Kapiteni i tragetit në Korenë e Jugut, që u mbyt tre ditë më parë, ndërsa në bord ishin qindra fëmijë shkolle, mbrojti sot vendimin e tij për të shtyrë dhënien e urdhrit për evakuim.
Lee Joon- Seok akuzohet për neglizhencë dhe vonesë në dhënien e urdhrit për evakuim.
Po ashtu, ai së bashku me drejtuesit e tragetit e braktisën atë ndër të parët, duke lënë pas qindra njerëz.
Por Lee tha se nuk e dha urdhrin për evakuim sepse në atë kohë nuk kishte mbërritur asnjë anije shpëtimi.
“Nuk kishte as ndonjë anije tjetër aty pranë për ndihmë. Rrymat e ujit ishin shumë të forta dhe uji ishtë shumë i ftohtë. Mendoja se pasagjerët do rrëmbeheshin tutje nëse do evakuoheshin pa e menduar mirë”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Associated Press, zyrtarët e sigurisë urdhëruan një evakuim të plotë të anijes pesë minuta pasi u bë telefonata e emergjencës.
Por kapitenit iu deshën 30 minuta për të dhënë urdhrin.
Deri më tani janë gjetur trupat e 32 të mbyturve, ndërkohë që vazhdojnë të mungojnë edhe 270 të tjerë.
Zyrtarët thonë se operacioni mund të zgjasë një deri në dy muaj.
174 pasagjerë në bord u shpëtuan, por kërkimet tani janë vështirësuar shumë.
Shumica e pasagjerëve ishin gjimnazistë, që po shkonin në ekskursion.
hhh