luajtur në ndonjë kampionat botëror apo evropian apo do të anëtarësohet më parë në Bashkimin Evropian. Për nga kualiteti në ushtrimin e profesionit të tyre, për nga respekti që gëzojnë në Kosovë dhe jashtë Kosovës, futbollistët me prejardhje nga Kosova janë shumë para politikanëve.
*KOHA DITORE
QARTËSIA e një NËNPOROSIE
BE, FIFA, DIVA, MIFA, na japin sinjale të qarta për bashkim shtetëror.
Ne jemi Shqipëri dhe kombëtarja jonë është SHQIPËRIA.
KOSOVA është parodi shtetërore, na thonë ndërkombëtarët, ndërsa ne jemi të verbër dhe leshko.
Te lumte Hodo