Zgjedhjet në Serbi/ OSBE hap 10 qendra për grumbullimin e votave në Kosovë

16 Mars 2014, 09:23Rajoni TEMA

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka hapur dhjetë qendra për grumbullimin e votave, për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Këto qendra, me 15 degë, janë hapur në enklavat serbe në jug të Lumit Ibër, si dhe në komunat veriore.

“Të gjitha qendrat dhe degët e tyre kanë nisur punën në orën 7”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Nikola Gaon.

Mediat kanë raportuar se para qendrës në veri të Mitrovicës, përkatësisht para shkollës teknike Mihajllo Petroviç – Allas, është ngritur flamuri i Serbisë, por Gaon ka thënë se “në hyrje të qendrës nuk ka flamur”.

OSBE-ja, me përcjellje të policisë, ka sjellë materialin zgjedhor nga Serbia në Kosovë dhe, me përfundimin e votimeve, do ta kthejë atë në Vranjë dhe Rashkë (qytete në Serbi) për numërim. Në këtë proces janë të angazhuar rreth 400 pjesëtarë të këtij misioni.

Mediat në Prishtinë citojnë zv/kryeministren kosovare, Edita Tahiri, të ketë deklaruar se që nga nënshkrimi i marrëveshjes së 19 prillit, Serbia nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës dhe se ajo nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë.

Ndërsa mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe sot edhe brenda territorit të Kosovës, Tahiri nuk e konsideron organizim  të zgjedhjeve,  por, siç thotë ajo, shteti fqinj po bën vetëm grumbullim të votave nga qytetarët që kanë dyshtetësi.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje