Miratohet ligji anti-mafia/ Rastet kur do të veprojë dhe kategoritë që përfshihen nën hetim

20 Mars 2014, 14:59Politika TEMA

Kuvendi miraton ligjin anti-mafia, në të cilin parashikohet që korrupsioni të trajtohet si krim i rëndë dhe të hetohet e gjykohet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, si dhe sekuestrimin e pasurive që javë vendosur përmes akteve korruptive. Duke iu drejtuar seancës plenare, ministri i Drejtësisë theksoi se fenomeni i korrupsionit vlerësohet si një pengesë reale për progresin e vendit, ku ndërkohë  konstatimet e ndërkombëtarëve, duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi.

“Masat e ndërmarra kundër korrupsionit, ndër vite, nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara, në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave korruptive, përsa kohë korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në kuota të larta. Përpos ndryshimeve të bëra në vitin 2012, në nenin 52 të Kodit Penal, që synon nxitjen e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, si dhe ndryshimet e nenit 75/a të K.Pr. Penale, të sapo miratuara, ku në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda janë shtuar rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, si dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve; lind si domosdoshmëri marrja e masave plotësuese, ku përpos sanksioneve penale, të aplikohen masat e tjera që lidhen me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga veprimtaria kriminale të korrupsionit”, theksoi Naço në fjalën e tij.

Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave; për pjesëmarrje në organizata kriminale/ose grupe të strukturuara kriminale; pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura; shfrytëzimin e prostitucionit në rrethana rënduese; trafikimin e femrave; trafikimin e narkotikëve; pastrimin e produkteve të veprave penale.

Gjithashtu drafti parashikon luftën ndaj korrupsionit në sektorin privat, ku në bazë të nenit 164/a përfshihen personat që ushtrojne funksion drejtues në shoqëri tregtare. Në nenin 244/a parashikon luftën ndaj korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”;

Personat që ushtrojne funksione në administratën shtetërore, dhe që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, ku përfshihen: sekretar i përgjithshëm; drejtor departamenti; drejtor drejtorie të përgjithshme; pozicionet e barasvlershme, etj.

Në vijim ministri i Drejtësisë sqaroi se  neni 245 dhe 260 parashikojnë korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, përfshi këtu Presidentin, Kryeministrin, ministrat, deputetët, drejtuesit e institucioneve të emëruar prej Kuvendit, Kryetarët e Bashkive dhe Komunave, sikundër në nenin 319 dhe 320 parashikohen rastet e korrupsionit pasiv ose aktiv të anëtarëve të Gjykatës së lartë, Kushtetuese, gjyqtarëve, prokurorëve dhe subjektet e tjera që ushtrojnë detyrën në drejtesi, si: oficerët e policisë gjyqësore, etj.

Dispozitat e këtij ligji, siç zbatohen për bandat dhe organizatat kriminale, do të zbatohen dhe ndaj veprave penale të korrupsionit për pasuritë e personave të afërm sikurse janë bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka. Sipas nenit 6 të këtij ligji, siç zbatohen dispozitat për bandat dhe organizatat kriminale për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë do të zbatohen dhe për veprat penale të korrupsionit dhe janë objekt verifikimi: mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, niveli ekonomik, si dhe burimet e të ardhurave të tyre.

Synimi i këtij projektligji është rritja e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum  korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit. Në nenin 21, paragrafi i tretë i këtij Ligji parashikohet se: “Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”.

Në këtë kuptim, vlera reale e këtij ligji qëndron në faktin se, nuk do të jetë prokurori që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë e sekuestruar dhe konfiskuar edhe në rastet e korrupsionit.

13 komente në “Miratohet ligji anti-mafia/ Rastet kur do të veprojë dhe kategoritë që përfshihen nën hetim”

  1. Mira says:

    Ky ligj e “kap” më në fund Dritan Priftin dhe videon e tij…!?

    1. alk says:

      Ligj fantastik nga ana e qeverise Rama, bravo

    2. dasara says:

      Ky eshte shtet qe merret me ceshtje te rendesishme dhe te nevojshme per te nderhyre.

    3. adela says:

      Qeveri njishe

  2. Lini says:

    Kjo eshte, bravo qeverise, hajde tani, se ligji antimafia qe ishte me shume i forconte kriminelet e vertet se sa i luftonte, po vjen era shtet.

  3. ueda says:

    Pune e mbare ? ?

  4. _Sherina_ says:

    Bravooo ?

  5. _Renald_ says:

    Ishalla po ja dilni , ndryshe nga ata qe iken dhe qe sbene asgje per 8 vjet . !!

    1. andi says:

      Ata qe iken vodhen gjithe Shqiperine e pasurite me te vlefshme, po urojme qe keto qe jane ti vene para drejtesis e tua marrin te gjitha e tja kthejne Popullit.

  6. heda says:

    Teper e nevojshme per vendin per tu marre nje mase e tille, bravo qeverise.

  7. berti says:

    me ne fund. te denohen dhe tu sekuestrohet pasuria te gjith maskarenjve qe kane vjedhur duke qene ne pushtet te zgjedur me voten e popullit.

    te kontrollohet
    ne 20 vjet, sa $ kane bere dhe sa kane. nqs nuk perputhet te veproje ligji.
    vetem keshtu do te na besoj bota qe vertet po ecim perpara.

  8. durresi says:

    sa budallenj beheni… po kush do I kontrolloje keta? A mund te kontrolloje veten I korruptuari? Asgje sdo ndodhe, vetem shashka. Ketu duhen gjykates dhe prokurore te huaj. Atehere po, ky ligj mund te zbatohet. Ketu nuk eshte se ska ligje po si pjerdh njeri. Njeri denohet 7 vjet per nje cigare hashash, tjetri vret 26 vete dhe del pas tre vitesh se ka mamin semure ne shtepi……..

  9. SSL says:

    I korruptuari heton te korruptuarin vetem ne shqiperi mund te ndodhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje