Traktat kunder Tribunalit

16 Mars 2014, 20:37Blog TEMA
Traktat kunder Tribunalit

Nga: Baton Haxhiu

Prolog:

Është e qartë se fushata e terrorit serb nuk kishte filluar më 24 mars 1999, ditën kur NATO marshoi për ta bombarduar Serbinë, e as më 28 shkurt 1998 – kur u kryen masakrat serbe në Drenicë, madje as më 1989 – ishte një periudhë e urrejtjes, një kohë e kultivimit të racizmit, e stimulimit të idesë së rreme se serbët na qenkan racë sipërore ndaj shqiptarëve, që zgjat së paku nga viti 1912 e këtej. 
Natyrisht, përballë kësaj stuhie terrori fizik dhe psikik pothuaj njëshekullor edhe shqiptarët kishin konservuar në vetvete një urrejtje të madhe ndaj serbëve. 
Por, kjo ishte urrejtja e të nënshtruarit, ishte përbuzja e viktimës ndaj bartësit të arbitraritetit, që ishte shteti serb. 
Këtu qëndron dallimi mbase qenësor mes urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas.
Urrejtja e viktimës ndaj pushtuesit kurrë nuk është e njëjtë me urrejtjen e pushtuesit ndaj viktimës. 
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët me numër të madh janë në Kosovë, që moti kanë filluar procesin e rëndë të paqësimit. Duket e qartë se, pas gjithë asaj që kishte ndodhur, nuk ishte e lehtë dhe nuk mund të kalohej në normalitetin e përditshëm, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. 
Bashkëjetesa, u pa, pas një periudhe të gjatë, se ishte e vështirë – por u tregua se është e mundur. 
Pas luftës Kosova është dukur tmerr. Dhe mund të ketë pasur hakmarrje.
Një pjesë jo e vogël e njerëzve në Kosovë, të cilët nga dhuna barbare kishin humbur më të dashurit dhe më të afërmit e tyre, thirrjet dhe lutjet për – bashkëjetesë me fqinjët e tyre, në radhë të parë, i kuptonin si një reprizë nga e kaluara. 
Kuptohej, bashkësia ndërkombëtare mendonte ndryshe. 
Por, si ta kuptonin këtë mesazh njerëzit e thjeshtë, të cilët kur ktheheshin nga mërgimi i detyrueshëm, në vend të pronave të pasura, gjenin gropa të zeza? Ishte gati e natyrshme që ndjenja e hakmarrjes vlonte në gjoksin e çdokujt. Prandaj, aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve – këtë e tha edhe Presidenti i SHBA – pastaj e përsëriti edhe Ministri i Jashtëm Gjerman, nuk ishin aspak befasuese. 
Por a janë këto krime për një Tribunal për Kosovën?!

Ideja e Tribunalit për Kosovën

Pas akuzave të politikanit zviceran, përndryshe mik personal dhe i ngushtë i Carla del Pontes, qarqe të ndryshme ndërkombëtare kërkojnë ngritjen e Tribunalit për Kosovën. Jo për Serbinë si agresore, por për Kosovën që ishte viktima. 
Pse? 
Juridikisht, moralisht dhe historikisht pamë se ideja nuk ka asnjë bazë konkrete, përkundrazi është kontraproduktive dhe më tepër se tendencioze. Kjo sidomos edhe për shkak të faktit se kosovarët, shumica e tyre janë pro bashkëpunimit me organet ndërkombëtare në zbardhjen e anomalive që kanë mundur të kenë ndodhur gjatë luftës mbrojtëse. 
Këtë gatishmëri kosovarët e kanë demonstruar që nga fillimet, madje duke shkuar pa asnjë rezistencë në Hagë. Ata duke mos pasur kompetencat në ligjësi as që kanë mundur të veprojnë vetë në kërkim të “Shtëpisë së Verdhë”, e cila nuk bie në juridiksionin e Kosovës por Shqipërisë. UNMIK-u dhe EULEX-i e kane bërë atë punë. Ose nuk e kane bërë. 
Nuk e kanë bërë mirë si duket, sepse të tjerët mendojnë ashtu. 
Pikërisht për shkak të paaftësisë, mosefikasitetit dhe dështimit të këtij institucioni ndërkombëtar të ligjësisë, tash haraçin, edhe historik që do t’i nënshkruhet të gjitha gjeneratave që vijnë, duhet ta paguajë Kosova. Dhe, atë, duke u vulosur nga vendi viktimë i Gjenocidit në vend të krimeve eventuale. Kjo është padrejtësia më e madhe që aleatët e saj mund t’ia bëjnë Kosovës, vendit që e çliruan bashkë me ata, që, duan sot t’i dënojnë.

Jo ndërhyrja për të shpëtuar kosovarët nga gjenocidi ishte precedent, por liria e saj dhe ideja për një Tribunal është bërë e tillë. Nuk duam me këtë të asocojmë dështimet e shumta politike e shoqërore, të cilat kosovarëve ua krijojnë përshtypjen të vendënumërojnë. 
Fjala është te raporti i ndërkombëtarëve ndaj këtij vendi, të cilin, me veprimet që bëjnë, si duket do të kenë harruar se a e zaptuan apo çliruan Kosovën. 
Pse këto dilema? 
Pse mendojmë se liria jonë të jetë mozaik precedentësh që minojnë çdo praktikë historike, që përdhosin logjikën e çdo ligjësie, që vënë në pikëpyetje moralin e çdo të drejte të qenies humane për t’u mbrojtur nga e keqja, agresioni. 
Duke e parë historinë e problemeve, duket e pakuptimtë Ideja për një Tribunal të veçantë për Kosovën! 
Pse ideja nga cilido aspekt për Tribunal del absurde?
Në “Deklaratën mbi krimet gjermane në Europën e pushtuar” të 30 tetorit 1943 aleatët antinazistë vendosën që edhe pas luftës të ndjekin krimbërësit masivë. Më 8 gusht të vitit 1945 u nënshkrua marrëveshja ndërmjet vendeve kryesore të botës. Shtylla qendrore e kësaj marrëveshjeje ishte: “gjermanë që kanë kryer krime të rënda në vende të tjera do t’iu dorëzohen organeve të drejtësisë të po atyre vendeve. 
Ata që kanë qenë urdhërues krimesh të rënda, mirëpo nuk mund t’iu përcaktohet përgjegjësia konkrete në vendin e ngjarjes, do të dënohen – me një vendim të mëvonshëm – në vendin e tyre, pra në Gjermani”. 
Si konsekuencë e kësaj marrëveshjeje u hap i famshmi proces i Nürnbergut, ai i Eichmannit e të ngjashëm, që dënuan pjesën më të madhe të planifikuesve dhe ekzekutorëve të luftës dhe gjenocidit ndaj hebrenjve. 
Duke u bazuar në këtë përvojë dhe mbi këto praktika e marrëveshjes historike u ngrit edhe Tribunali për Ruandën, i cili për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe qeverive që refuzonin bashkëpunimin, detyroi ndërkombëtarët që gjykimi mos të vinte parasysh në vendin ku u kryen krimet por jashtë. 
E njëjta situatë u paraqit edhe në ish-Jugosllavi, ku shumica dërrmuese e popullit dhe vendit autorët e gjenocidit ndaj kosovarëve, boshnjakëve, kroatëve i konsideronin heronj e jo agresorë. 
Në dokumentet themeluese të Tribunalit të Hagës – ky edhe ishte arsyetimi se pse gjykimet do të mbaheshin jo në Beograd, Zagreb, Sarajevë apo Prishtinë – ku edhe ishin kryer krimet masive por në Hagë. 
Kjo praktikë historike ndryshoi me “Carla-del-Ponten” e natyrës së hetuesisë (natyrisht në marrëveshje me Zoran Xhinxhiqin, si kushte për ta dorëzuar Milllosheviqin dhe të tjerët), e cila që nga aty e tutje nuk do të ndjekë më vetëm strategët, nxitësit dhe ekzekutorët e gjenocideve, por edhe viktimat e tyre. 
Jo vetëm Sllobodan Millosheviqi dhe garda e tij që nisi luftën dhe ushtroi gjenocide të hapura rajoneve të ish-Jugosllavisë u mor në Hagë, por edhe komandantë ushtrish lokale, të dala nga shoqëria civile që luftonin për mbrojtjen e popullatës apo rezistim ndaj agresorit. Atje përfunduan dhe u liruan disa nga komandantët e UÇK-së. Ndërkohë vendet përkatëse – si agresori Serbia, ashtu edhe viktimat Kosova etj – u kushtëzuan që të hetojnë dosje në rast se paraqitet nevoja. 
Serbia nga pozitat e agresores padyshim se duhej të veprojë dhe ka dhënë rezultate në këtë drejtim. Kosovarëve nuk iu dha kjo mundësi direkte, për shkak të prezencës së EULEX-it, i cili mision kishte dhe ka për detyrë zbardhjen e delikteve të natyrës kriminale.
Megjithatë, para se të zbresim tek EULEX-i dhe Tribunali, është me rëndësi të analizojmë atë që ne e quajmë thyerje të filozofisë së deritanishme të ligjësisë perëndimore apo kriminalizim të viktimës që ka pasur fatin të shpëtojë gjallë!
Më e çuditshmja në këtë proces për Tribunal na duket qëndrimi amerikan. Ata që vijnë apo jetojnë në ato më shumë se 30 shtete të SHBA-së që në ligjësitë e tyre kanë të ashtuquajturin “Stand-Your-Ground-Laws” (mos luaj nga vendi), i cili i jep të drejtën amerikanit që në mbrojtje të pragut dhe familjes nga agresioni i padrejtë dhe i jashtëm mos të ngurojë as të vrasë. 
Parimi është i njëjtë edhe kur ai është më masiv: asnjëherë para Luftës së ish-Jugosllavisë, dhe para personalizimit të filozofisë juridike nga Carla del Ponte nuk ka rastisur që para gjyqit të vihen edhe degolianët e rezistencës franceze, as madje edhe egërsirat (sot historikisht të dokumentuara) të Armatës së Kuqe që dhunuan mijëra gra polake, çeke, hungareze e gjermane e as ndonjë milic që mbronte me armë tutsit e Ruandës nga Hututë. 
Tjetra që komplikon edhe më shumë përfshirjen e atyre që duan tribunale edhe për mbrojtësit është i ashtuquajturi parim i vrasjes në mbrojtje të viktimës. Edhe perëndimorët bombarduan e vranë në mbrojtje e sipër: ka gabuar ndonjë bombë cakun dhe ka ekzekutuar edhe civilë. Edhe ndonjë komandant i ushtrisë mbrojtëse edhe ndonjë civil shqiptar, për shkak të tërbimit, pasi që ka parë gjithë familjen pa koka e këmbë e krahë lamës së tij ka bërë ndonjë vrasje. 
Nëse ka raste të tilla, çka edhe janë të izoluara, ligjësia ka të drejtë t’i akuzojë, pandehë e dënojë personat e tillë. 
Mirëpo kjo nuk justifikon ngritjen e një Tribunali mbi një vend që ka luftuar për liri, sepse në këtë mënyrë fabrikon parimin se çdo vendi mund t’i bëhet tribunal. 
Pra absurdizon dhe banalizon juridikisht e moralisht misionin e tribunaleve për krimet e Luftës.

Rikapitulim

UNMIK dhe EULEX kane dështuar.
Për këtë sanksionohet Kosova. Ne qytetarët e saj që kemi luftuar për liri dhe kundër gjenocidit.
Tribunali nuk ka as bazë historike, as juridike e as morale që të jetë kundër Kosovës.
Qeveria dhe politika kosovare do ta përjetojë një dështim historik nëse ajo pranon modelin e propozuar dhe nuk kërkon që të ndajë kompetencat me Task Forcë të krijuar në zbardhjen e krimeve të supozuara.
Selia e këtij komisioni të përzier me çdo kusht të jetë në Kosovë e askund tjetër ose nëse është në pyetje vetëm “Shtëpia e Verdhë”, atëherë juridikisht edhe selia duhet të vihet përbrenda juridiksionit ku është zhvilluar ngjarja. 
Nëse Nazistët janë dënuar në vendin e tyre, hakmarrësit kosovarë, qoftë komandantë ose ata që vranë duke bërë krim ndaj fqinjëve, duhet të dënohen në Kosovë. Nuk mund të ketë tribunal për një popull që u mbrojt dhe luftoi për liri.

6 komente në “Traktat kunder Tribunalit”

  1. Shqiptatqiq Shqipriqire says:

    Tamam tamam, esht reaksioni i botes se qytetnueme kunder kosovsave kriminela te kqinj.
    “Kudo ku shkel kosovari
    Lulzo krimi
    Thahet bari!”
    Jan kto vargje te Dante Aligeri prej Mancesteri.

  2. Mohikani i Fundit says:

    Vone Baton vone eshte tash !. Deri tash te kane ra dhembet duke lavderuar “nderkombetaret”, “miqet tane nderkombetar”, tash paske mbajte nasihat per te drejten dhe legjitimen. Fuck of

  3. Vlora says:

    Bera nje koment per kete Baton Haxhiun nga kosova, por Tema e censuroi dhe nuk e postoi te pakten per momentin. Megjithate do te them dicka qe shpresoj se Tema do ta postoj. O HAXHI, lere fare me mire se e dime se kush je dhe se cfare perfaqeson!

  4. Kapit Tupalla says:

    Më në fund një shkrim nga Batoni që meriton të lexohet.

  5. Ymeri says:

    Baton, me ne fund shkrove nje artikull qe lexohet. Komplimente.

  6. Altin says:

    Baton mirmengjes, eshte gjithnje sfide leximi i shkrimeve tua. Je ilustrimi me i mire i egzistences se Ligjit te Murphy (Murphy Law) ne shoqerite patriarkale. Ta bofte zoti jeten rrafsh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje