Edi Rama teston “territorin” e Bashës në PD

22 Mars 2014, 20:04Editorial TEMA

Nga Mero Baze

 

Edi Rama ka ftuar Lulzim Bashën në një takim “sy më sy”, siç e ka quajtur ai, jo aq shumë për t’i dhënë fund hezitimit të opozitës për të vendosur për të marrë pjesë në reformën territoriae, por për të kuptuar a ka një kundërshtar të qartë në opozitë, apo është duke folur me hijen e Sali Berishës. Ftesa, e bërë publike dhe e paralajmëruar disa ditë më parë në “Top Story”, nuk ka ndonjë vlerë procedurale, pasi vetë parlamenti dhe qeveria i kanë bërë kërkesa shumë të ndershme publikisht opozitës. Ato i kanë garantuar të drejtën e vetos, pjesëmarrje të barabartë në komision dhe një debat, mbështetur mbi logjikën ekonomike dhe jo strukturat elektrale. Për më tepër, kjo “temena” e gjatë bëhet në një kohë kur opozita i ka votat formale për reformën, por duket se do realisht që ndarja e re territoriale të jetë afatgjatë dhe efiçente për Shqipërinë.

Pra, Edi Rama nuk ka çfarë i thotë “sy më sy” asgjë më shumë se sa i ka ofruar hapur dhe zyrtarisht Lulzim Bashës. Ky i fundit po. Ky ka çfarë t’i tregojë. Mund t’i thotë si e ka hallin me Berishën dhe a ka shanse të marrë ndonjë vendim pa e pyetur atë. Refuzimi publik që i ka bërë ofertës së shumicës, është qesharak dhe i pastrukturuar. Një herë u lidh me fatin e Zana Xhukës, një herë me furgonat 8 plus 1, dhe së fundmi me Endira Bushatin. Nesër mund t’i shtohet problemi i Vishos dhe ndoshta deri replikat në Kuvend. Pra, nuk ka një refuzim të strukturuar, që të mbështetet mbi arsyet përse duhet bërë ndarja e re territoriale, por ka shkaqe të ditës dhe kauza fallco, që opozita i shpik për të mbijetuar politikisht dhe për të qenë prezente nëpër ekrane me spikere të porositura, që lexojnë deklarata.

Në këtë kuptim, ftesa direkte e Edi Ramës vlen vetëm për të kuptuar a është Lulzim Basha pikë kontakti për të biseduar me Partinë Demokratike apo jo. Dhe kjo ka brenda saj nuancat e veta. Duhet bërë nëse Basha është aq rëndë sa nuk ka leje as për ta takuar Ramën, apo do ketë leje për ta takuar, por për të përsëritur kasetën që i vë në gurmaz Ristanit, Laurës apo Halimit, sa herë kalojnë ditën si opozitarë.

E parë kështu, natyrisht ftesa duket më shumë si provokim për lidershipin e Bashës se sa një takim që do vinte pikat mbi “i” lidhur me reformën territoriale. Dhe si provokim vlen për të kuptuar a ia vlen të konsiderohet Basha kryetar i PD-së apo duhet konsideruar normal  bashkëdrejtimi i tij me Berishën. Në një farë mënyre ftesa teston ndarjen territoriale brenda PD, mes Bashës dhe Berishës, dhe fuqinë apo pafuqinë që ka Basha për të marrë vetë vendimet për opozitën.

Dhe si e tillë, kjo ftesë nuk është se i bën ndonjë nder Bashës, nëse ai ka ndërmend të rrijë ende nën tutelën e Berishës. Ajo thjesht i shkakton kokëçarje, e bën të dyshuar të Berishës dhe e detyron të bëhet më radikal se ai për t’i thënë jo ftesës. Por nga ana tjetër, nëse ka vendosur të tregojë që është ai kryetar, dhe aq më keq nëse ia ka kërkuar këtë gjë Ramës përmes mesazherëve të vet, ai mund t’i thotë “Po” dhe mund ta takojë. Natyrisht pa bërë asgjë për ndarjen territoriale të Shqipërisë, por së paku të ndajë territorin brenda PD me kryetarin e vet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje