Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shtyrë afatin e regjistrimit të numrave celularë deri në 15 maj të këtij viti.
Përmes një njoftimi për mediat, AKEP, në vijim të masave për përfundimin e regjistrimit individual të çdo pajtimtari të shërbimit celular, u ka kërkuar katër operatorëve celularë që deri me 15 maj të përfundojë edhe regjistrimi individual i çdo përdoruesi/pajtimtari që është pjesë e grupeve/kontratave të përbashkëta deri në 20 numra celularë/karta SIM, aktualisht të regjistruar në emër të 1 (një) pajtimtari të vetëm.
AKEP kërkon që për të realizuar këtë detyrë, operatorët celularë duhet të përdorin të gjitha mjetet e informimit që disponojnë si SMS apo thirrjet telefonike.
Mesazhi duhet të dërgohet tek të gjithë pajtimtarët dhe të përmbajë kërkesën për verifikim dhe plotësim të dhënash për çdo pajtimtar të rrjeteve celulare përkatëse.
Ndërkohë, grupet e identifikuar që kanë deri në 20 karta SIM do të kenë përparësi si në njoftim ashtu edhe në kontaktim alternativ deri në eliminimin e kësaj marrëdhënie në grup.