Swansea City ka konfirmuar se ka prishur marrëveshjen me menaxherin e skuadrës Michael Laudrup. Laudrup arriti të fitojë me skuadrën vetëm një nga 10 ndeshjet e fundit. Por, raporti mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit ishte acaruar gjatë verës, për shkak të përplasjeve rreth përforcimeve të reja. “Është një vendim, të cilin e kemi marrë me ngurrim, por është një vendim për interesin më të mirë të Swansea dhe të tifozëve. Është hera e parë në 10 vite që klubi ndahet me një menaxher në këtë mënyrë, por ne duhej të largonim pasiguritë e vazhdueshme në klub dhe rreth të ardhmes afat-gjate të Michael me ne”, ka thënë drejtori i bordit, Huw Jenkins.
Danezi ndërtoi një reputacion të lartë vitin e kaluar, pasi i solli klubit trofeun e Kupës dhe arriti ta kalojë fazën e grupeve të Europa League. Ai pati oferta nga klube më të mëdha gjatë verës, por zgjodhi të qëndrojë në Liberty Stadium.