Kjo është vetëm një ide, një ide që mund të prodhojë shumë debate dhe polemika, por një ide që vjen mbi të gjitha nga kushtet teknike. Ndeshja e së premtes së ardhshme ndërmjet skuadrave të Tiranës dhe Partizanit ka të garantuar një spektakël nëpër tribuna, por askush nuk mund të vërë “dorën në zjarr” në lidhje me cilësinë e sfidës në fushë. Jo sepse të dyja kampet nuk kanë lojtarë që mund ta garantojnë një gjë të tillë, por më së shumti për gjendjen mjerane të fushës së “Qemal Stafës”. Kjo e fundit, siç u pa dhe në sfidën e fundit Partizani-Kukësi, 0-0, është praktikisht jashtë përdorimit dhe një gjë e tillë ndikon direct në fushë. Tirana është e detyruar të fitojë, ashtu sikundër dhe Partizani dhe në një fushë të tillë të shënuarit e golit dhe qarkullimi i topit nuk është aspak në nivele të pritshme.
Ideja
Nuk është ende zyrtare por drejtuesit e Tiranës që kanë të drejtën ekskluzive të zgjedhjes së stadiumit, kanë menduar dje që të luajnë në Durrës, raporton “Sport Ekspres”. Kjo do të ketë kosto sigurisht në pagesën e stadiumit dhe në transportin për shumicën e tifozëve, por trajneri Magani të paktën do të garantojë kësisoj një cilësi më të lartë teknike në fushë, pasi terreni i “Niko Dovanës” është në nivele shumë të kënaqshme. Drejtuesit e Tiranës kanë duruar që ta hedhin këtë ide zyrtarisht në “treg” pasi kanë frikë nga reagimi i tifozëve që gjithsesi do të donin që kjo sfidë të luhej në stadiumin “Qemal Stafa” për të evituar kësisoj udhëtimin drejt Durrësit. Nga ana e Partizanit, sigurisht që nuk ka ende një reagim zyrtar, pasi ata janë në pritje të një vendim përfundimtar të Tiranës.
Tifozët
Një gjë është pak, por e sigurt, tifozët e Tiranës dhe të Partizanit nuk do ta përkrahin kurrsesi si ide këtë gjë. Ata duan që ndeshja të zhvillohet në Tiranë, pasi të kenë kushte praktike për të parë sfidën dhe për të qenë sa më të shumtë në stadium. Durrësi vërtetë nuk është larg, por a do të pranojnë mijëra tifozë të udhëtojnë drejt qytetit bregdetar për të ndjekur nga afër këtë sfidë të ndezur?!
Qeveria Rama duhet te pastroje futbollin se eshte sporti me i vemendshem ne vendin tone ,te ndertoje stadiumet Qemal Stafa dhe te perfundoje stadiumin e shkodres .