Reforma në sistemin e Drejtësisë/ Naço konsultohet me ekspertët e Komisionit të Venecias

18 Shkurt 2014, 14:24Kronika TEMA

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço diskuton me delegacionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias ndërmarrjen e reformave prioritare në fushën e drejtësisë, me fokus bashkëpunimin e harmonizuar të të gjithë aktorëve të sistemit. Referuar faktit se një pjesë e kësaj reforme kërkon ndryshime të karakterit kushtetues, Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e ka ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias për të dhënë sugjerimet e tij në lidhje me objektivat e përcaktuara që priten të orientojnë këtë reformë.

Ministri Naço i ka informuar bashkëbiseduesit në lidhje me fokusin e reformës në drejtësi duke u ndalur në nevojën për ndryshimet në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Konferencën Gjyqësore, etj.

“Gjykata e Lartë po përballet me një numër çështjesh të mbartura të cilat janë të papërballueshme dhe arsyeja kryesore e kësaj mbingarkesë është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat proceduriale ekzistuese. Mangësitë në organizimin e brendshëm të gjykatës janë gjithashtu përgjegjëse, për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve, përbërjes së trupit gjykues për pranimin e çështjeve, mungesës së ndihmësve ligjorë etj. Nga ana tjetër, ligji duhet të mbështesë shndërrimin e Gjykatës së Lartë në një Gjykatë Karriere, nëpërmjet përcaktimit të kritereve transparente për emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi përvojës në gjyqësor dhe nëpërmjet konkretizimit të kërkesave të parashikuara në Kushtetutë”, u shpreh ministri Naço

Përsa i përket reformës në Gjykatën Kushtetuese, Naço vlerësoi si prioritare çështjet që lidhen me emërimin dhe kualifikimin e gjyqtarëve, procedurat e përzgjedhjes së tyre, organizimin e kësaj gjykate, etj.  Reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka paraqitur interes për grupin e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe ministri Naço u shpreh se prioritare në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, janë problematikat qe lidhen me përbërjen, statusin si edhe rolin e anëtarëve të KLD-së; emërimin, transferimin si dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve; por njëkohësisht edhe harmonizimin e punës së dy inspektoriatëve përkatës, atij të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të KLD-së.

Vëmendje gjatë këtij takimi i është kushtuar edhe reformës në organin e Prokurorisë së Përgjithshme, ku ndër të tjera theksi u vu edhe në rritjen e rolit të Këshillit të Prokurorisë, i cili aktualisht ka vetëm funksionet e një bordi këshillimor. Sipas grupit të ekspertëve, në çdo rast reformimi i sistemit të drejtësisë do të kërkojë një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët ndërsa Ministri Naço garantoi se në këtë proces është i mirëpritur edhe kontributi i opozitës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje