I përkas atij grupimi njerëzish të cilët nuk kanë lexuar as Biblën e as Kuranin. Jo se kam dyshuar në vlerat e tyre. Përkundrazi, duke ditur numrin “s’di se sa” të lexuesve, jam i bindur që ndikimi i tyre është po ashtu “s’di se sa”. Por, në moshën kur mua dhe brezit tim iu krijua mundësia për t’i patur e lexuar këto libra, unë vlerësova që këto libra janë misionarë. Dhe, duke ditur që misioni gjithsesi realizohet, qoftë edhe në një përqindje të caktuar, isha dhe mbetem i vetëdijshëm që domethënia e vlerave të tyre është sendërtuar dhe hipotekuar në kulturën mbarëbotërore si dhe në produktin e të gjitha mendjeve të misionuar prej tyre. Kështu që unë, edhe pse nuk i kam lexuar, nuk kam mbetur i pandikuar prej tyre. Madje- madje them se në sjelljet dhe gjykimet e mia bëj gjithmonë përpjekje ta modeloj aktivitetin sipas parimit “mos i bëjë tjetrit atë që nuk don ta bëjnë të tjerët ty”. Ju mund të thoni që ky mision predikohet edhe në Bibël apo Kuran. Atëherë, më mirë kështu, pasi ato që kam në mendje të shkruaj do gjykohen edhe prej atyre që i kanë lexuar dhe betohen që i zbatojnë parimet e shenjta të librave të shenjtë. Por, sido që të vlerësohen, unë kam vendosur të shkruaj. Dhe ja se si…
Plaga e nënës dhe imamët
Një burrë, i frymëzuar nga devotshmëria për të bërë “luftë për çështjen e Zotit”, i inspiruar nga “imamët” e ndonjë “xhamie” në Tiranë, i mbështetur nga “s’e merr vesh qeni të zonë” përfundoi bashkë me dy fëmijët e tij, vajzën 9 vjeçe dhe djalin 4 vjeç, në frontin e luftës siriane. Ai e realizoi misionin e tij të arratisjes me bindjen që po i bën një shërbim të madh Allahut dhe se shpërblimin për këtë shërbim, do ta marrë atje tek “ura e gjykimit”, ku do t’i hapet patjetër porta e parajsës. Ai iku nga Shqipëria pasi mashtroi, në mënyrën më mizore të mundshme, gruan e tij, duke i marrë asaj miratimin për largimin bashkë me fëmijët jashtë shtetit- deri në Mal të Zi. Nëna, po ngelet nënë, ishte dakord që fëmijët e saj të largoheshin edhe pa të, veç të gëzonin një fundjavë, ndryshe nga ajo që gëzonin vazhdimisht në shtëpi. Ajo nuk mund të dyshonte tek babai i fëmijve, ajo nuk mund të zbulonte “katilin” tek një njeri që i falej me përkushtim Zotit dhe, pa një pa dy citonte Kuranin, ku besimtari angazhohet për të mos i bërë keq askujt, aq më pak zemrës së një nëne. Është e sigurtë që fëmijët e tij, të mbarë e të pafajshëm, shumëçka ëndërronin, veç jo jetën në kampet siriane të përqendrimit, veç jo larg dashurisë e përkushtimit të nënës. Tani ky burrë, ky mysliman “i devotshëm”, sipas gjykimit të tij dhe të “imamëve”, ndodhet atje bashkë me fëmijët. “Imamët” janë në rregull. Ata kanë familjet e tyre, fëmijët e tyre dhe punën e tyre të rehatshme ku, falë marifeteve imamore dhe devotshmërisë së besimtarëve, marrin edhe rroga e shpërblime të posaçme. Unë s’kam dëgjur që ndonjë imam “i devotshëm” të marrë rrugën e Sirisë për të luftuar për çështjet e Zotit. Përkundrazi kam dëgjuar që ata frymëzojnë “kë të mundin” për t’i dërguar në luftë për Allahun, posaçërisht në Siri. Kaq e ethshme dhe agresive është bërë kjo veprimtari, sa më në fund disa prej tyre përfunduan në arrest. Nuk dihet sa këta njerëz “të shenjtë” do kenë burrërinë ta pohojnë në prokurori aktivitetin e tyre kriminal. Po kështu nuk dihet sa të vetëdijshëm janë ata për plagën e rëndë e të pashërueshme që i kanë shkaktuar, në rastin konkret edhe zemrës së një nëne por, me siguri, n.q.s gjykata do vendoste që t’i çonte ata, bashkë me fëmijët e tyre në frontin e luftës, do refuzonin kategorisht, sepse e dinë mirë se atje shkon për “dhjamë qeni”. Ata ankohen se u kanë prishur rehatinë e xhamisë, ata pretendojnë që u është hequr mundësia për t’iu bindur veç urdhërit të Zotit, ata bërtasin se shteti po i persekuton prandaj nuk e njohin atë, ndërkohë që sigurinë e tyre fizike personale e familjare e duan prej shtetit, ndërkohë që po t’u preket pak rregulli në xhami apo në shtëpi denoncimin e parë do ta bëjnë në polici, ndërkohë që po të diktojnë se rrezikohet prona e tyre mbrojtjen e duan nga shteti. Veç të zbatojnë ligjet dhe detyrimet e shtetit nuk duan ata. Sapo t’u përmenden detyrimet,ata e injorojnë shtetin, kërkojnë ndihmën e besimtarëve, të cilët në këto momente duhet të shohin imamët si perëndi. “Perëndi” që, si vehtes ashtu edhe atyre që i përkasin “lisit të tyre të gjakut” e “atij të tamblit”, i rezervojnë të drejtën për t’i shijuar të mirat e kësaj jete dhe për t’i “provuar” vuajtjet e sakrificat vetëm duke lëpirë gishtat . Kështu po, sehirxhinj të plagëve të të tjerëve, hipokritë sa s’ka më në predikimet e librave të shenjtë, ata shiten si mëshirimi i “vullnetit të Zotit” dhe “të persekutuar” në misionin e tyre për ta bërë kurban gjithë shoqërinë, veç jo veten.
Rexhep Qosja dhe vlerat
Që të nderohet e respektohet Rexhep Qosja na e kërkon vepra e tij. Që të mbrohet Rexhep Qosja na e kërkojnë, më së fundi, edhe një grup akademikësh shqiptarë. Pse ndodh e para, e kanë të qartë të gjithë ata që i kanë lexuar veprat e Qoses. Pse ndodh e dyta, na e shpjegojnë vetë akademikët në letrën e tyre të hapur. Citoj: “Publiku shqiptar është bërë këto ditë dëshmitar i një sulmi mediatik të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, kundër akademikut Rexhep Qosja, çka ka provokuar një debat edhe në rrjetet sociale, duke marrë trajta të ekzagjeruara, të papranueshme për kulturën e komunikimit intelektual…”. Po çfarë ka ndodhur me Qosen që është vënë në fokusin e kritikës (sulmit kanë shkruar akademikët tanë) të kryetarit të Akademisë së Kosovës Hivzi Islami. Në komentin parahyrës dhe në 55 pyetjet e akademikut Islami, sigurisht që ka teprime që burojnë edhe nga një kundërvënje personale ndaj Qoses. Por midis tyre ka edhe fakte të cilave u duhet kushtuar vemëndje dhe duhen marrë në konsideratë, edhe prej Qoses. Çdokënd e habit psh qëndrimi që mban Qosja ndaj personaliteteve të mëdhenj të shkencës, letërsisë, kulturës e politikës nga trojet shqiptare. Ai ka një papajtueshmëri 100 % me veprën e tyre, edhe pse kjo vepër është certifikuar si e dobishme për interesat e Kombit. Le të marrim, fjala vjen, veprën e Ibrahim Rugovës. Përpos vlerësimit të bashkëkombësave të Rugovës, si një personalitet i radhës së parë në kontributin për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve kudo në botë, ai ka marrë vlerësim, tamam për këtë kontribut, edhe prej personaliteteve botërore. Mjafton të lexosh komentet që janë bërë me rastin e vdekjes së tij dhe kupton që, jo vetëm miq por edhe armiq të tij shprehin dhimbje për humbjen e një personaliteti të madh. Natyrisht në vlerësimin tërësor të veprës së Rugovës ka vend edhe për kritika të cilat, ku me të drejtë e ku edhe me keqdashje, nuk i janë kursyer. Pra, gjithsesi, Rugovës i njihen merita historike. Po çfarë mendimi ka akademiku Qosja për këto merita?. Në një intervistë të fundit në emisionin “shqip” të R. Xhungës, ai merr guximin (aktivizon paranojën- do thoshte akademiku H.Islami), jo thjesht ta relativizojë kontributin e Rugovës por ta negativizojë tërësisht atë. Pra, ai nuk është një kritik i natyrshëm pale bindës i Rugovës, çfarë shkakton jo vetëm ndjenja keqardhje tek vlerësuesit e Qoses por edhe një irritim të panatyrshëm tek kritikët e tij. Nga ana tjetër, ai deri më sot nuk ka pranuar (nuk bëhet fjalë të reflektojë) ndonjë kritikë. I është mbushur mendja se zotëron një kulturë të tillë që është së paku 50 vjet para krahasuar me zhvillimet e sotme (pohuar prej vetë Qoses në intervistën e përmendur). Kjo vetësiguri është e denjë për ata që dinë pak, por është krejt banale për ata që dinë vërtet. Nuk do të ndalesha fare në parashtrimin e vlerave të Qoses nëse nuk do të konstatoja se ai, ndryshe nga Rugova që “nuk ka fuqi as ti prishë e as ti ndreqë më vlerat e tij”, ndryshe nga Kadareja që po krijon vlera pa u përzjerë në tallazimet e politikës së ditës, po punon, për fat të keq, ti kompromentojë vlerat e krijuara. Me kundërvënjet e tij, dhe jo me kritikat e tij, ai po trupëzon ditë e përditë “antiqoset”, prej të cilëve nuk do ta shpëtojnë, jo më akademikët shqiptarë, por as Zoti vetë. Me siguri, në librat e shenjtë thuhet: “po nuk respektove, mos prit të të respektojnë”.
Lubonjët dhe dashuria e refuzuar
Kohët e fundit, Fatos Lubonja, referuar ceremonive mortore për artisten e popullit Vaçe Zela, hapi një debat, lidhur me qëndrimin ndaj vlerave të krijuara nga talentet shqiptare para viteve ‘90. Në thelb, ai nxjerr përfundimin se këto vlera, bashkë me krijuesit e tyre, janë të infektuara, pasi të gjithë të talentuarit e kanë vënë talentin e tyre kryekëput në shërbim të diktatorit. Aq i bindur është Lubonja për këtë, sa në rolin e shokut Enver, i shkruan i ekzaltuar kryeministrit të sotëm nga ferri se është shpresëplotë që vepra e tij, pra diktatura, do të jetojë, pasi atë e ushqen, përpos të tjerash edhe debilizimi shqiptar. Përpiqem ta mirëkuptoj Lubonjën në shqetësimin e tij. Përpiqem ta lartësoj Lubonjën në misionin e bariut të grigjës, e cila ka marrë rrugën e diktaturës dhe ai përpiqet ta ndalojë në këtë rrugëtim debilesk. Do ta kisha mirëkuptuar edhe më tej Lubonjën nëse ai nuk do kishte shkruar, e bardha mbi të zezë, citoj: “Në fakt këto këngë i jepeshin Vaçes që kishte aftësi më të larta vokale dhe ajo i merrte e i këndonte pa u menduar gjatë sepse kështu do kishte famë dhe sukses. Dhe te kjo mungesë mendimi “gjatë” fillon një problem tjetër mbi të cilin duhet reflektuar…”. Këtu Lubonja nuk fajëson më rregjimin por vetë Vaçen. Është për të ardhur keq që Lubonja, një ish i burgosur i rregjimit, e trajton botën e jashtëburgut, por brenda klonit, si një botë që e mbante gjallë përkushtimi pa asnjë rezervë sidomos i talenteve. Ai nuk do ta evidentojë faktin, sigurisht të njohur edhe prej tij, që në atë sistem më së pari burgosej talenti. I vetmi talent që nuk burgosej ishte ai për ta dashur shokun Enver ashtu siç donte ai ta doje. Po talenti i Vaçes a ishte i burgosur. Ah, unë nuk mendoj se Vaçja nuk donte të dëgjonte “Beatles dhe Rolling Stones etj etj “të cilët i dëgjonte fshehurazi Fatosi bashkë me shokët e shoqet e tij. Ah, unë nuk mendoj se Vaçja, me vokalin e saj të mrekullueshëm nuk është tunduar të këndojë këngë të Celentano-s apo Mino Reitanos. Ah, unë nuk mendoj se Vaçja me kitarën e saj të dashur nuk ka entuziazmuar me “këngë për të qenë” shokët dhe shoqet e saj. Por, Vaçes së skenës i jepeshin për të kënduar pikërisht këngët e infektuara. Asaj nuk i lejohej t’i bënte vetë këngët e saj si Celentano-s apo Reitano-s po ia jepnin të parafabrikuara nga të tjerët. Asaj i hynte në punë vetëm vokali i saj. E kush e linte Vaçen të mendohej gjatë? Nëse do i shkonte nëpër mend të mendohej gjatë ajo do të bënte thjesht vetëvrasje. Këtë i kërkon asaj Lubonja?
Po lexoja këto ditë llogaridhënien e Todi Lubonjes në pleniumin e qershorit 1973. Përballë tij ishte vetë shoku Enver i acaruar nga veprimtaria e quajtur antiparti e T. Lubonjës. Ajo që e acaronte tej mase shokun Enver ishte dhe titulli i ndryshuar i dramës së M. Jeros: nga “Nënë Duda” në “Të pamposhturit”. Thjesht ky ndryshim atij i dukej nje karshillëk i patolerueshëm. -Po, mendojnë se janë të pamposhtur këta-akuzonte diktatori. Dhe Todi Lubonja, në përgjigjen që i jepte Rr. Dervishit (pa u menduar hiç gjatë) pohonte: As topi nuk ma ka tundur këtë konsideratë (kupto dashurinë për shokun Enver) dhe as ka për të ma tundur derisa të vdes.
Nuk e solla këtë pasazh këtu për t’i treguar Fatosit historinë e dhimbshme të dënimit të babait të tij e, më pas, gjithë farefisit, por për të treguar se nuk ishte faji i Vaçes që nuk “mendohej gjatë” apo nuk tregohej e pamposhtur. Këtë duhet ta kemi parasysh kur merremi me vlerat e së kaluarës diktatoriale. Shumica e dënimeve, sidomos e nomeklaturës, nuk kishin si shkak mungesën e dashurisë për shokun Enver, alias pamposhtmërinë e tyre, por refuzimin e kësaj dashurie nga ana e diktatorit. As Fatosin nuk e lanë “të mendohej gjatë”, për të pohuar urrejtjen për shokun Enver, por e burgosën me bindjen se shoku Enver e kishte refuzuar dashurinë për të.
Le të kthehemi tani tek homazhi për Vaçen. Ai nuk ishte homazh as për mikeshën e diktatorit, as për disidenten e dëshiruar e as për luftëtaren e demokracisë. Ai ishte thjesht një homazh njerëzor për vlerat e rralla të vokalit të saj që, në atë kohën kur ajo e demonstroi, u ble me çmimin e lirë të detyrimit ndërsa sot, në kohën e demokracisë, shpërblehet me vlerën e natyrshme të respektit. Po kritika e Lubonjës? Me siguri larg të vërtetës artistike mbi talentin e Vaçeve…Me siguri diçka që Lubonja nuk do dëshironte që të tjerët t’ia bënin atij.
…bën mirë ti lexosh të dyja, edhe biblën edhe kuranin, nuk është kurrë vonë për këtë…
Pergezime. Nje burre i mencur per te cilet kemi aq shume nevoje, por edhe trim. Te lumte.
Z.Muka eshte nder intelektualet e rralle shqiptar qe per ato 55 pyetje te akademikut Islami me te drejte thot se ” midis tyre ka edhe fakte te cilave u duhet kushtuar vemendje dhe duhet marre ne konsiderate”
Edhe per Rugoven e thot te verteten. Ai pos vleresimit nga bashkekombasit ka vleresime edhe nga udheheqesit e huaj. Do e them vleresimin e z.Richard Holbrooke i cili ne librin e zise per Rugoven shkroi: “Kur e kam takuar Rugoven per here te pare ai dukej si nje ze i vetmuar ne beteje te vetmuar, duke bartur nje shall qe thoshte se do ta varte vetem kur ta sheh vendin e lire. E shikoja duke ndjekur endrren e popullit te vet ne kushte te jashtezakonshme me urtesi dhe kembengulesi, dhe u bera admirues dhe shok i tij.
Cfare kenaqsie ishte ta shoh me ne fund ne Prishtine pa shallin e tij! Mbaj zi per nderrimin e jetes, se bashku me tere popullin e Kosoves.
Deri sa Kosova e fitoi lirine nen udheheqjen e tij, tani perjetoi nje humbje te tmerrshme ne nje pike kritike, ku shume pune mbeten per tu bere.
Apeloj tek lideret kosovar te bashkohen dhe te punojne se bashku, per te arritur pavarsine per te cilen President Rugova luftoi”.
do te ishte absurde qe te jap mendime per BIBLEN nje korrak……..!!!
O Gafur shkruaj vetem per ato qe ke lexuar dhe je lodhur shume dhe ke pervoje te madhe. Mos shkruaj se dikush te jep njehere mundesine dhe fillon e shkruan pa pushim si patrioti i madh Myslim Pashaj, qe flet per cdo gje dhe eshte bere i pabesueshem.
Librat e shenjte lexohen prej 2000 vjetesh nga miliona njerez dhe eshte turpi jot qe si ke lexuar. Lexoji njihere dhe ke per tu bere me i mencur.
Ne Eren Berthamore viti 2014, kur flitet per Multiverse E Multidimensione, kur behen eksperimente te udhetimit ne kohe, krijohet jete ne menyre artificiale, kur SHKENCA eshte me e fuqishme se te gjithe zoterat e feve te Botes, ne meremi ende me bibla e kurana qe jane “manuale vesesh” te popujve orientale!