Heqja e kompetencës së Presidentit për ILDKP/Bylykbashi: Rama-Meta uzurpuan edhe një tjetër institucion (VIDEO)

19 Prill 2014, 12:44Politika TEMA

Partia Demokratike reagon ndaj votimit të djeshëm në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku megjithë ndryshimet në ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, u votua edhe heqja e kompetencës së Presidentit të Republikës për të propozuar Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi e konsideroi këtë vendim të mazhorancës si një tjetër sulm ndaj Presidentit për të ruajtur pasuritë e tyre.

“Partia Demokratike dënon sulmin e ri të dyshes Rama-Meta mbi institucionet e pavarura. Pasi uzurpuan në mënyrë të paligjshme kreun e ILDKP, tashmë po përpiqen ta legalizojnë këtë kapje politike të këtij institucioni, duke vënë tërësish nën kontroll procedurën e emërimit. Mazhoranca po i heq një kompetencë tjetër Presidentit të Republikës duke i marrë atij të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së. Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një mekanizëm kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, theksoi Bylykbashi në një konferencë për mediat.

Sipas tij, shpartallimi i pavarësisë së ILDKP me ndryshimin e procedurës së emërimit vetëm nga mazhoranca dhe duke eliminuar Presidentin, e kthen përfundimisht ILDKP në një kone të butë të dyshes Rama-Meta. Në vijim ai shtoi se me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së, e cila është themelore për besueshmërinë e luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve.

“Me ILDKP-në nën kontrollin e kësaj dysheje, antikorrupsioni i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Që këtej e tutje, ILDKP-ja do certifikojë si noter i bindur pasuritë e qeveritarëve të rinj dhe do të përdoret si kamxhik politik ndaj kujtdo që u del kundër. Partia Demokratike denoncon këtë sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit. Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm. Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë  de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre”, theksoi deputeti i PD-së.

Partia Demokratike mbështet çdo forcim të ligjit të ILDKP-së që rrit rolin e këtij institucioni në luftën ndaj korrupsionit të qeveritarëve.

5 komente në “Heqja e kompetencës së Presidentit për ILDKP/Bylykbashi: Rama-Meta uzurpuan edhe një tjetër institucion (VIDEO)”

  1. teuta says:

    Ky vendim eshte nje nder qe i behet nje presidenti cyryk e lehteson te shkretin

  2. Kruja says:

    he he he c’fare pandehet ju se do vinit nje zana xhuka tjeter aty

  3. altini says:

    A mortja qe su ha…

  4. Prisni , mos u nxitoni ,eshte akoma heret ,,,s’keni pare gje akoma !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje