Në pritje të “Albanian Gangster”

18 Prill 2014, 18:09Blog TEMA

Nga Arben Manaj

 

Thrilleri i fundit politik i Tiranës me drogë të transportuar me avion nga bazat ushtarake shqiptare, me kujton filmin biografik “American Gangster”, produksion i 2007-ës, ku flitet për karrierën kriminale të Frank Lucas, gangsterit nga Karolina Veriore, që sillte kontrabandë heroinë në Shtetet e Bashkuara me avionë ushtarakë amerikanë që vinin nga lufta në Vietnam.

Deri më tani, sesa fantashkencë tingëllon ky produksion berishian, i intriguar nga SMS të ardhura nga Divjaka, është heshtja ose injorimi institucional që vjen nga selia e Aleancës së NATO-s, e cila duket se s’ka kohë të argëtohet këto dite pushimesh, edhe pse është në prag Pashkësh.

Nëse vërtet do të kishte diçka që qëndron në tërë këtë turbullim psiqik, që duket më shumë mungesë marrjesh në kohë medikamentesh, padyshim do të kishte vënë në lëvizje të ethshme autoritetet e NATO-s, pasi sulmi nuk është thjesht ndaj Kodhelit, por ndaj reputacionit të vetë Aleancës, pasi kemi të bëjmë me një shtet anëtar të NATO-s, dhe të kishte një heshtje të tillë, siç po shihet ndaj një akuze të tillë, do të vinte në pikëpyetje dhe nën skepticizëm të paimagjinueshëm vetë emrin dhe reputacionin e Aleancës, që nuk përbëhet vetëm nga amerikanët e britanikët, francezët e italianët, por të gjitha shtetet përbërëse.

Po të kishte diçka të vërtetë në tërë këto haluçinacione, verifikimi, parimisht, do të duhet të fillonte të paktën nga agjencitë e inteligjencës së vendeve partnere, për të mos përmendur sistemet e verifikimit të radarëve dhe fluturimet nëpër hapësirën ajrore të NATO-s, të këtyre avionëve që nuk dihet se çfarë janë, nga vijnë dhe ku shkojnë!

Emri i qeverisë dhe Kryeministrit shqiptar, apo ministres shqiptare të Mbrojtjes, do të ishte liliputian përpara emrit dhe nderit të Aleancës së Atlantikut, që boll ka telashe këto kohë me atë që po ndodh në kufijtë lindore të saj me doktrinën e Putinit të rivendikimit të ish- territoreve sovjetike.

Do të ishte e pafalshme nëse do të qëndronte akuza e opozitës ose Berishës, dhe qeveria të rinte kaq e qetë dhe në pritje. Do të ishte fatale, në çdo kuptim dhe parametër, moral dhe etatist.

Ndërkohë kontributi opozitar do të ishte tejet i vyeshëm për Shqipërinë dhe vetë NATO-n, nëse do të provohej përtej çdo dyshimi një akuzë kaq e rëndë për emrin e Shqipërisë, vend anëtar i aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Po aq e pafalshme mbetet nëse vërtet nuk e beson çmendurinë, e paprovuar si të kundërt, e ardhur nga selia e partisë së tij, Presidenti Nishani, që ka detyrën institucionale për të hetuar një skandal të tillë hipotetik si Komandant i Forcave të Armatosura të vëndit.

Përndryshe, do ishte normale që mazhoranca të fillonte ndaj tij procedurat e shkarkimit të tij për një dështim të një natyre të tillë, pasi s’i duhet as dreqit me një inaktivitet të tillë.

Shqipëria pret të mësojë nga ata që pretendojnë se kanë fakte se cili është “The Albanian Gangster”, si në filmin e Hollivudit, që ai që akuzon të mos cilësohet sërish si në 97-ën nga media britanike, kur ishte President i Shqipërisë, se drejtonte një qeveri gangterësh.

Kam frike se kjo puna e avionëve me drogë është me aq vlerë prove materiale sa ç’ishin ato me çadra me helm e të tjera pallavra, pas vrasjeve në bulevard, prova që kurrë nuk u vërtetuan nga ish-Kryeministri.

Mbetet të mos bëhemi gaz i botës, nëse ndonjë hokatar shqiptar nuk i dërgon ndonjë SMS tjetër Berishës dhe i thotë se e di saktësisht se ku ka rënë avioni malajzian, se ai i beson çdo SMS-je.

5 komente në “Në pritje të “Albanian Gangster””

  1. shpetim says:

    O Arben,

    Jam plotesisht dakord me shkrimin tend qe i konsideron te gjitha keto akuza te Berishes si halucinacione te nje te semuri psiqik me rrezikshmeri te larte shoqerore dhe kombetare.

    Por nuk arrij te kuptoj se si keto hardallisje te ketij frymori te semure i mbajne isson edhe i tere oborri i tij opozitar,duke perfshire ketu edhe nje takem analistesh te dale boje.

    Ajo qe me cudit eshte se si perfaqsues te trupit diplomatik ketu ne Tirane vazhdojne te takohen dhe te bisedojne me kanakarin e Berishes te zgjedhur si kryetar i PD. Jam kurreshtar te dij se cfar bisedojne valle ?

    1. Open your mind says:

      Ka me shume se 6 muaj qeverisjeje,dhe une nuk shoh asnje perpjekje serioze per fillimin e nje hetimi te thelle kundrejt psikopatit Sali.Me gjithe ato krime qe ai ka bere,duhet te ishte ne burg tani.Perkundrazi,ai perseri i turbullon ujrat si ti doje qejfi,dhe vazhdon tu prishe gjakun shqiptareve.Kjo me ben te dyshoj ne seriozitetin e qeverise se re.

  2. NjeQytetarOptimist says:

    Ce ke goditur me kete cadrat me helm..Plak hilucjonant..Eshte I trembur psikologjisht dhe mendohet si te dali nga gropa e zeze nepermjet gerthitjeve dhe c’jerrjeve boshe..Po shef endrra me kufomat e tij me duket..

  3. Jack says:

    Saliu nuk eshte budalla! E dini ate shprehjen – shpif, shpif se dicka do ngelet? Qellimi i saliut eshte te nxije Shqiperine. Une di se ka nje nen te forte ne ligje e kushtetute qe ndalon “talljen e bythes me ceshtje kombetare, si flamuri, atdheu etc. Ne se nuk ka Prokurori ne shqiperi shkarkojini te gjthe dhe bini FBI ne shqiperi, beheni shqiperine shtetin e 51 te SHBA

  4. ILIRET says:

    Gjithe ky sulm qe organizon PD kunder qeverise dhe sidomos kunder ushtrise si pjese euroatlantike, ka nje synim te vetem. Marrjen e nje vendimi negativ ne statusin kandidat. PD po lobon fort qe Shqiperia te mos e mare kete status. Dhe kete e shohin dhe e degjojne te gjithe ata qe kane sy dhe veshe.
    Basha dhe Berisha nuk lene rast qe kur takohen me nderkombetaret cfare nuk thone kunder qeverise per te provuar se demokracia eshte e rrezikuar dhe Shqiperia nuk e meriton statusin. Lere cfare thone teorikisht. Praktikisht bejne cfare eshte e mundur per te nxire c’do gje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje