Naço: Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, metoda efikase

11 Shkurt 2014, 18:38Kronika TEMA

Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, si dy metoda efikase që sigurojnë një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve, ishin në qendër të bisedës mes ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe Aleksandër Belohlavek, President i Organizatës Botërore të Juristëve.

Referuar rëndësisë së aplikimit të këtyre metodave edhe ne vendin tonë, Naço kërkoi ndihmën e Organizatës Botërore të Juristëve, e cila përmes eksperiencës së saj të gjatë, mund të asistojë Ministrinë e Drejtësisë dhe ekspertët e fushës, që ta shndërrojnë në një instrument më funksional dhe efektiv ligjin “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

Naço është shprehur optimist për mirë-zbatimin e këtij ligji, i cili përbën një risi në kulturën legjislative shqiptare, në rast se do të ishte i mundur shkëmbimi i eksperiencave dhe mundësia e trajnimeve nga ekspertë të kësaj organizate. Bashkëbiseduesit kanë rënë parimisht dakord për një takim të mundshëm konsultativ rreth projektligjit për arbitrazhin, i cili pritet të propozohet së shpejti në parlamentin shqiptar.

Belohlavek është shprehur optimisht lidhur me nisjen e një bashkëpunimi intensiv në të ardhmen e afërt, ndërsa i ka gjetur me mjaft interes fushat e propozuara për nisjen e këtij bashkëpunimi.

Ndërkohë një tjetër takim, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka zhvilluar një takim me Spyridonas Flogaitis, Drejtorin e Organizatës Europiane per Legjislacionin Publik (EPLO).

Gjatë takimit është diskutuar në lidhje me hapësirat institucionale në fushën e së drejtës publike, zhvillimin e programeve të trajnimit, hartimin e studimeve dhe bashkëpunimin me institucione të tjera ndërkombëtare në fushën e të drejtës publike.

Naço ka shprehur interesin e tij për t’u njohur me modalitetet e Marrëveshjes për Themelimin dhe Statutin e Organizatës Evropiane të Legjislacionit Publik, ndërsa u shpreh i sigurt për nisjen e një angazhimi konkret pranë kësaj organizate.

Gjithashtu gjatë bisedës, palët vlerësuan edhe krijimin e një komuniteti shkencor, ku Shqipëria të sjellë kontributet e saj, dhe nëse kjo gjë do të mundësohej, atëherë do të realizohej ngritja e një instituti të rëndësishëm për të mbështetur nismat ligjore të vendit tonë.

Ministri Naço e informoi Flogaitis se në datën 4 Nëntor 2013, filloi punën Gjykata Administrative, përzgjedhja e gjyqtarëve të së cilës është bërë me një procedurë të hapur dhe me prezencën e përfaqësuesve të Delegacionit Europian.

Në këtë kuadër, u ofrua si një mundësi bashkëpunimi edhe nënshkrimi i një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe EPLO-s, për dhënie asistence në ofrimin e trajnimeve për stafin e Ministrisë së Drejtësisë, gjyqtarëve të Gjykatave Administrative dhe stafin mbështetës të tyre.

1 komente në “Naço: Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, metoda efikase”

  1. Analisti Politolog Opinionist Cim Nurellaari says:

    Bravo Naqo!!!
    Edhe Krylopa Like keshtu i zgjidh konfliktet – me arbitrazh tek Ngjala.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje