Kodi i Procedurës Administrative/ Naço nis diskutimet me grupet e interesit. Ja ndryshimet e propozuara!

18 Shkurt 2014, 11:23Kronika TEMA

Ministria e Drejtësisë nis diskutimin me grupet e interesit për prezantimin e projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.

Kjo nismë ligjore, thelbësore për reformimin e Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, ka si synim konsolidimin e parimeve bazë të shtetit të së drejtës dhe rritjen e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe efikasitetit të Administratës Publike.

Qëllimi kryesor i projektligjit “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, është t`i sigurojë administratës publike, kapacitetin ligjor për të zgjidhur paqartësitë dhe konfliktet lidhur me situatat faktike dhe ligjore në mënyrë sa më efikase,  duke respektuar sundimin e së drejtës. Nga ana tjetër, ky projektligj synon t`i sigurojë qytetarit, mjetet e duhura e të nevojshme, për të mbrojtur dhe kërkuar të drejtat e tij. Transparenca dhe siguria ligjore në vendimmarrje, si dhe standardet e legjislacionit cilësor, kërkojnë një sistem koherent, të unifikuar të procedurave administrative.

Një unifikim i tillë, gjithashtu do të ulte kostot administrative, do të përshpejtonte vendimet administrative dhe mbi të gjitha, do të rriste efektivitetin e administratës publike. Përmbajtja e të gjitha rregullave procedurale në të njëjtin ligj, është më e përshtatshme si për nëpunësit e organeve publike ashtu dhe për qytetarët. Projektligji është një pikënisje për një proces dinamik të unifikimit të procedurave administrative. Sa më e madhe të jetë fusha e mbulimit të këtyre procedurave nga e drejta e përgjithshme e procedurave administrative, aq më shumë të ngjarë ka që këto të drejta të njihen dhe zbatohen.

Të gjitha organet publike duhet të sigurojnë realizimin efektiv të detyrave publike në shërbim të qytetarit dhe në mbrojtje të të drejtave civile. Administrata duhet të përqendrohet tek qytetari, sepse ky është misioni i saj.  Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Misionin SIGMA dhe me asistencën teknike të Bashkimit Evropian.

I pranishëm në tryezën e organizuar ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi se administrata Publike është dëmtuar nga inercitë politike, pasi çdo ndryshim i Qeverisë ka nënkuptuar gjithashtu një ndryshim të stafit administrativ, duke përfshirë pozicionet teknike. Në këtë kuadër ai u shpreh se administrata shtetërore është reduktuar në një staf të politizuar me pak përvojë, merita profesionale dhe me burokraci të tepruar.

“Një hap i rëndësishëm në modernizimin e Administratës Publike ka qenë krijimi i Departamentit të Administratës Publike në vitin 1994, njësi e ngarkuar për formulimin dhe zbatimin e reformave në Administratën Publike. Hapi i dytë më i rëndësishëm ishte miratimi i ligjit për statusin e nëpunësit civil në vitin 1999. Ndërsa ajo që konsiderohet si kolona vertebrale për ndërtimin e një administratë eficiente dhe të përgjegjshme është miratimi i procedurave administrative të qarta”, theksoi Naço.

Në vijim ai shtoi se Kodi aktual i Procedurës Administrative parashikon disa rregulla procedurale shumë të ndërlikuara dhe të detajuara të cilat mund të pengojnë zhvillimin dhe modernizimin e nevojshëm të administratës publike. Sipas tij, disa nga dispozitat e Kodit nuk janë në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës si p.sh përkufizimi i kufijve të pushtetit diskrecional të autoriteteve të administratës shtetërore që mund të cenojnë parimin e sigurisë ligjore.

“Transparenca dhe siguria ligjore në vendimmarrje, si dhe standardet e legjislacionit cilësor, kërkojnë një sistem koherent, të unifikuar të procedurave administrative. Një uniformitet i tillë gjithashtu do të ulte kostot administrative, përshpejtonte vendimet administrative dhe mbi të gjitha do të rriste efektivitetin dhe efikasitetin e administratës publike. Përmbajtja e të gjitha rregullave procedurale në të njëjtin ligj është më i përshtatshëm edhe për nëpunësit e organeve publike edhe për qytetarët. Këto janë edhe arsyet kryesorë që kanë shtyrë Ministrinë e Drejtësisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore, e cila është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me misionin SIGMA. (Support for improvement in governance and management). Miratimi i këtij ligji vjen edhe si kërkesë e BE që, sipas Raportit të fundit të Progresit për Shqipërinë të lëshuar nga Komisioni Evropian, reforma në administratën shtetërore përbën një prioritet kyç të Opinionit dhe kërkohet ngutshëm miratimi i ligjit për procedurat administrative”, u shpreh Naço.

Ndryshimet e propozuara synojnë krijimin e instituteve të reja ligjore nëpërmjet rihartimit të tij në përputhje me standardet europiane. Më konkretisht, risitë që paraqet ky projektligj janë:

-Qartësimi i strukturës së Kodit të Procedurave Administrative, duke lehtësuar leximin dhe interpretimin e tij. Në tërësi, struktura e Kodit të ri ndjek një rrjedhë logjike, që do të jetë një plus për mirëzbatimin e tij.

-Përqasja e Kodit të Procedurave Administrative me ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile lidhur me komunikimin elektronik, si dhe qendrat e shërbimit me një ndalesë (one-stop-shop),të cilat janë trajtuar gjerësisht në kodin e ri. Pikat e shërbimit me një ndalesë përbëjnë një lehtësi për qytetarin, i cili shërbimet administrative mund t`i përfitojë drejtpërdrejt në pikën e shërbimit me një ndalesë, si dhe nëpërmjet postës apo mjeteve elektronike

-Përmirësimi i transparencës së procedurave administrative. Parimi i informimit dhe i ndihmës është ai që do të udhëheqë administratën publike në vazhdimësi. Kodi sanksionon se Organi Publik gjatë procedimit administrativ, ndihmon që palët të mbrojnë dhe realizojnë lehtësisht të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, por pa cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave të tjerë dhe interesin publik. Gjithashtu, organi publik, vë në dijeni palën, për të drejtat dhe detyrimet e saj në procedimin administrativ, si dhe për pasojat ligjore të veprimeve a mosveprimeve të saj gjatë këtij procedimi. Nga ana tjetër rregullon gjithë procedurën për të garantuar të drejtën e palës për njohje me dosjen, marrjen e kopjeve të dokumenteve, qoftë kur këto administrohen në formë elektronike, gjatë procedimit administrativ. Pjesa e pestë e Kodit rregullon posaçërisht njoftimin, sanksionon parimet për një njoftim të përshtatshëm, si dhe format e njoftimit.

-Përmirësimi i efikasitetit të vendimmarrjes administrative. Parimi i deburokratizimit dhe parimi eficencës sanksionohen që në hyrje të Kodit. Kjo dispozitë sanksionon se Procedimi Administrativ zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë sesa afati kohor i parashikuar me ligj për atë lloj procedimi, me sa më pak kosto për organin publik dhe për palët, në mënyrë që të arrije çfarë është e nevojshme për një rezultat të ligjshëm.

-Promovimi i një praktike administrative të orientuar drejt shërbimit dhe një administratë publike profesionale, që siguron një administratë të paanshme dhe profesionale, ku qoftë ekzistenca e dyshimit për një nga rastet e konfliktit të interesit, çon në përjashtimin e nëpunësit nga procedimi, në funksion të sigurimit të paanësisë së administratës gjatë procedimit.

-Përdorimi i teknologjive moderne të informacionit dhe të komunikimit për ofrimin e shërbimeve administrative cilësore, etj. Kodi i ri lejon administrimin e dokumenteve gjatë një procedimi administrativ edhe në formë elektronike, duke u garantuar njëkohësisht sigurinë e të dhënave, të mbrojtura sipas ligjit.

3 komente në “Kodi i Procedurës Administrative/ Naço nis diskutimet me grupet e interesit. Ja ndryshimet e propozuara!”

  1. arli says:

    Si nuk te vjen turp more Zt. Minister !!!
    Nuk po perpiqesh per asnje njeri, e jo me per popullin !!! Po perpiqesh vetem si ti kesh me te thjeshta pislleqet e tua . TURP ZT. naco !!!

    1. Kodra e kuq says:

      http://youtu.be/rKNShX08OBI ja lulzim basha dhe sali berisha i vertet

  2. Florin says:

    Bravo qeveris eshte ne rrugen e duhur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje