“VMRO-DPMNE pranon dorezën e hedhur nga BDI dhe pranon zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që të mbahen në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale më 27 prill”, tha kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski në konventën partiake, ku do të caktohet kandidati për president i kësaj partie. Ky qëndrim i Gruevskit është në përgjigje të aleatit në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti, i cili tha se “nëse nuk do të arrihet marrëveshje për president konsensual, atëherë BDI kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare”.
Ky zhvillim i ri, duket se e bën të pamundur zgjedhjen e një presidenti konsensual në Maqedoni. Ka mbetur edhe pak më shumë se një muaj për të mbërritur në ditën e zgjedhjeve për presidentin e Maqedonisë, por palët politike në këtë proces ende nuk kanë një zgjidhje. Ajo çfarë artikulohet, në përgjithësi nga analistët në Maqedoni por edhe nga politikanët, është se presidenti i ri duhet të jetë një figurë e gjithëpranuar, një figurë unifikuese që shmang tensionet ndëretnike.
Gjykuar nga harta politike e elektoratit në Maqedoni, presidenti do të vijë nga partitë e shumicës maqedonase, por ajo që duhet të bëjë ndryshimin është, se ai duhet të respektojë dhe të jetë dashamirës ndaj interesave të popullsive të tjera etnike përbërëse të Maqedonisë, sidomos shqiptarëve, por edhe pakicave turke dhe rome. Kjo do të ishte kërkesa themelore, por për një vend që aspiron të bëhet pjesë integrale e familjes së madhe eurpiane, kaq nuk do të mjaftonte.
Presidenti duhet të jetë njëkohësisht i vetëdijshëm për realitetin social-politik të Maqedonisë dhe të ketë maturinë për t’u ngritur mbi terrenin, jo rrallë konfliktual të realitetit maqedonas, mbrujtur ndër të tjera nga ndjeshmëri historike, nacionaliste, fetare dhe kulturore. Ai duhet të jetë pro-perëndimor dhe garantues i marrëdhënieve e harmonisë rajonale. Një president i tillë ka më shumë gjasa të garantohet nëpërmjet konsensusit dhe jo nëpërmjet një fushate të ashpër elektorale për të siguruar një shumicë, e cila me shumë gjasa nuk mund të garantojë një president përfaqësues të interesave të të gjitha grupeve të popullsisë.
Duke qenë një vend multikulturor, i ndjeshëm nga shfaqjet e herpashershme nacionaliste, Maqedonia ka nevojë për pjekuri politike në zgjedhjet e këtij niveli. Në rastin konkret, një president konsensual dhe jo një president i zgjedhur vetëm nga popullsia etnike maqedonase do të kontribuonte në krijimin e një klimë të re politike. Kjo do të ndikonte në uljen e tensioneve ndëretnike, do t’i shërbente një dialogu të ri politik mes palëve, do t’i shërbente një imazhi të mirë të vendit në sytë e ndërkombëtareve dhe për pasojë do të ndikonte pozitivisht në procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. Këtij qëllimi do t’i shërbente një figurë unifikuese, siç do të ishte ajo e një presidenti konsensual, që në një rast të tillë, merr një tjetër peshë edhe në raport me fqinjët.
Në të kundërt nuk do t’i shërbente aspak zhvillimeve progresive në Maqedoni. Së pari, kjo do të sillte një fushatë të ekstremizuar politike elektorale dhe ashpërsimin e gjuhës politike mes palëve. Së dyti, nga këndvështrimi i komunitetit ndërkombëtar, klasa politike maqedonase do të shihej pa pjekurinë e nevojshme politike për t’u integruar në NATO e BE. Aq më e rëndësishme është kjo, nëse shihet nën dritën e mosmarrëveshjeve me Greqinë për emrin. Një vend që nuk arrin dot një konsensus të brendshëm, do ishte më pak kredibël për të kërkuar një konsensus ndërshtetëror. Ambasadori amerikan në Maqedoni ka kërkuar pak ditë më parë, që politika në këtë vend, të dëshmojë pjekuri në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve për presidentin.
Mundësia për zgjedhje të parakohshme dhe reagimi i ambasadorit të SHBA
“Moment interesant për Maqedoninë” e ka cilësuar ambasadori amerikan Pol Uolers. Duke iu referuar situatës politike në prag të zgjedhjes së presidentit, Uolers i bëri thirrje palëve politike në Maqedoni që të angazhohen për zgjedhje te qeta presidenciale. Pak ditë më parë, ai foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve parlamentare, duke iu referuar pikërisht qëndrimit të BDI për këtë çështje. Ai kërkoi nga politika që t’u garantohet qytetarëve votim i qetë dhe pa presione.
“Është një moment interesant për Maqedoninë. Po afrohen zgjedhjet, e dimë të sigurt për ato presidenciale në prill, por nga ajo që dëgjoj dhe lexoj duket si një mundësi e madhe, të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Është me rëndësi të dini, se ky do të jetë një test për ju, për Maqedoninë, dhe për të gjithë ju si qytetarë dhe votues të Maqedonisë. Nevojiten zgjedhje të lira dhe transparente. Duhet të jenë votime të qeta dhe pa presione partiake për familjarët e votuesit dhe të jenë të fshehta”, tha Pol Uolers, ambasador i SHBA-së.
Drejtuesit e BDI-së kanë bërë të ditur, se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale, nëse nuk do të shkohet drejt një marrëveshje për një president konsensual, duke parashtruar idenë e zgedhjeve të parakohshme. Ata nuk kanë paraqitur ende zyrtarisht nismën për zgjedhje të parakohshme në parlament, por e kanë deklaruar zyrtarisht mundësinë e një nisme të tillë.
Marrëdhëniet VMRO-DPMNE me BDI
Qëndrimi i BDI-së ka vënë në vështirësi drejtuesit e VMRO-DPMNE, me të cilët BDI është aleate në koalicion qeveritar. Megjithatë, drejtuesit e VMRO-DPMNE që ka mazhorancën në qeverisje, nuk kanë dhënë shenja që mund të dëshmojnë vullnet për marrëveshje me BDI për president konsensual. Nga ana tjetër, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shfaqur kundërshti të hapur ndaj kandidaturës së presidentit aktual, George Ivanov, duke deklaruar se BDI nuk do të jetë dakord me rikandidimin e tij. Zoti Ahmeti ka kërkuar një kandidat konsensual, pa ngarkesa nacionaliste duke lënë të nënkuptohet, se Ivanov nuk e plotëson këtë kriter thelbësor për BDI.
Në konventën e sotshme me 1 mars të VMRO-DPMNE, erdhi edhe përgjigja. Gruevski nuk pranoi presidentin konsensual dhe është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme. “Tashmë është e qartë se përse BDI kërkon kandidat konsensual. Ata e dinë se nuk do ta përfitojnë këtë dhe tentojnë për dështimin e zgjedhjeve presidenciale dhe me presionet për ndryshimin e kushtetutës”, tha kryeministri Gruevski.
Nëse nuk kanë përfunduar të gjitha mundësitë për një president konsensual, realizimi i një marrëveshje të tillë, mbart mundësinë për një hap cilësor në politikën e Maqedonisë. Një kandidat konsensual i mazhorancës qeverisëse do të dëshmonte pjekuri politike dhe do të jepte një ndikim pozitiv në politikën maqedonase, aktuale dhe të së ardhmes.
Por nëse konsensusi nuk do të arrihet për një kandidat, i cili gjithsesi do të mbajë një post kryesisht ceremonial, atëherë do të jetë shumë e vështirë të besohet se politika maqedonase do të zbatojë marrëveshjet ekzistuese, apo do të arrijë marrëveshje të reja për çështje shumë më delikate dhe madhore, me të cilat përballet Maqedonia.
*LAJMEPOLITIKE.COM