21 Janari, qokat dhe drejtësia

20 Janar 2014, 19:37Blog TEMA

Nga Fiqiri Xibri

 

Sot daton për të katërtën herë 21 janar.

I pari “21 janar” i përket kobit kombëtar. Është dita e zezë kur kuptuam se paskëshim rrëshqitur në tirani. Është dita kur pamë qartazi se si shteti nga dorë e ashpër e një kujdestareje punëshumë, transformohet në një monstër gjakatare që ngazëllehet së shqyeri këlyshët e vet. Është dita kur kuptuam se sa shumë kishim heshtur, sa shumë e kishim ulur qafën e lodhur, sesa pak vlente qafa jonë prej nënshtetasi përkundër epshit prej pushtetasi.

Është dita kur na vranë dhe na u hakërryen duke na emërtuar vrasës dhe vetëvrasës. Na vranë dhe na kërcënuan për më keq nëse do guxonim të hidhëroheshim. Na vranë dhe na përqeshën. Është dita kur me falanga frikacakësh dhe qensh që dinë të hanë vetëm pas shpine u turrën dhe terrorizuan e dhunuan kafshërisht njerëz të pafuqishëm, që paqësisht drejtoheshin për në punë të tyre mbasi beteja kish përfunduar dhe bajonetat ishin ulur.

Është dita kur me të gjallë e me të vrarë pushteti na përbuzi si kokëpalarë.

Është dita që u dha fund protestave. Kjo jo për mungesë kurajoje të familjarëve të të vrarëve apo të dhunuarve barbarisht nga tirani. Opozita e ndryshoi taktikën, qytetarët dhe ata që e pësuan nuk kish se si mbathnin potkonjtë për luftë pa objektiva, pa organizim dhe udhëheqje. Taktikën e bën paria dhe partnerët strategjikë.

I dyti “21 janar” ishte një ditë me një opozitë mjaft të angazhuar me aktivitete përkujtimore. Qytetarët më pak. U derdhën lot e u ngritën lart dëshmorët e një viti më parë. Shpirtërat e paqetësuar ofshanë në një jehonë të mbytur brenda kraharorit. Të papushtetshmit e politikës premtuan drejtësi. Ne kokëpalarët u qetësuam disi dhe rendëm drejt statukuosë sonë të stresimit të përditshëm.

I treti “21 janar” i ngjasonte më shumë një qoke për tu kryer, sesa një përkujtimoreje përmallimi dhe përbetimi. Politika ishte e zënë me fushatën elektorale, e cila këtë radhë kishte trokitur tepër shpejt në dyert e aktivistëve të partive.

Dhe ja, sot është i katërti “21 janar”. Ne kokëpalarët presim të shohim ndonjë rreze të depërtojë në sistemin e drejtësisë,  kalbëzuar gjer në gen nga korrupsioni dhe diktati politik. Shpresojmë dhe presim sepse ish opozita i ka tundur fort dhe pa drojë kambanat e premtimeve për drejtësi.

I kemi quajtur dëshmorë dhe martirë ata 4 fatkeqë që patën fatmadhësinë të bien theror në betejën e opozitarizmit. Por a prehen të qetë shpirtrat tyre dhe a ndjehemi të qetë ne kur flasim për dëshmorë e martirë, ndërsa tirani pëllet e turfullon me kërcënime mu ndër hundë të fitimtarëve. Kur makineria terrorizuese dhe vrastare si edhe sistemi okult paralel me shtetin, që e dirigjonte këtë makineri janë ende aktivë?

Ishte vizioni dhe merita e Ramës dhe ekipit të tij, që zëvendësuan betejën në bulevard me betejën për votën. Por ishte merita e atyre më se 1 milion shqiptarëve që me rendjen masive drejt kutive të votimit zhvlerësuan vjedhjen dhe makinacionet turlilloj të vrasësve.

Ne i kemi borxh Ramës vizionin dhe udhëheqjen në betejën paqësore për votën. Rama na ka borxh besimin që i dhamë duke e votuar dhe dhënë fuqinë për ndryshim. Radha është e Ramës.

Që “21 janari” të mos shndërrohet në një qokë që duhet harruar, por në një kujtesë dhe ripremtim për të vepruar. Drejtësia e vret hakmarrjen, na qetëson shpirtrat të gjithëve dhe na mundëson bashkëjetesën.

6 komente në “21 Janari, qokat dhe drejtësia”

  1. LEDRA says:

    me ne fund nje artikull ku gjaku bucet.Ka shprese perseri!

    1. fl says:

      Dakort jame me cfare shkruhet. Vetem se me kete “kokepalaret” mos abuzoni shume…. u tha si u tha ate dite te tensionuar!

      Sepse pa votat e atij – do fitoje nja 70 e kusur deputete, 3 ti blente e 3 ti merrte me KQZ dhe kushedi cfare do behej sot…nuk do ishte perkujtomore me lule.

      Prendin dhe Llupon do i kishte te rikthyer ne detyre nga ana tjeter e kangjellave etj etj etj… sa gjema do degjonim keta 4 muaj me Salen perseri ne pushtetet.

      Vete fakti qe sot flasim per ri-gjykim dhe reforme ne drejtesi – vjen vetem fale atij pakti politik. Dhe normalisht qe do behet, se skane nga ja mbajne – ja kerkojne dhe nga jashte me zor.

  2. ILIRET says:

    As mos e sill neper mend se do ndermerret ndonje hap me tej per te ndeshkuar kend per 21 janarin. Mjere te vraret dhe te afermit e tyre…Rama per vete e realizoi qellimin qe pati edhe me 21 janar…

  3. Elio says:

    Duhet guxim profesional pasi drejtuesit e vrasjeve jane me pushtet.Me kete kryeprokuror veshtire se behet drejtesi.

  4. mergimtari says:

    Reforma ne gjyqsore e ka rradhen.Si do te realizohet? eshte detyre e atyre qe me vota erdhen ne pushtet.

  5. fabio says:

    kush flet ai qe u kap me ze e figur duke shperndar 50 mije lekshat per kokpalaret tek ura e lanes me 21 Janarin e pare….Ik o xibraqi se skeni moral te flisni. u ngritet kundra metes dhe sot e keni patericen tuaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje