Fluturimi MH370/ Kryeministri australian: Sinjalet e kutive të zeza po zhduken me shpejtësi

12 Prill 2014, 11:44Bota TEMA

Sinjalet që vijnë nga ato që mendohet se janë kutitë e zeza të avionit të Malaysia Airlines po zhduken me shpejtësi.

Kështu tha kryeministri australian, Tony Abbott.

Ai tha se është i bindur se sinjalet janë të kutive të zeza të avionit, por theksoi se ato po zhduken.

Për këtë arsye, operacioni i kërkimit është një mision shumë i vështirë, që duhet realizuar sa më shpejt, shtoi ai.

Që nga e marta nuk janë kapur më sinjale të reja nga kutitë e zeza.

Ndërkohë në media spekulohet sërish se avioni mund të mos jetë aty ku kërkohet, pasi nuk është gjetur asnjë gjurmë rrëzimi.

“Askush nuk duhet të nënvlerësojë vështirësitë e detyrës që na pret,” tha Abbott.

Korrespondenti i BBC thotë se në fakt kryeministri po tenton që të ulë pak entuziazmin e para pak ditëve, kur tha se ishte shukmë i bindur se sinjalet i përkasin avionit Boeing 777.

Zhdukja e fluturimit MH370 e ka mbushur internetin me teori konspirative, ndërkohë që familjarët e 239 personave në bord akoma nuk janë të bindur se avioni ka rënë në Oqeanin Indian.

Avioni ishte nisur për në Pekin nga Kuala Lumpuri, por mendohet se ka përfunduar mijëra kilometra larg.

Ka teori se avioni ka fluturuar në mënyrë fantazmë deri sa i ka mbaruar karburanti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje