Abdurahimi, zgjidhja për sulmin e kombëtares?

3 Shkurt 2014, 15:54Sport TEMA

Jemi vetëm pak ditë para shortit të eleminatoreve për Euro 2016, dhe ndërkohë që çështjet proçeduriale po marrin përgjigje pak nga pak, të gjithë janë kuriozë për të parë në fushë kombëtaren e drejtuar nga Gianni de Biasi. Pikëpyetje të mëdha rezervon sulmi i kombëtares, që siç e ka thënë dhe vetë trajneri, është problemi më i madh. Edgar Çani vazhdon të vërtitet tek ekipet e kategorisë së dytë në Itali, tashmë tek Bari. Salihi me mundësinë e madhe për të luajtur në Europë në disa klube të nivelit të mesëm, zgjodhi të shkonte tek një nga klubet që mbyllin rënditjen në Izrael. I vetmi që jep shpresë është Armando Sadiku, i sapo transferuar tek Zyrihu. Por a mjafton vetëm ai?

Një alternativë për sulmin e kombëtares është dhe një lojtar që nuk është përmëndur kurrë më parë. Fjala është për Besart Abdurahimin, 23-vjeçarin e Hapoel Tel Aviv në kampionatin izraelit. Djaloshi me origjinë nga Gradeci i Iliridës, i lindur dhe rritur në Zagreb, është prodhim i futbollit kroat, i dalë nga akademia e NK Zagreb dhe lojtar i moshave u19 dhe u21 të Kroacisë. Abdurahimi është një lojtar që Shqipëria nuk e ka për momentin. Një sulmues 1.78 i gjatë, i shpejtë, teknik dhe që luan jo vetëm në sulm por edhe në krahë të mesfushës. Nuk ja doli dot të çantë në kombëtaren e parë të Kroacisë përpara emrave si Mandzukic, Jelasic apo Perisic, për këtë arsye grumbullimi i tij me Kroacinë përfundoi me kombëtaren u21, në sfidën kundër Zvicrës.

Në verë 23-vjeçari vendosi të ndërronte ambjent, duke kërkuar një skuadër me të cilën mund të luante në Kupat e Europës. Në atë kohë lojtari u lidh me Lyonin e Francës dhe Lazio në Itali, interesime të konfirmuara, por transferimi nuk u realizua. Për këtë arsye djaloshi zgjodhi të shkonte në Izrael tek Hapoel Tel Aviv, një nga skuadrat e elitës dhe me mundësi të mëdha për të luajtur në Europë. Megjithatë fillimi nuk do të ishte i lehtë per Abdurahimin, që pësoi një dëmtim që e mbajti jashtë fushave pothuaj për të gjithë fazën e parë. Ai u kthye në fushë në dhjetor, dhe pas disa ndeshjesh i zëvëndësuar arriti të gjente formën dhe formacionin, dhe tani po shijon sërish një moment shumë të mirë. Abdurahimi do të shënonte golin e parë me fanellën e Hapoel përpara 1 jave, duke shënuar një supergol dhe duke fituar një penallti. Dhe dje do të shënonte 2 herë duke i dhënë skuadrës fitoren 3-0.

Një lojtar polivalent që mund të luajë në gjithë repartin e avancuar, sidomos në sulm ku ne kemi probleme. Një lojtar ndryshe nga ata që kemi, me më shumë cilësi dhe që për fatin tonë nuk është më në listën e kombëtares kroate do të ishte një alternativë e mirë për trajnerin De Biasi. Mbase, ku i dihet. Abdurahimi mund të bëhet kuq e zi këtë vit.

3 komente në “Abdurahimi, zgjidhja për sulmin e kombëtares?”

  1. "BALASHI" says:

    Me sa e pershkruani juve do te ishte nje mrekulli per ne. Te thirret sa me shpejt. Ai na duhet shume. Qenka dhe shume i ri…

  2. raimond vlonjati says:

    De Biazi eshte trajneri me trap qe ka pas kombetarja

  3. Kosovar says:

    Gradeci eshte nje fshat i Tetoves nga thuhet se ishte e ema e Skenderbeut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje